Haradinaj me kabinetin më të madh qeveritar ndonjëherë

Aktuale

Haradinaj me kabinetin më të madh qeveritar ndonjëherë

Më: 28 nëntor 2018 Në ora: 19:41
Kabineti qeveritar Haradinaj

28 këshilltarë ka afër vetes kryeministri Ramush Haradinaj, i cili udhëheq me kabinetin më të madh qeveritar ndonjëherë.

Kryeministri ka 12 këshilltarë politikë, 5 këshilltarë për komunitete dhe 11 këshilltarë të jashtëm politikë.

“17 këshilltarët politikë të kryeministrit Ramush Haradinaj, të cilët paguhen me para të taksapaguesve të Kosovës, marrin pagë mujore rreth 23 mijë euro, ndërsa pagë vjetore mbi 270 mijë euro”.

Njëmbëdhjetë këshilltarët e jashtëm, sipas përgjigjes me shkrim të Zyrës së Kryeministrit, nuk paguhen nga buxheti i shtetit.

Shefi i Kabinetit të Kryeministrit, i cili njëkohësisht është edhe këshilltar politik, merr pagë mujore 1,670 euro.

Por, Zyra e Kryeministrit ka edhe të punësuar të tjerë.

“10 punonjës - staf administrativ dhe mbështetës (vozitës, asistentë, protokoll, administratë). Kjo sa i përket pjesës politike, do të thotë të emëruar. Këtu nuk janë përfshirë këshilltarët dhe stafi mbështetës nga zyrat e zëvendëskryeministrave dhe as stafi civil, të cilët janë shërbyes civilë”,  raporton KTV .
Qeveria thotë se zyrtarisht i ka 79 zëvendësministra.

Për vetëm një vit, 79 zëvendësministrat vetëm për paga i kushtojnë buxhetit të shtetit më shumë se 1 milion e 90 mijë euro.

Me vendimin e shumë-kontestuar për rritje të pagave 100 për qind, kryeministri Haradinaj ia arriti pagën vetes në 2950 euro. Për një vit kryeministri merr pagë 35 mijë e 400 euro. Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj ka në përbërje edhe 5 zëvendëskryeministra që marrin pagë secili nga 2500 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat