Kryeprokurori sqaron se çfarë do të ndodhë me pronarin që vrau hajnin në Veternik

Aktuale

Kryeprokurori sqaron se çfarë do të ndodhë me pronarin që vrau hajnin në Veternik

Më: 30 nëntor 2018 Në ora: 11:01
Ridvan Beqiri

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, ka sqaruar se çfarë do të ndodhë me pronarin e shtëpisë në lagjen “Veternik” në Prishtinë, i cili vrau një person që po tentonte të vidhte në shtëpinë e tij.

Për këtë rast, kryeprokurori ka thënë se do t’i lënë provat ta orientojnë hetimin.

“Do të vazhdojë procedura hetimore. Do të merren parasysh të gjitha rrethanat, provat. Ne jemi duke punuar. Personi nuk është ndaluar, është në shtëpi dhe ne konsiderojmë që ka elemente për siguri, të vëtmbrojtjes. Këtë element e njeh kodi ynë penal. Nuk është aplikuar shumë në Kosovë, por tash si duket është mundësia. Nuk guxojmë të flasim kaq herët, sepse tash do të na orientojnë provat”, ka thënë Beka.

Beka tha se pronari i shtëpisë i cili e kreu vrasjen, nuk duhet të ndjehet qysh tash i pafajshëm.

“Fajsinë apo pafajsinë e tij vetëm gjykata do ta vendosë. Ai nuk lirohet nga përgjegjësia e vrasjes, por pafajësinë duhet ta dëshmojë vetë ai në gjykatë. Faktin se ai nuk është ndaluar nuk duhet të keqkuptojmë, edhe ai është nën hetime”, ka thënë Beka.

Pronari i shtëpisë në Veternik i cili e vrau hajnin është në liri për shkak se prokurori kishte konstatuar fillimisht që veprimin e ka bërë për t’u vetëmbrojtur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat