Ish-ambasadori në Londër për çnjohjet e Kosovës: Nuk është fajtori kryesor Pacolli

Aktuale

Ish-ambasadori në Londër për çnjohjet e Kosovës: Nuk është fajtori kryesor Pacolli

Nga: A.Zh Më: 7 dhjetor 2018 Në ora: 15:01
Behgjet Pacolli

Ish-ambasadori i Kosovës në Londër dhe profesori universitar Muhamet Hamiti, ka komentuar në lidhje me raportimet e mediave serbe se Kosovës i është hequr njohja e pavarësisë nga Madagaskari.

Ai në një postim në Facebook, ka thënë se Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, duhet të ketë përgjigjen e gatshme për informatat e tilla.

Hamiti e ka quajtur alarmant procesin e çnjohjeve, duke thënë se po përcillet me gjakftohtësi të frikshme nga “përgjegjësit e papërgjegjshëm”, në radhë të parë nga Ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, përcjell Bota  sot.

Megjithatë, sipas tij, fajtori kryesor nuk është ministri Pacolli, por ata që e kanë vënë në detyrë.

Ish-ambasadori më tej ka theksuar se çnjohjet janë rezultat i bisedave për marrëveshjen gjithëpërfshirëse për Kosovën, përfshirë edhe çështjen e korrigjimit të kufirit me Serbinë.

Postimi i plotë i Hamitit:

Çnjohjet e Kosovës: Gjakftohtësia e frikshme e përgjegjësve të papërgjegjshëm

Po vazhdon procesi i çnjohjeve të Kosovës. Mediat serbe sot njoftuan për çnjohjen e Republikës së Kosovës nga Madagaskari; e dymbëdhjeta, thonë ata. (Po e zëmë se kjo nuk ka ndodhur; s’duam t’u besojmë as Qeverisë as mediave serbe. Mirëpo të tjera kanë ndodhur, siç dihet tashmë.) Ministria e Jashtme e Kosovës besoj do të ketë përgjigjen e gatshme: nuk kanë marrë informatë për këtë. Po ta kërkojnë edhe e marrin. Besojnë se duke mos e pranuar mohohet realiteti.

Procesi alarmant i çnjohjeve po përcillet me një gjakftohtësi të frikshme nga përgjegjësit e papërgjegjshëm, në radhë të parë nga Ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli. I patrazuar duket të jetë biznesmeni Pacolli. Sikur kjo të mos kishte të bënte me Kosovën, lëre më me fushën e tij të veprimtarisë si Ministër. Me këtë shpengim do të donte ai të qeveriste krejt Kosovën. E ka thënë vetë se do të donte (e ‘ka ëndërr’ bile, siç është shprehur) ta qeveriste vendin tonë bile nja një vit. Padyshim dështimet e tij do të ishin në përpjestim të drejtë me dështimet aktuale si Ministër e Zëvendëskryeministër.

Sigurisht nuk është fajtori kryesor Pacolli. Më shumë ata që e kanë vënë në detyrë.

Çnjohjet po duket të jenë rezultat i bisedave për marrëveshjen gjithëpërfshirëse për Kosovën, që, siç e ka thënë vetë Presidenti Hashim Thaçi, do të mund të përfshinin korrigjim kufiri (të tjerët thonë shkëmbim territoresh me Serbinë), por edhe biseda për çështje të brendshme të Kosovës. “Janë gjëra që do të diskutohen; qoftë për të zhdukurit, qoftë për të zhvendosurit, qoftë për pronat, qoftë për të drejtat e Kishës Ortodokse serbe, për zhvillimin ekonomik, infrastrukturën, për procesin e normalizimit dhe të pajtimit me vendeve tona, për edukimin, për shëndetësinë”, ka thënë Thaçi në një intervistë për “Zërin e Amerikës” më 28 nëntor 2018.

Politika agresive e Serbisë për çnjohje të Kosovës ka marrë hov mbasi trashëgimtarët e Millosheviqit në Qeverinë serbe (Presidenti Vuçiq dhe Ministri i Jashtëm Daçiq kanë qenë ministra në kabinetin e tij të luftës më 1999) ia kanë dalë të bindin jo vetëm faktorë të jashtëm, por edhe të brendshëm, në Kosovë, se zgjidhja përfundimtare e çështjes së Kosovës me pavarësi e terrritor të njohur tash e një dekadë nuk është punë e kryer.

Është koha që populli i Kosovës me proces demokratik të çnjohë udhëheqësit që e kanë katandisur vendin tonë kaq keq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat