Haradinaj i përgjigjet Komisionit Hetimor për shtetasit turq, nuk dihet edhe për Thaçin

Aktuale

Haradinaj i përgjigjet Komisionit Hetimor për shtetasit turq, nuk dihet edhe për Thaçin

Më: 29 nëntor 2018 Në ora: 21:05
Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj

Komisioni Hetimor Parlamentar, do të mblidhet nesër në orën 11:00, me synim që ta intervistojë presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, në lidhje me dëbimin e gjashtë shtetasve turq.

Burime të besueshme i kanë thënë mediat se kryeministri Ramush Haradinaj nesër do të jetë i pranishëm.

“Agjenda mund të ndryshojë në moment, por Kryeministri ka vullnetin për të marrë pjesë në këtë takim”, ka thënë ky burim në kushte anonimiteti.

Ndërkaq, portali nuk ka mundur të mësojë nëse në Kuvend për intervistim do të shkojë Thaçi. Koh ka provuar të marrë informacione nga këshilltari i tij Ardian Arifaj porse ai nuk ka kthyer përgjigje.

Komisioni dështoi të hënën ta mbajë këtë mbledhje, meqë as Thaçi e as Haradinaj nuk i ishin përgjigjur ftesës. Ky i pari e arsyetoi mungesën me vizitën e tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa Haradinaj me agjendën e ngjeshur për mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës me atë të Shqipërisë.

Mos prezenca e tyre, krijoi edhe përplasje pozitë-opozitë

Ky komision ka nisur punën në korrik të këtij viti dhe janë të mandatuar që të kryejnë punë deri në mes të dhjetorit për të ndriçuar rastin e dëbimit të shtetasve turq.

Policia e Kosovës kishte arrestuar në mars të këtij viti gjashtë shtetas turq, punëtorë të kolegjit Mehmet Akif, shkollë e cila është pjesë e rrjetit të shkollave të klerikut Fetullah Gylen, i cili kërkohet nga Turqia me akuzën se qëndron prapa puçit të dështuar në këtë shtet dy vjet më parë.

Arrestimi kishte ndodhur pas një bashkëpunimi me inteligjencën turke. Mësuesit e kolegjit “Mehmet Akif” në Kosovë, Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina dyshohet se janë pjesëtar të organizatës “FETO”.

Pas arrestimit të shtetasve turq, kryeministri Ramush Haradinaj kishte shkarkuar nga detyra ministrin e Punëve të Brendshme Flamur Sefaj dhe drejtorin e AKI-së, Driton Gashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat