Haradinaj: Tema e liberalizimit të vizave nuk është hequr nga tavolina

Aktuale

Haradinaj: Tema e liberalizimit të vizave nuk është hequr nga tavolina

Më: 4 dhjetor 2018 Në ora: 15:28
Ramush Haradinaj

Partia Social Demokrate ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës, rezolutën ku parasheh që delegacioni shtetëror të udhëhiqet nga dy përfaqësues të opozitës edhe të koalicionit qeverisës.

Por një gjë e tillë është  kundërshtuar nga LDK dhe VV. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se është e pakuptueshme  një veprim i këtyre dy partive opozitare.

Haradinaj megjithatë përshëndet vendimin e PSD-së për të hyrë në ekip të dialogut.

Haradinaj: Nuk e kuptoj pse LDK dhe VV po kundërshtojnë rezolutën e PSD-së

“ Nuk e kuptoj pse LDK dhe VV  janë kundër mandatimit  nga parlamenti të një delegacioni. Ata një kohë thonin  jemi kundër  Thaçit, ose kundër këtij ose.. po tani pse janë kundër një delegacioni që parlamenti e autorizon, kjo është pak e habitshme, pra nuk e kuptoj këtë rend të punëve.  Unë e përshëndes këtë vendim  të përgjegjshëm  të Partisë Social Demokrate  të kryetarit të saj Shpend Ahmetit  për të marrë përgjegjësi për një procres  kaq me rëndësi për Kosovën”, tha Haradinaj sot pas mbledhjes së Qeverisë.

Sa i përket temës së liberalizimit të vizave Haradinaj  tha se nuk e sheh si temë të hequr nga tavolina, vetëm se do të pritet derisa të merret vendimi.

Haradinaj:  Nuk e shoh si temë të hequr nga tavolina, atë të liberalizimit të vizave

“Një deklaratë e sotme, ndryshe thënë unë kam shumë respekt për komisionerin Hahn, edhe me siguri ai e din çka flet. Ai e ka kryer misionin  e vet  në BE, ai e ka zor me vendos  çfarë do të ndodh në etapat tjera  ose dikush tjetër, pra unë nuk e shoh si temë të hjekur  nga tavolina, por si temë që ekziston në tavolinë, pra Kosova është në vendimin final  por duhet me u marr vendimi  këtë ne e kemi mungesë . Ne i kemi dy të tretat e vendimeve në BE, qind për qind të obligimeve tona në BE, por edhe  2/3 e vendimeve, edhe një ka mbet, për këtë nuk është vendos negativ, nuk u qit në tavolinë me thon jo nuk u japim, por nuk u merr vendimi, ky është dallimi”, tha Haradinaj.

I pyetur se një deklaratë e tillë a ka ardhur pas vendimit për rritjen e taksës 100 për qind, ai  tha se nuk mund të ndodh një gjë e tillë.

Kryeministri tha se  vendimi për taksën, po ka tendencë që të hiqet, duke përmendur kështu edhe disa deklarata të opozitarëve.

Haradinaj: Ka tendencë që vendimi për taksën të mos zë vend, e hetojmë edhe deklarime të opozitës

 “Nga momenti i marrjes së  vendimit të taksës  100 për qind ne po i shohim  ka një dëshirë që  ky vendim mos me zënë vend. Mos me u bë ky vendim , në fuqinë e vet, edhe është e habitshme mos me lënë Kosovën me u konsoliduar lëre  Kosovën të kryer punën e veta, vendimi për taksat është legjitim  100 për qind, nuk ndryshon. Është vështirë me i dhanë çdo herë emër dhe mbiemër gjendjes, por ne hetojmë disa deklarime  të partive opozitare  në raste të caktuara, i kemi dëgjuar edhe deklarimet e LDK-së për taksën nuk janë fort të qartë , në atë se çfarë po vlerësojnë. Kemi dëgjuar edhe prej grupeve tjera politike, ky vendim nuk është vendim i Qeverisë  është i Kosovës, është i tyre”, tha kryeministri Haradinaj.

Kabineti qeveritar ka marr vendim që bashkëshortes së ish presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova t’ i ndahet rrogë një mijë euro në muaj, veturë dhe shofer.

Në këtë mbledhje është aprovuar  edhe  draftkoncept dokumenti për trajtimin dhe kategorizimin e personave me aftësi të kufizuara.

 Në këtë mbledhje zëvendësministri i Arsimit  Arbër Geci ka kërkuar dorëheqjen e shqyrtimit të Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Stitching Spark të Holandës mbi mbështetjen e Kolegjit, Ndërkombëtar të Biznesit Mitrovica.

Sipas tij kjo ka qenë një marrëveshje me IBCM-në  e cila më vonë është konstatuar  se ka epitet lokal, duke shtuar se MASHT-i nuk mund ta nënshkruajë  këtë marrëveshje.

Në mbledhjen e sotme kabineti qeveritar ka ndarë 143 mijë euro për Federatën e Xhudos së Kosovës. 

Haradinaj: Nuk e kam dëgjuar nëse presidenti Hashim Thaçi është deklaruar kundër taksës 100%

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ne konferencë për medie pas mbledhjes se qeverisë tha se nuk ka hasur që presidenti Hashim Thaçi të jetë shprehur kundër taksës se vendosur 100% për produktet serbe dhe boshnjake.

“Me aq sa jam në dijeni nuk ka dalur presidenti kundër kësaj takse. Nuk ka pasur ndonjë deklarim të tillë nga ana e tij”, tha Haradinaj.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës e ka rritur në 100 % taksën doganore ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës.

Këtë vendim e ka marrë qeveria në mbledhjen e mbajtur më 21 nëntor 2018-të.

Qeveria e Kosovës ka ndryshoi vendimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) e cila me 6 nëntor vendosi masë mbrojtëse 10% për produktet e importuara me origjinë nga Serbia e Bosnja e Hercegovina.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat