Vizita e Hahn në Kosovë: Qeveria thotë se nuk tërhiqet nga vënia e taksës 100% ndaj Serbisë - Bota Sot
Vizita e Hahn në Kosovë: Qeveria thotë se nuk tërhiqet nga vënia e taksës 100% ndaj Serbisë

Aktuale

Vizita e Hahn në Kosovë: Qeveria thotë se nuk tërhiqet nga vënia e taksës 100% ndaj Serbisë

Më: 3 dhjetor 2018 Në ora: 08:10
Johannes Hahn dhe Ramush Haradinaj

Johannes Hahn, komisionari i BE-së, gjatë ditës së sotme (më 3 dhjetor), do ta vizitojë Prishtinën, ku do të zhvillojë takime të ndara me krerët shtetërorë. Vizita e Hahn, vije pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Por, nga Qeveria, thonë se vizitën e Hahn nuk e shohin si tendencë për t’i bindur rreth heqjes së taksës ndaj Serbisë. Thonë se do të diskutojnë me komisionerin e BE’së rreth çështjeve që e kanë sjellë Qeverinë që ta marrë këtë veprim e jo për heqjen e taksës.

Qeveria e Kosovës ka dy javë që ka vendosur që të sanksionojë Serbinë ekonomikisht si kundërpërgjigje ndaj qasjes së saj politike agresive ndaj Kosovës. Secili produkt serb që hyn në Kosovë do të taksohet me 100 për qind. Njëjtë edhe produktet e Bosnjës, vetëm se këtu nuk përfshihen produktet e brendeve ndërkombëtare që prodhohen në Serbi e në Bosnjë.

Ky veprim i qeverisë Haradinaj, ka ngritur reagime të mëdha të shtetit serb por edhe të zyrtarëve të tjerë të huaj.

Për këtë punë, sot në Kosovë do të qëndrojë Komisari evropian për dialog dhe zgjerim, Johannes Hahn, i cili do të flasë me krerët shtetërorë rreth vendimit për vendosjen e taksës ndaj Serbisë.

Hahn pritet që së pari të takohet me presidentin e vendit, Hashim Thaçi me fillim nga 13:15. Pas përfundimit të këtij takimi, Hahn do ta takohet me kryeparlamentarin, Kadri Veseli në ora 14:00.

Përmes njoftimit për media po ashtu bëhet e ditur se takimi i Hahn me kryeministrin Ramush Haradinaj, nis në ora 14:50.

Por, pavarësisht vizitës së komisionerit të lartë të BE’së, Qeveria e Kosovës, është e vendosur se taksa ndaj Serbisë do të vazhdojë. 

Shefi i delegacionit të Kosovës në dialogun teknik me Serbinë dhe këshilltari i kryeministrit Haradinaj, Avni Arifi, ka deklaruar se Qeveria nuk e sheh si tendencë vizitën e Hahn për t’i bindur ata për heqjen e taksës ndaj Serbisë. Arifi thotë se me, komisionerin e BE-së, do të flasin rreth çështjeve që e kanë sjellë Kosovën që ta marrë vendimin për taksën.

“Nuk e shoh këtë vizite si tendencë me na bindë. E shoh si bashkëbisedim ku ne  do të flasim për çështjet që kanë sjell këtë situatë”, ka deklaruar Arifi të hënën.

E, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim më 21 nëntor që të rrisë në 100 për qind taksën doganore për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja. Rritja e kësaj takse, pason vendimin paraprak të Qeverisë për vendosjen e një takse prej 10 për qind për prodhimet nga këtij dy shtete.

Reagime lidhur më vendimin e Qeverisë se Kosovës për rritjen e taksës për prodhimet serbe, ka pasur edhe nga Bashkimi Evropian, duke kërkuar që kjo taksë të hiqet menjëherë pasi përbën shkelje të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, e njohur si CEFTA.

Por, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se masa ndaj importit të mallrave serbe nuk duhet të hiqet derisa Serbia ta njoh pavarësinë e Kosovës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...