Opozita kërkon shpërbërjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve

Aktuale

Opozita kërkon shpërbërjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve

Më: 4 dhjetor 2018 Në ora: 20:36
Avdullah Hoti

(E plotësuar) - Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të miratojë një rezolutë, ku kërkohet shpërbërja e Kuvendit, dorëheqja e Qeverisë, po që paraprakisht të miratohet pakoja ligjore për formimin e ushtrisë.

Hoti këtë kërkesë e bëri sonte gjatë mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, e cila është thirrur me kërkesë të opozitës.

Hoti ka thënë se fajin për mos liberalizimin e vizave, e ka pikërisht kjo qeverisje njëvjeçare, pasi kjo qeverisje është një manual se si të zhbëhet shteti brenda një viti.

Hoti: Fajin për mos liberalizimin e vizave e ka kjo qeverisje

“Këta persona dështimin e liberalizimit të vizave  dhe anëtarësimin në Interpol,  po e plasojnë para qytetarëve si dështim të Evropës  me rastin e liberalizimit të vizave  dhe të sigurisë globale, në rastin e Interpol-it. Ndërkaq vet kanë dështuar totalisht të përmbushin agjendën e reformave evropiane dhe zbatimit të MSA-së, pavarësisht se opozita jo që ka hedhur gaz e ka përdorur dhunë, por i ka mbështetur të gjitha ligjet dhe reformat  për integrim evropian pa  asnjë kusht dhe pengesë. Këta zhgënjyen Brukselin dhe qytetarët tanë”, ka shtuar deputeti Hoti.

Tutje ai ka thënë se demokracia shkelet nëse komunat e qeverisura nga AAK, përfitojnë tre herë më shumë se komunat tjera. Sipas tij, kulmi i dështimeve, është mos anëtarësimi në Interpol dhe mos liberalizimi i vizave.

“Nga një analizë e thjeshtë e qeverisjes njëvjeçare të koalicionit PAN, mund të nxirret një manual se si të zhbëhet shteti brenda një viti. Shteti, rendi kushtetues, dhe ligji cenohen nëse kryeministri urdhëron ministrat të marrin vendime jo ligjore, siç është rasti me shkarkimin e bordit të Agjencisë së Akreditimit. Ose nëse qeveria merr vendime jo kushtetuese, siç është rasti me pronat e AKP-së në komunat serbe, ose me rritjen e pagës së vet. Paraja publike keqpërdoret nëse emërohen 80 zëvendës ministra e plotë koordinat nacional  për të njëjtat detyra”, ka thënë Avdullahu.

Hoti ka kërkuar nga deputetët që në fund të debatit të miratohet një rezolutë, e cila përmban tre pika.

Hoti: Qeveria e Kosovës të dorëhiqet

“Prandaj në fund të këtij debate, ne ftojmë deputetët që të miratojmë së bashku një rezolutë që ka tre pika:

Që forcat politike parlamentare të ulën në tryezën e bisedimeve për t’u dakorduar për agjendën për krijimin e institucioneve të reja përmes zgjedhjeve të reja dhe demokratike.

E dyta, pas këtij dakordimi, Qeveria e Kosovës të dorëhiqet dhe Kuvendi të shpërbehet, për t’i hap rrugë formimit të institucioneve të reja.

Dhe e tretë, që forcat politike të dakordohen që gjatë kësaj periudhe, të mos dëmtohen proceset e rëndësisë nacionale,  duke u siguruar që të adresohen çështjet më urgjente para se të shpërbëhet Kuvendi, para se gjithash, votimi i pakos së ligjeve për ushtrinë”, tha Hoti

Hoti: Koalicioni qeverisës fajtor për të gjitha dështimet e Kosovës, duhet të dorëhiqet

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, parti kjo iniciues e seancës, ka thënë disa kritika për koalicionin qeverisës.

Hoti ka akuzuar kryeministrin me partnerët e koalicionit se janë fajtor për të gjitha dështimet që Kosova po i pëson.

Më poshtë pjesë nga fjalimi i Hotit:

Kryeministri me partnerin e koalicionit që dikur pengonin me dhunë intrigat, sot po fajësojnë BE-në për dështimin me viza.

Ata dështimin me viza dhe Interpol po e bëjnë si dështim të ndërkombëtarëve, derisa vet kanë dështuar në MSA.

Këta zhgënjyen Brukselin dhe qytetarët tanë, prandaj fajin për viza e ka viti i mbrapshtë i kësaj qeverisje.

Kosova po humb miq në perëndim, e po kërkoni miq të rinj në lindje.

Të gjitha zhvillimet, jo vetëm ato në veri, po shkojnë në drejtim të Serbisë.

Nuk po na njohin shtetet e reja, ato që na kanë njohur kanë filluar të tërheqin njohjet.

Në vend që të korrigjoni gabimet e juaja, ju po shikoni ti korrigjoni kufijtë e Kosovës.

Kjo situatë nuk mund të vazhdoj tutje, qytetarët kanë nevojë për normalitet dhe perspektivë të qartë.

Presim që koalicioni i punëve të mëdha të hap rrugë për formimin e institucioneve të reja.

Në fund të debatit ne ftojmë deputetët të miratojmë së bashku një rezolutë që ka tri pika.

Që forcat politike parlamentare të ulen e të dakordojnë agjendën për institucione të reja.

Pas këtij dakorimi qeveria të dorëhiqet dhe kuvendi të shpërbëhet.

Që forcat politike të pajtohen që mos të pengohen këto procese. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat