Veseli nga Drenica jep lajmin se kur do të formohet ushtria

Aktuale

Veseli nga Drenica jep lajmin se kur do të formohet ushtria

Më: 29 nëntor 2018 Në ora: 16:38
Ilustrim

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka zgjedhur Drenicën, që ta jap një lajm të madh në lidhje me formimin e ushtrisë.

Veseli vetëm një ditë pas 28 Nëntorit, festës së Flamurit,  nga vendlindja e komandantit legjendar Adem Jashari tha se në mesin e muajit dhjetor Kuvendi i Kosovës do të votojë për shndërrimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura. Sipas tij në mbledhjen e Kryesisë që do mbahet të hënën do të vendoset dita kur do votohet ky projektligj.

Kryeparlamentari u shpreh se komisionet parlamentare janë në finalizim  e sipër të këtij projektligji, dhe se ky transformim po bëhet në koordinim me partnerët ndërkombëtar.

Veseli: Shumë shpejt do të kemi ushtrinë e Kosovës

“Këtë vit shumë shpejt do ta kemi ushtrinë e Kosovës, tani komisionet parlamentare i kanë përgatitur punën e tyre janë duke e përfunduar besoj se nesër do përfundojnë finalizohet përgatitja për ardhjen në seancë të tre ligjeve që e transformojnë Forcën e Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura dhe shumë jam në koordinimin me partnerët tanë ndërkombëtar, në të njëjtën kohë e kemi një bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Kosovës, kryeministrin shumë shpejt do të thotë, muajin e ardhshëm në dhjetor, në mesin e dhjetorit do ta kemi edhe votimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”, u shpreh kryeparlamentari Veseli në Skënderaj pas përurimit të stadiumit ndihmës të futbollit në këtë qytet.

Veseli ka theksuar se vendimmarrja për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovë do jetë transparente, dhe se dita kur do votohet projektligji për ushtrinë do përmbledh gjithë sakrificën e popullit të Kosovës për liri dhe paqe.

Veseli: Në mbledhjen e Kryesisë të hënën do caktojmë ditën kur do votohet për ushtri

“Të hënën e kemi mbledhjen e Kryesisë do ta përcaktojmë me mbledhjen e Kryesisë do t’i respektojmë të gjitha procedurat kjo është ajo çfarë të jenë të gjithë të sigurt, vendimmarrja do të jetë transparente, do jetë një datë e bukur,  e cila e përmbledh të gjithë sakrificën e popullit tonë dhe dëshirën për liri dhe dëshirën për paqe dhe të ardhme....E transformojmë Forcën e Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura për qëllime paqësore, qëllimet kanë të bëjnë me promovimin, përkatësisht forcimin e paqes në rajon, asnjëherë populli ynë nuk ka qenë agresor ndaj askujt, dhe as nuk do jemi” ,shtoi Veseli.

Veseli bashkë me ministrin Kujtim Gashi dhe bashkëpunëtorë tjerë përuruan stadiimun ndihmës të futbollit në Skënderaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat