Konjufca: Zyrtarëve të BE-së nuk u thash se do të zbrazej Kosova

Aktuale

Konjufca: Zyrtarëve të BE-së nuk u thash se do të zbrazej Kosova

Më: 5 dhjetor 2018 Në ora: 00:24
Glauk Konjufca

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca në emisionin “Interaktiv” ka sqaruar për akuzat ndaj tij se gjoja ka thënë se po ndodhi liberalizimi i vizave Kosova do të zbrazet.

Në “Interaktiv” ai ka thënë se ky rast është manipulim i pushtetit dhe në takimin me 28 zyrtarët e Bashkimit Europian ai kishte përmendur aferat korruptive të “Prontos” dhe rastin “Toka”.

“Kemi qenë me një takim me 28 zyrtarë të ardhur nga BE-ja dhe fjala e parë e kryesueses së atij grupit ka qenë: ‘ju lutem mos na flisni për vizat sepse nuk jemi ekip për liberalizimin e vizave. Ne jemi këtu vetëm ta kuptojmë se cilat janë problemet kryesore të Kosovës’. Unë e kam thënë atë që e kam thënë tash e 15 vjet se kapja e drejtësisë dhe gjyqësori është prej krimit të organizuar dhe mungesa e perspektivës për zhvillim ekonomik. Këto dyja i kam thënë, për këtë kam edhe dëshmitarë. Përfaqësues të pushtetit kanë qenë të pezmatuar pasi kam përmendur rastin pronto, tokat, lëndët vjetërsohen dhe njerëzit ia hedhin drejtësisë”, ka thënë Konjufca.

I pyetur për vendimin që të thërrasin seancë të jashtëzakonshme para seancës ku do të votohej rezoluta e propozuar nga PSD-ja, Konjufca ka thënë se vendimi erdhi pasi komisionari i BE-së, Johannes Hahn tha se liberalizimi i vizave nuk do të ndodhë deri në vitin 2020.

“Vetëm një ditë më parë Hahn e tha në mënyrë të drejtpërdrejt që procesi i liberalizimit të vizave ka ngecur dhe si rrjedhojë e pranoi se nuk do të ketë viza deri në vitin 2020. Ishte zhvillim i ri dhe nuk kishim si të rrinim duarkryq duhet të adresohen përgjegjësitë për këtë që i ka ndodhur Kosovës”, ka thënë Konjufca.

“Prej vitit 2009 me Thaçin e deri tash me Haradinajn ka pasur deklarata se do të ketë liberalizim vizash. Për këtë duhet të japë dikush përgjegjësi”, ka shtuar ai.

Konjufca ka thënë se dy nënshkrimet ishte gabime teknike dhe se këto pretendime pozita i bëri që të mos mbahej seanca e jashtëzakonshme e opozitës.

“Thelbi përse u ngritën këto probleme që janë të natyrës teknike ka pasur të bëjë me interesin e shumicës që të mos mbahet seanca sepse dihet se të kujt janë përgjegjësitë për mosliberalizimin e vizave pasi për këtë përgjegjëse është qeverisja e Kosovës”, ka thënë Konjufca.

“Është problem i nivelit teknik dhe nuk pajtohem se ishin të falsifikuara. Falsifikim ishte vetëm kur ju bëni nënshkrimin e dikujt tjetër. [Deputetja Saranda Bogujevci] E ka vendosur më herët kur ka qenë në Kosovë. Saranda sot e dërgoi me skaner. Largësia eventuale kompensohet me një instrument që e ka mundësuar teknologjia. Është banalitet që të kufizohet deputeti me teknikalitete banale”, ka thënë shefi i Grupit Parlamentar të VV-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat