"Kryeministri i pafuqishëm në Polici dhe AKI"

Aktuale

"Kryeministri i pafuqishëm në Polici dhe AKI"

Nga: A.M Më: 30 nëntor 2018 Në ora: 15:16
Ramush Haradinaj

Sot në Komisioni Hetimor Parlamentar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka raportuar lidhur me rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova më 29 mars të këtij viti.

Në këtë komision është dashur që të paraqitet edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, por ai gjendet në një vizitë zyrtare në Shtete e Bashkuara të Amerikës.

Ndërsa, Haradinaj ka deklaruar se informatën për deportimin e shtetaseve turq e ka marrë “diku mes orës 11 dhe 12” nga një diplomat i huaj, duke mos ja cekur emrin.

Lidhur me këtë çështje, analisti politik, Nexhat Haziri, pohon se gjatë këtij raportimi doli se ky aksion është zhvilluar drejtpërdrejt nga presidenti Thaçi.

Image
Nexhat Haziri

“Kjo lexohet se kryeministri nuk ka autoritet në disa fusha, sidomos në segmentete e sigurisë, siç është policia dhe AKI, dhe pafuqinë e tij si kryeministër i vendit. Përtej kësaj ajo që sot u dëgjua ne komisionin hetimor parlamentar për çështjen e dëbimit apo më mirë të themi të kidnapimit të 6 turqve gjatë raportimit të kryeministrit Haradinaj, doli ky aksion është zhvilluar drejtë-përse drejti nga Presidenti Thaçi për të përmbushur një kërkesë të mikut apo siç ka dëshira ta quan vëllait të tij, presidentit turk Erdogan, pa përfillur asnjë procedurë ligjore”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Për më tepër, ai ka shtuar se kjo do të duhet të përbëj shqetësim për të gjithë institucionet e vendit dhe për gjithë shoqërinë.

“Dhe po ashtu tani kur çdo gjë është në pah, do të duhej të përbëj shqetësim për gjithë institucionet e vendit dhe për gjithë shoqërinë që institucionet e sigurisë siç është AKI dhe Policia ndodhën të kapura nga një individ, siç është presidenti Thaçi, i cili po rrëshqet drejtë një diktatorit të tipit Erdoganit të Turqisë apo edhe ati të Bjellorusisë Llukashenko, e që përbën rrezik për rendin kushtetues dhe të sigurisë, sintoma këto që vendin mund ta shpijnë në një diktaturë”, ka përfunduar Haziri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat