Serwer: Marrëveshja me Serbinë nuk është afër, dihen kufijtë e Kosovës

Aktuale

Serwer: Marrëveshja me Serbinë nuk është afër, dihen kufijtë e Kosovës

Më: 30 nëntor 2018 Në ora: 10:37
Daniel Serwer

Sekretari i shtetit Mike Pompeo dhe këshilltari për siguri kombëtare John Bolton kanë ftuar Serbinë e Kosovën të arrijnë marrëveshje dhe në bisedime me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi kanë vlerësuar se se “koha është për këtë” nuk do të thotë se marrëveshja është afër, ka vlerësuar për Zërin e Amerikës Daniel Serwer, profesor i Universitetit John Hopkins në Washington.

“Nuk është keq që thërrasin për arritjen e marrëveshjes, por nuk shoh se ky moment është diçka i veçantë dhe mendoj se thirrja për të arritur zgjidhje të shpejtë mund të jetë kundërproduktive… Vetëm pse thonë se ‘marrëveshja duhet të arrihet sa më parë’, nuk do të thotë se kjo edhe do të ndodhë. Dhe nuk më duket e bindshme. Shpresoj se prapa këtyre fjalëve ka edhe ndonjë esencë… Të dy palët duhet të ulen dhe t’i zgjidhin çështjet e hapura, por nuk po shoh kurrëfarë treguesish se kjo po ndodhë”.

Profesori në John Hopkins mendon se edhe ideja e Thaçit për “definim të kufijve” është ide më e mirë se ideja e “korrigjimit” apo ndarja etnike. Ai propozon edhe demarkacionin e kufirit.

“Dihet ku është kufiri i Kosovës. Çështje kyçe nuk do të jetë përcaktimi i tij, po demarkacioni i tij. Sigurisht, kur është fjala për demarkacionin gjithmonë duhet llogaritur në korrigjime të vogla, sepse nuk mund të kalojë kufiri nëpër dhomën e ditës së dikujt. Të themi, Maqedonia e Kosova e kanë bërë këtë dhe ka qenë e suksesshme dhe të dy vendet i kanë përmirësuar marrëdhëniet”.

Serwer përfundon se Kosova e Serbia nuk janë afër marrëveshjes, ndër tjera edhe për shkak të doganës të cilën Kosova e ka vënë në mallin serb dhe arrestimit të të dyshuarve për përzierje në vrasjen e Oliver Ivanovicit. Ai thekson se për bisedime të mëtejme është kyç vullneti politik i Aleksandar Vuçiqit e Hashim Thaçit, ndërsa bisedimet nuk duhet detyrimisht të mbahen në Bruksel.

“Nëse politikanët kanë vullnet politik, ka shumë vende në të cilat mund të takohen. Në Bruksel, po edhe pa medie, dhe në Washington ka disa ‘starbucks’ në të cilët mund të ulen e të bisedojnë dhe të merren vesh. Mendoj se të dy kryetarët kanë arsye shumë të mira për marrëveshje. Serbinë kjo situatë e dëmton kur është fjala për anëtarësim në BE, e po ashtu e pengon edhe Kosovën në rrugën drejt BE-së. Mendoj se presioni mbi të dy liderët duhet të jetë i madh, por nëse kanë vullnet politik të takohen – për mua kjo nuk është problem. Ja, mund të takohen edhe në zyrën time nëse duan”, përfundon Serwer.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat