Veseli: Opozita të marrë përgjegjësitë për vendin

Aktuale

Veseli: Opozita të marrë përgjegjësitë për vendin

Më: 4 dhjetor 2018 Në ora: 17:14
Kryesia mblidhet përsëri

(E plotësuar) -Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka bërë serish thirrje për arritjen e konsensusit për dialogun, duke tërhequr vërejtjen se Serbia është duke përfituar nga mungesa e qasjes së duhur në këtë proces.

Ai këto komente i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, duke iu përgjigjur pyetjes së mediave nëse do të jetë pro që në krye të delegacionit të jetë Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj.

Image

Veseli: E gjithë opozita duhet t’i bashkëngjitet përgjegjësisë për vendin

“Unë ka muaj që thërras për konsensus. Jo vetëm opozita, por edhe një pjesë, duhet e gjithë opozita t’i bashkëngjitet përgjegjësisë së vet për vendin. Për vetë faktin se Serbia është duke kërkuar favor. Serbia dhe Vuçiqi janë duke përfituar nga kjo qasje e Kosovës. Është hera e parë që Kosova nuk i thotë po dialogut. Çdo herë Serbia i ka thënë jo dialogut, çdo herë ka humb”, ka thënë ai.

Ai ka bërë thirrje të ketë debat parlamentar për dialogun, që në këtë mënyrë të ketë një qëndrim të qartë.

Sipas tij, në momentin që do të arrihet konsensusi ndërmjet partive politike, do të votohet edhe delegacioni që do të merr pjesë në dialogun me Serbinë. 

Veseli tregon se kur do të mbahet seanca e jashtëzakonshme

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka njoftuar se sonte do të mbahet seancë e jashtëzakonshme në ora 20:00.

Veseli ka njoftuar se seanca mbahet me kërkesë të opozitës dhe kjo është vendosur pas kërkesës së re që ka dërguar në kryesi nga opozita.

Në seancën e jashtëzakonshme do të diskutohet për dështimin e Kosovës për të marrë liberalizimin e vizave

Mblidhet sërish Kryesia e Kuvendit

Për të tretën herë gjatë mbrëmjes së sotme është mbledhur Kryesia e Kuvendit të Kosovës.

Deri sa pritej të fillojë seanca e Kuvendit të Kosovës, në sallë ndodheshin vetëm 51 deputetë, pasi opozita pas nënshkrimit, lëshoi sallën, dhe për këtë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se nuk janë kushtet që të mbahet seanca.

“Nuk ka kushte momentalisht për mbajtën e seancës,  janë vetëm 51 deputetë, do ta vazhdojmë këtë seancë në një moment. Për sonte e mbyllim, për t’ju thirrur në një moment të caktuar. Kryetarët e grupeve parlamentare dhe Kryesia, menjëherë takim”, ka thënë Veseli.

Ndryshe, ka dështuar edhe seanca e jashtëzakonshme e thirrur  nga opozita për dështimin e liberalizimit të vizave

Veseli: Manipulimet me nënshkrime të pa autorizuara dëmtojnë demokracinë e Kosovës

Ende pa filluar seanca e jashtëzakonshme, e cila planifikohej të mbahej në orën 16:00, në nënshkrimet për një seancë të tillë, u vërejtën manipulime të tilla, duke thirrur mbledhjen e dytë të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se kishte kërkuar sqarim nga deputetë të opozitës, por që të njëjtit nuk kishin reaguar.

Veseli: Kuvendi i Kosovës ka marrë dy shkresa

“Kam kërkuar nga kolegët e opozitës, të cilët e kishin iniciuar seancën e jashtëzakonshme të përgjigjen në shqetësimet që i patën kolegët e pozitës, nuk patë reagim, ndërkohë kur morëm vendimmarrjen në bazë të procedurave që të shkojë në seancë të jashtëzakonshme, ne kemi marrë pastaj dy shkresa. Një shkresë ka qenë tepër flagrante, sepse dy deputet kanë treguar që nuk kanë tërhequr nënshkrimin, por kanë treguar se fare nuk kanë qenë të njoftuar me temën e kësaj seance të jashtëzakonshme”, ka thënë Veseli.

Ai tha se një gjë e tillë e dëmton edhe demokracinë në Kosovë. Duke kërkuar nga opozita që të riinicojnë  një gjë të tillë prapë.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së,  Memli Krasniqi ka treguar se me Ahmet Isufin kishin bërë pyetje për sqarim, por siç tha ai, Avdullah Hoti kishte heshtur.

Tutje ai ka thënë se është një rast i paprecedent, duke shtuar se Kryesia e Kuvendit të Kosovës për herë të parë po ballafaqohet me një manipulim të tillë. Ai po ashtu ka thënë se kanë kërkuar që opozita të mbledh edhe një herë të nënshkrimet.

Krasniqi: Nëse nuk kanë nënshkrime, do të ju ndihmojnë ne

“Nëse nuk kanë nënshkrime, sepse nuk kanë se ka prej tyre që janë jashtë vendit, atëherë ju ndihmojmë me nënshkrime, që të mbahet kjo seancë, por insistimi për ta mbajtur këtë seancë, ne nuk do të bëhemi gjykatës, a ka shkelje apo jo, por realisht do të jetë shkelje e  kushtetutës sepse kjo procedurë tash më është e kontestueshme”, tha ai.

Shefi i  Grupit Parlamentar të Nismës Social Demokrate,  Bilall Sherifi  tha se një gjë e tillë, ka vendin për Gjykatë Kushtetuese.

Sherifi: Nuk po duan të pranojnë që kanë përdorur nënshkrime të pa autorizuara

“Ata nuk po duan të pranojnë që kanë përdorur  dy nënshkrime në mënyrë të pa autorizuar, prandaj nuk po bëjnë një kërkesë të re, ne ju thojmë bëjeni një kërkesë të re, le të shkojmë në Gjykatë Kushtetuese për kërkesën e parë”, shtoi ai.

Ndërsa, Ahmet Isufi nga AAK, tha se dyshon që është përdorur një listë e vjetër.

Isufii: Dyshoj që janë përdorur lista të vjetra

“Ne kemi çështje procedurale të cilat e dëmtojnë imazhin e Kuvendin e Kosovës. Dy nga deputetët janë deklaruar me shkrim  në administratën e Kuvendin e Kosovës, e cila u soll në kryesi që nuk kanë nënshkruar për një temë të tillë, e ne po dyshojmë që pikërisht është një përdorur një listë e vjetër  me një temë të re, gjë që e konteston pastaj edhe 42 nënshkrimet e të gjithë deputetëve, sepse ka deputet që janë edhe jashtë vendit, para se të procedohet në Kuvend  kërkesa  për një temë të tillë, është një manipulim”, tha ai.

Kurse Avdulla Hoti ka justifikuar një gjë të tillë, duke thënë se gabime të tilla  mund të ndodhin, duke u shprehur i bindur se do të mbledhin edhe më shumë nënshkrime.

Hoti: Gabime të tilla mund të ndodhin

“Është e jona që të debatojmë në Kuvend të mbajmë përgjegjës këtë koalicion qeverisës për dështimet e njëpasnjëshme që kanë ndodhë. Gabime teknike gjithmonë mundë të ndodhin, këto gjëra janë sqaruar me deputetët e Alternativës, mendoj që nuk ka pas fare nevojë që të komplikohet  kështu çështja nga ana e kryetarit të Kuvendit. Nënshkrime autentike të gjithë deputetëve që janë dorëzuar, po ju them nënshkrime autentike të deputetëve nënshkrues të kësaj kërkese. Tash do t’i kenë prapë  nënshkrimet edhe një herë, do t’i kenë më shume se 40 nënshkrime tash të reja për seancë të jashtëzakonshme. Do të ketë edhe më shumë nënshkrime, deputetët që janë në Kuvend, do ta dorëzojmë kërkesën shpejt dhe do të shkojmë ne seancë”, ka shtuar Hoti.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, u shpreh se nuk pse të diskutojnë për çështjet që janë të garantuara me Kushtetutë.

Konjufca: Nuk mund të manipuloni

“Nuk mund të manipuloni dhe të hidhni në votim vendime se a ka të drejtë të ndodhë kjo apo jo, është sikur t’i hedhesh në votim të drejtat e njeriut. Dmth. a ka të drejtë me pas njeriu të drejta apo jo. Janë disa çështje të cilat janë të garantuara me Kushtetutë, për të cilat s’kemi nevojë të bisedojmë. Nuk kam kurrfarë informacioni shtesë përveç asaj që ka dalë  sot në portale”, tha ai.

Veseli: Opozita ka përdorur nënshkrimet e deputetëve të dhënë një muaj më parë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli ka anuluar seancës e jashtëzakonshme të thirrur nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë, Veseli tha se nënshkrimet e dy deputetëve të dhënë një muaj më parë, janë përdorur tani nga opozita për të thirrur këtë seancë.

“Pas vendimmarrjes për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme u ngrit shqetësim nga kolegët. Kemi marrë dy shkresa, një nga shkresat ka qenë flagrante për shkak se dy deputetë kanë thënë se nuk kanë qenë të njoftuar për seancën e thirrur.

Kemi një situatat se para një muaji kur kanë qenë pjesë e grupit parlamentar të LDK-së të njëjtit deputetë kanë deponuar nënshkrimet e tyre dhe tani janë përdorur ato nënshkrime për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme. Kryetari i Kuvendit mund të bëj tolerime por jo të bëhet precedent i shkeljes që rrezikon institucionin më të lartë të vendit.

Kam kërkuar nga kolegët e opozitës ta riinicojnë seancën e jashtëzakonshme duke mbledhur nënshkrimet e nevojshme. Nuk është mirë të abuzohet me tolerancën e një kryetari të Kuvendit i cili është mjaft tolernat. Kjo ka ndodhur aktualisht, kuvendi do të ju jap nënshkrimet që janë deponuar dhe në bazë të së cilës kam marrë vendimmarrjen e parë dhe pas sqarimit të situatës kam marrë edhe vendimin e dytë e cila është legjitime”, ka thënë ai./

Opozita lëshon mbledhjen e Kryesisë

Pak minuta pasi ka filluar mbledhja e Kryesisë opozita ka lëshuar këtë mbledhje.

LDK dhe VV, kanë braktisur mbledhjen.

Mbledhjen e kryesisë e ka thirrur kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pasi që në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita janë gjetur  edhe emrat e dy deputete të LDK-së që gjenden në Amerikë.

Ato janë Vjosa Osmani dhe Doruntina Maloku.

Veseli ka thirrur mbledhjen e kryesisë për të sqaruar këtë çështje dhe për të parë nëse ajo do të vazhdohet sonte ose jo

Ende pa filluar seanca, Kryesia mblidhet përsëri

Ende pa filluar seanca e jashtëzakonshme e cila ishte caktuar orën 16 nga Kryesia e Kuvendit, kryetari Kadri Veseli tha se duhet të mbahet edhe një mbledhje tjetër e Kryesisë.

Sipas tij, në mbledhjen e mbajtur para një ore ka kërkuar sqarim për këtë seancë të thirrur, por që nuk e ka pasur një sqarim ashtu siç duhet.

“Vetëm Lëvizja Vetëvendosje nuk ka qenë  fare në Kryesi, kisha kërkuar  nga kryesia dhe grupet parlamentare, që të mbahet edhe një mbledhje. Ju kisha lut deputetët të qëndrojnë. Në mënyrën më legjitime ka mundur edhe të dështoj në këtë rast”, ka thënë Veseli pa filluar seanca.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat