Haradinaj për taksën ndaj Serbisë: Nuk kemi pasur zgjidhje tjetër

Aktuale

Haradinaj për taksën ndaj Serbisë: Nuk kemi pasur zgjidhje tjetër

Më: 29 nëntor 2018 Në ora: 10:23
Ramush Haradinaj

(E plotësuar)- Është mbajtur edicioni i parë i Konventës së Prodhuesve të Kosovës, i cili ka për qëllim fuqizimin e sektorit të prodhimit dhe promovimin e produkteve “Made in Kosova”.

Me këtë rast, drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve, Astrit Panxha, ka thënë se e kanë organizuar këtë konventë për të fuqizuar sektorin e prodhimit në Kosovë.

"Ne kemi filluar ta organizojmë këtë konventë pasi besojmë që prodhimi është investimi më strategjik ekonomik i Kosovës. Ne jemi pro tregtisë së lirë. Prandaj edhe sot kemi ftuar bashkëpunëtorët nga Shqipëria dhe Maqedonia që të bisedojmë me ta. Por, klubi do të respektojë edhe masat e reciprocitetit ndaj disa shteteve, siç është taksa për Serbinë dhe Bosnjën. Prodhuesit kosovarë kanë pasur probleme për të dërguar produkte në këto vende", tha ai.

Ai tha se prodhuesit e Kosovës nuk i takojnë asnjë partie politike janë të Kosovës.

Në këtë aktivitet ka marrë pjesë edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se është i vetëdijshëm që prodhimi është sfidë dhe që prodhuesit janë përballur me sfida.

"E dimë se prodhimi është sfidë dhe në një mënyrë ose tjetër prodhuesit kanë qenë të sfiduar që në fillim. Kosova tashmë ka më shumë vetëbesim në prodhim dhe produktet janë të çmuara. Si qeveri menjëherë kemi filluar me realizimin e disa detyrave. Heqja në doganë e lëndës së parë, dhënia e tokave për komunat që do të kthehen në zona ekonomike", tha ai.

Haradinaj ka folur edhe për taksën e vendosur ndaj produkteve të Serbisë dhe atyre nga Bosnja.

"Së fundi është veprimi i taksës për prodhimet e Bosnjës dhe Serbisë, propozimi ka ardhur nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe është votuar në Qeveri dhe vetëm me vendim të Qeverisë lartohet. Është interesi i 2 milionë qytetarëve që jetojnë në këtë vend, ju e dini se sa keq është trajtuar Kosova dhe produktet e Kosovës, çfarë pengesa kanë pasur. Është e habitshme që ata që po e kritikojnë Kosovën që nuk i kanë ditur këto probleme. Ne e dimë se prodhimi është sfidë, mirëpo sfida nuk është diçka, nuk ka storie që u bënë përshtypje e që nuk buron nga një situatë e dhimbshme. Të shërbej taksa që po jemi zgjuar, është vendim i Kosovës, e ka marrë Kosova po në momentin kur nuk kemi pasur zgjidhje tjetër. Ky vendim mund të mbetet aq gjatë sa Serbia ta njeh Kosovën dhe të zbatohen të gjitha marrëveshjet tjera”, tha Haradinaj.

Ai ka pasur një lutje për prodhuesit kosovarë.

"Ju lutem shfrytëzojeni, por mos e keqpërdoreni, mos i rritni çmimet. Është koha reale me iu dhënë përparësi produkteve vendore. Serbia i ka keqpërdorur serbët e Kosovës, është mirë të kemi kujdes për ta dhe t’i furnizojmë ata me të gjitha produktet e mundshme. Kjo masë nuk është marrë për serbët e Kosovës", tha ai.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka thënë se si MTI do të jenë krah prodhuesve vendor, e që po ashtu u ka kërkuar që të rrisin cilësinë e produkteve të tyre.

"Patriot është ai që hap vende të reja të punës, që blen prodhimet vendore dhe me këtë ndikon fuqizimin e shtetit të Kosovës. Krahasuar më vitet e kaluara Kosova është në pozitë më të favorshme sesa vite më herët. MTI është e fokusuar që të jetë krah prodhimeve vendore. Kërkoj që të rrisni cilësinë e produkteve tuaja, po ashtu bëj apel që produkti kosovar të përdoret. E jona është që të krijojmë kushte dhe e juaja është që të rrisni cilësinë", tha ai./M.Duraku/

Haradinaj i vendosur: Taksa ndaj Serbisë hiqet vetëm pas njohjes

Sektori i prodhimit në Kosovë është një nga forcat lëvizëse kryesore të zhvillimit ekonomik në vend, u tha në edicionin e parë të Konventës së Prodhuesve të Kosovës, i cili ka për qëllim fuqizimin e sektorit të prodhimit dhe promovimin e produkteve “Made in Kosova”.

Rritja e qasjes së produkteve “Made in Kosova” në tregjet e huaja si dhe qasja në edukim dhe aftësimi profesional i të rinjve ishin temat kryesore të kësaj konvente.

I pari i Qeverisë, Ramush Haradinaj tha se prodhimi në Kosovë ka qenë sfidë ndërkaq lidhur me vendosjen e taksës ndaj Serbisë dhe Bosnjës tha se mund të hiqet vetëm me vendim të qeverisë dhe jo në forma të tjera.

Ai tutje paralajmëroi se taksa mund të qëndroj gjatë deri sa Serbia ta njoh Kosovën e të zbatohen marrëveshjet e arritura mes dy vendeve.

“Prodhimi është sfidë dhe prodhuesit kanë qenë të sfiduar që nga fillimi. Kosova ka më shumë vetëbesim në prodhim dhe produktet e vendit janë të çmuara. Si Qeveri i kemi filluar disa punë konkrete, kemi filluar me heq borxhe e taksa në raport me vendet e huaja”.

“Veprimet që i kem ndërmarr në komuna me i jap tokat për krijim të zonave ekonomike janë mundësi reale që prodhuesit tonë ta shohin të ardhmen në vend. Së fundi është prodhimi i taksës ndaj Serbisë dhe Bosnjës, propozimi ka ardhur nga zyra e ministrit të Tregtisë dhe vetëm me vendim qeveritar mund të ndryshoj”.

Tutje ai shtoi se, “Nuk lëvizet lista për hatër të secilit se është e pamundur. Vendimi nuk është bërë vetëm për hatër të prodhuesve vendor, por është interes i 2 milion njerëzve që janë në këtë vend. Ju e dini sa keq është trajtuar Kosova dhe produkti ‘Made in Kosova’. Nuk ka njeri që ka të kaluar të lehtë, nuk ka storje që ju bënë përshtypje të gjithëve që nuk buron nga një sakrificë”.

“Përkundër faktit që jemi të përkëdhelurit e Amerikës dhe Evropës ne duhet me i kryer disa punë të shtëpisë. Le të shërbej taksa si porosi për të gjithë që jemi zgjuar dhe jemi të vetëdijshëm. Nuk e kemi marr prej qejfi këtë vendim, dhe mund të mbetet shumë gjatë, aq gjatë sa nuk e njeh Serbia, Kosovën”.

Ai bëri thirrje nga bizneset që të mos i rrisin çmimet dhe ta keqpërdorin vendosjen e taksës për produktet serbe dhe ato të Bosnjës, raporton EO.

“Ju thash që nuk është bërë për hatër të juve kjo taksë. Është bërë nga zori mirëpo Mos e keqpërdorni taksen, mos i rritni çmimet pa nevojë. Qeveria e Serbisë i ka keqpërdor serbët e Kosovës. Është mirë të bëjmë kujdes për ta, t’i furnizojmë ata në veri dhe jug”, ka deklaruar Haradinaj.

“Ne e kemi liruar kishën prej blerjeve nuk është në taksë. Propagandat që vijnë nga Beogradi që spitalet të mbesin pa oksigjen e çerdhet pa qumësht mos lejoni të ndikojnë tek ju”.

Gjatë kësaj konvente, do të bëhet dhe lansimi i platformës digjitale “Made in Kosova”.

Kjo platformë është një platformë digjitale për promovimin e kompanive të Kosovës dhe produkteve në mbarë botën, e cila do shërbejë në rritjen dhe zhvillimin e kompanive dhe i bënë ato pjesë të zinxhirit së vlerës globale. Gjithashtu, gjatë konventës Klubi i Prodhuesve të Kosovës do prezantojë KOCME- Qendra Kosovare për Përsosmëri të Prodhimit, e cila do jetë një qendër moderne trajnuese që do mbështesë krijimin e vendeve të reja të punës dhe trajnim profesional të rinisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat