Haradinaj jep detajet nga biseda me Stoltenberg për ushtrinë e Kosovës

Aktuale

Haradinaj jep detajet nga biseda me Stoltenberg për ushtrinë e Kosovës

Më: 6 dhjetor 2018 Në ora: 16:44
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka treguar para ministrave të tij se çfarë ka biseduar me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, pas deklarimeve të këtij të fundit se nuk është koha e duhur për formimin e ushtrisë dhe se kjo do të ketë pasoja serioze.

Në një konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, kryeministri Haradinaj  se Kosova nuk thyen asnjë marrëveshje me NATO-n duke themeluar ushtrinë e saj, pasi vendi ynë nuk është anëtar i Aleancës Veri-Atlantike.

"Sekretari Stoltenberg më tha se: 'nëse ju e ndërroni mandatin e FSK-së, është se ne duhet të shqyrtojmë raportin me FSK-n', e nuk ka thënë as që është arsyeja se pse duhet ndoshta të shqyrtojnë raportin me FSK-në, pasi disa nga vendet anëtare nuk e kanë parë si moment të duhur shndërrimin e mandatit të FSK-s tani. Nuk e thyen Kosova asnjë marrëveshje me NATO-n. Ne nuk po e thyejmë asnjë kusht me NATO-n. Nuk jemi të anëtarësuar në NATO. Edhe me kushtin që kurrkush kurrë nuk e pranon këtë, Kosova e merr vendimin e vet", tha ai.

Ndërkohë që ende nuk dihet se kur do të vazhdojë dialogu me Serbinë, pas masës prej 100 për qind ndaj mallrave serbe, kryeministri Haradinaj shprehu besimin se Kuvendi i Kosovës së shpejti do të votojë delegacionin për bisedime në Bruksel.

"Pres që Parlamenti të autorizojë një delegacion për dialogun. Është materie e madhe, është më shumë se MSA-ja. Duhet punë voluminoze dhe çdo gjë duhet të jetë si në kontratë. Edhe unë jam në dialog, Qeveria është, sepse Qeveria e shkruan kapitullin e madh", u shpreh ai.

Kreu i ekzekutivit është kundërpërgjigjur ndaj deklarimeve të zyrtarëve të lartë serbë se Kosova ka luftëtarë në konfliktet në Siri.

"Po dëgjoj deklarimet e zyrtarëve serbë. Vulin thoshte se Kosova ka luftëtarë në luftëra të huaja. Dallimi i Serbisë me ne është kështu: ata i kanë në lista të pagesave mercenarët që kanë në Rusi dhe Siri", tha Haradinaj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat