Thaçi shpërfilli 6 thirrje të Komisionit Hetimor për shpenzimet e tij

Aktuale

Thaçi shpërfilli 6 thirrje të Komisionit Hetimor për shpenzimet e tij

Më: 30 nëntor 2018 Në ora: 21:01
Thaçi

6 muaj punuan e hetuan rreth të bëmave të Hashim Thaçit, derisa ishte Ministër i Jashtëm dhe tash në krye të presidencës, e parave që harxhoi në emër të lobimit, por asnjë ditë të vetme Thaçi nuk iu përgjigj thirrjes së ligjvënësve.

Komisioni i cili hetoi të gjithë ato dokumentacione që iu ofruan nga presidenca dhe Ministria e Punëve të Jashtme për periudhën 2010-2018, deklaron se shumë prej kontratave nuk iu ofruan. Madje, komisioni nuk i pa as raportet e punës.

E, në 6 prej këtyre vjetëve, raportet kishin të bënin me harxhimet e Hashim Thaçit, fillimisht si Ministër i Jashtëm, e më vonë si president.

Por, edhe pse deputetët janë mbikëqyrës të punës së tij, Thaçi i ka injoruar në vazhdimësi.

Pavarësisht injorimit, deputetët që bënë hetimin parlamentar thonë se kanë gjetje të mjaftueshme për keqpërdorimin e parasë publike. Duke mos dashur të lëshohen në deklarata, kanë paralajmëruar publikimin e raportit pas një jave.

Madje, kanë ftuar Prokurorinë për hetim të mëtejmë.

Komisioni kishte deklaruar se Ministria e Punëve të Jashtme nuk ia ka ofruar komisionit as raportet e punës e as dhjetëra kontrata.

Alston &Bird LLP, Patton Bogs e Cambridge Academy of Global Afairs, janë tri nga kompanitë me të cilat MPJ-ja ka pasur kontrata.

Kontrata me Alston&Bird kishte vlerë prej 780 mijë dollarësh, e nënshkruar për periudhën 12 mujore, nga 1 marsi 2017 deri më 28 shkurt 2018.

Kjo kompani do të duhej që Komisionit Hetimor t’ia dërgonte raportet për të 12 muajt, por ia ka dërguar vetëm për 8 prej tyre, derisa për katër muaj të tjerë nuk ka dhënë llogari.

Nga Alston&Bird, komisioni nuk i ka marrë raportet për muajt nëntor e dhjetor 2017, si dhe janar e shkurt 2018.

Pikërisht për këtë periudhë, komisioni ka dyshime se mjetet u ndanë për librin autobiografik të Hashim Thaçit.

Patton Bogs, që me MPJ-në kishte kontratë mbi 1 milion e 300 mijë euro për periudhën 1 mars 2014 deri më 28 shkurt 2017, komisionit ia ka dërguar raportet vetëm për 7 muajt e 2015, ndërkohë që mungonin 10 raporte për 2014, 5 të 2015, komplet raportet e 12 muajve për 2016 si dhe dy të 2017.

Mungesë të raporteve, komisioni pati edhe nga kompania Cambdridge Academy, me të cilën kishte kontratë në vlerë prej 40 mijë eurosh për 4 muaj, nga shtatori deri në dhjetor të 2017.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat