Haradinaj: Roli i KFOR-it vazhdon të jetë i nevojshëm

Aktuale

Haradinaj: Roli i KFOR-it vazhdon të jetë i nevojshëm

Më: 3 dhjetor 2018 Në ora: 10:48
Ramush Haradinaj ka pritur sot në një takim komandantin e ri të KFOR-it, Lorenzo D’Addario.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në një takim komandantin e ri të KFOR-it, Lorenzo D’Addario.

Haradinaj, duke uruar komandantin e ri të KFOR-it, e siguroi se do ta ketë gjithë angazhimin e Qeverisë së Kosovës për të punuar së bashku, duke e bërë Kosovën dhe rajonin një mjedis të qetë dhe të sigurt.

"Ne jemi të hapur që partneritetin tonë ta avancojmë dhe këtë e kemi dëshmuar në të kaluarën dhe do të vazhdojmë angazhimin korrekt si Qeveri për marrëdhënie të mira dhe të qëndrueshme me KFOR-in", ka thënë Kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj dhe gjenerali D’Addario kanë bashkëbiseduar për situatën e përgjithshme në vend dhe proceset nëpër të cilat po kalon vendi.

Haradinaj, e ka vlerësuar lart rolin e ushtarëve të KFOR-it, për angazhimin e tyre në  Kosovë, ndër vite duke i falënderuar ata për kontributin e tyre në krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë.

Nga ana e tij, komandanti i ri i KFOR-it Lorenzo D’Addario, ka thënë se do të japë kontributin e tij në sigurimin e paqes në vend.

"Jemi këtu që të kontribuojmë për sigurinë e qëndrueshme. Jam mirënjohës për gatishmërinë që keni treguar si Kryeministër i vendit dhe jam i hapur për bashkëpunim, për qëllimin e përbashkët, sigurinë dhe paqen në vend", ka thënë D'Addario.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat