Deputeti gjerman: BE-ja duhet t'i liberalizojë vizat për Kosovën

Aktuale

Deputeti gjerman: BE-ja duhet t'i liberalizojë vizat për Kosovën

Më: 5 dhjetor 2018 Në ora: 15:33
Josip Juratovic

Deputeti i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë në Bundestagun gjerman, Josip Juratovic, thotë se BE-ja duhet të reagojë për taksën e vendosur nga autoritetet e Prishtinës ndaj produkteve me origjinë nga Serbia, por gjithashtu duhet të liberalizojë edhe vizat për Kosovën.

“Të bërit progres kërkon kohë. Sido që të jetë, Evropa do të reagojë. Veçanërisht Gjermania që është e shqetësuar për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor. Kjo pjesë e Ballkanit duhet sa më shpejt të lidhet me Evropën”, ka thënë Juratovic në një intervistë për "Tanjug".

Ai ka thënë se marrëveshja e CEFTA-s është shumë e rëndësishme për zhvillimin e ekonomisë dhe tregjeve në Ballkanin Perëndimor, dhe, sipas tij, taksa e vendosur nga Prishtina vështirëson gjërat.

“Ky është qëndrimi i Gjermanisë, por edhe i gjithë Evropës. Askush s’mund të thotë që është mirë që nga 10 për qind të ngrihet taksa në 100 për qind. Në këtë rast nuk penalizohet vetëm Serbia, por edhe populli i Kosovës”, ka thënë deputeti gjerman.

Ai shpreson se kjo çështje do të zgjidhet në mënyrë të kulturuar ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Juratovic ka thënë se interesi i Gjermanisë është stabilizimi i rajonit, dhe zgjidhja e problemeve ndëretnike.

“Askush në Evropë nuk duhet të jetë i interesuar për hapjen e konflikteve të reja”, ka shtuar ndër të tjera deputeti gjerman.

Sa i përket liberalizimit të vizave, Juratovic thotë se kosovarëve po u bëhet e padrejtë.

"Prishtinës po i bëhet padrejtësi për arsye se vetëm qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin pa viza drejt BE-së. Mendoj se kjo çështje do të zgjidhet pozitivisht”, ka shtuar Juratovic duke thënë se heqja e regjimit të vizave do ta bëjë Kosovën të barabartë para të tjerëve dhe do të lehtësonte negociatat.

Politikani gjerman e konsideron si gabim taktik fushatën që Serbia e ka bërë kundër anëtarësimit të Republikës së Kosovës në INTERPOL.

“Mendoj që Serbia ka bërë një gabim taktik dhe ata është dashur që të mbështesin Kosovën për anëtarësim në INTERPOL, sepse ne të gjithë jemi duke luftuar krimin dhe korrupsionin, dhe ajo është e vetmja mënyrë e bashkëpunimit ndërkombëtar”, është shprehur Juratovic.

I pyetur se çfarë do të bëjë Gjermania që Kosova ta heqë taksën prej 100 për qind, Juratovic ka thënë se Gjermania është e interesuar të ndihmojë Ballkanin, megjithatë puna kryesore mbetet tek ata të cilët e kanë vendosur taksën.

“Gjermania është e gatshme ta ndihmojë rajonin, por ata që e kanë marrë këtë vendim duhet ta bëjnë 90 për qind të punës, Berlini do të ishte i lumtur që të kontribuonte në këtë çështje vetëm 10 për qind”, ka përfunduar deputeti i Bundestagut gjerman, Josip Juratovic.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat