Serbët protestojnë sërish në veri: Plani i Prishtinës është që ne të mos jemi në Kosovë

Aktuale

Serbët protestojnë sërish në veri: Plani i Prishtinës është që ne të mos jemi në Kosovë

Më: 28 nëntor 2018 Në ora: 14:37
Pamje nga protesta

Qindra qytetarë serbë, në mesin e të cilëve disa deputetë serbë të Kuvendit të Kosovës, kanë protestuar për të tretën herë me radhë para selisë së EULEX-it në veri të Mitrovicës, kundër taksët 100% që Qeveria e Kosovës ka vendosur për mallrat serbe.

Në duar mbanin flamuj të Serbisë dhe pankarta me mbishkrimet “Stop dhunës nga Prishtina”, “Mos na lini në geto”, “Kemi të drejtë në bukë”, “Nuk kemi ilaçe” dhe të ngjashme.

Deputeti i Parlamentit të Kosovës, Igor Simiq, ka thënë se meqë Prishtina nuk po dëshiron t’ua mundësoj serbëve një jetë të dinjitetshme, atëherë serbët do të dëshmojnë se nuk ka më parti politike dhe se janë të bashkuar si kurrë më parë.

Sipas tij, serbët nuk pajtohen me planin e Prishtinës kundër tyre, që është siç u shpreh ai, thjesht të mos ketë serbë në Kosovë.

Simiq: Plani i Prishtinës është të mos ketë serbë në Kosovë

“Protesta e djeshme, por edhe protestat tjera që do të vijojnë në të ardhmen, ngase Prishtina definitivisht nuk po dëshiron të na mundësoj një jetë të dinjitetshme, do të dëshmojnë se jemi të bashkuar. Nuk ka më parti politike…Sot jemi të gjithë një, dhe sot atyre të gjithëve ju pengojmë për një arsye, vetëm se jemi serbë dhe se jemi në vatrat tona…Nuk pajtohemi me planin e tyre që kanë kundër neve, e kjo është thjesht të mos jemi…Në dorën tonë të shtrirë sinqerisht për paqe, jemi rrahur këtu në qytetin tonë… Kryetarët e komunave nuk kanë dhënë dorëheqje për shkak se nuk kanë ditur si të punojnë, por sepse nuk duan të bëhen vetëm dekor i institucioneve të tyre” , ka thënë Simiq.

Ndërkaq, rektori i të ashtuquajturit Universitet i Prishtinës me seli në veri të Mitrovicës, Rade Grbiq, tha se institucionet e Prishtinës duan që t’ua marrin qytetarëve serbë të drejtën e arsimimit dhe të lirisë.

Grbiq: Prishtina po na merr të drejtën në arsimin

“Deklarata e përgjithshme e të drejtave njerëzore në nenin 26 thotë se secili ka të drejtë në arsimim dhe se ajo duhet të jetë e orientuar drejt forcimit të respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore. Pikërisht këto ditë jemi dëshmitarë se institucionet e Prishtinës duan që t’na marrin të drejtën në arsimim dhe të drejtën e lirisë”, theksoi Grbiq.

Pas fjalimeve të pranishmit i ka argëtuar grupi beogradas ‘Amadeus’, ndërsa u paralajmërua protestë edhe për nesër në të njëjtën kohë dhe vend. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat