"Ta pastrojmë Kosovën" reagon ndaj deputetit Driton Selmanaj

Aktuale

"Ta pastrojmë Kosovën" reagon ndaj deputetit Driton Selmanaj

Më: 7 dhjetor 2018 Në ora: 20:58
Driton Selmanaj

Organizata “Ta Pastrojmë Kosovën” reagon ndaj deklaratave të pavërteta të deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanajt, në seancën e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës ku po diskutohej për buxhetin për vitin 2019.

Në seancën e sotme të Kuvendit, deputeti i LDK-së tha se Organizatës “Ta Pastrojmë Kosovën” i janë ndarë dy milionë euro buxhet, por një gjë e tillë nuk është e vërtetë.

Ne si OJQ e njoftojmë Selmanajn se implementimi i Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” nga ne nuk ka të bëjë asgjë me projektin prej 1.2 milionësh eurosh për të cilin ai foli në Kuvend.

Ai grant është ndarë për pesë komunat më të suksesshme të implementimit të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, dhe ato t’iu jepen komunave drejtpërdrejt në fushën e mjedisit. Pra, shuma nuk është ndarë për Organizatën, por për komunat.

Po ashtu, Selmanaj deklaroi se kinse gjatë diskutimeve, disa prej kryetarëve të komunave i kanë thënë se me dy milionë euro do të menaxhonin mjaft mirë problemin e mjedisit në komunat e tyre. Për cilët kryetarë komunash e ka fjalën ai? Pasi, me të gjithë prej tyre ne kemi bashkëpunim mjaft të mirë dhe asnjëri nga ta nuk ka drejtuar shqetësime të tilla tek ne. Dhe nëse kjo është e vërtetë, atëherë “Ta Pastrojmë Kosovën” shpreson se komunat që udhëheqen nga ata kryetarë të jenë në mesin e fituesve të grantit prej 1.2 milionë euro.

Selmanaj si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet të ketë kujdes me akuza të tilla të pabazuara ndaj OJQ-ve, madje duke folur me të dhëna jozyrtare. Në asnjë moment gjatë seancës, ai nuk përdori burime kredibile për deklaratat e tij. Si deputet, para se gjithash ai duhej të dijë peshën e fjalës në Kuvend dhe të mbajë përgjegjësi morale apo ligjore për të.

Selmanaj, i cili dikur edhe vetë ka qenë udhëheqës i një Organizate Joqeveritare e di mjaft mirë se sa i vështirë dhe i kushtueshëm financiarisht është menaxhimi i aktiviteteve, sidomos kur ato shtrihen në tërë territorin e Kosovës. Andaj, neve na vie keq që akuza të tilla vinë nga një ish-anëtar i shoqërisë civile, i cili e njeh mirë punën e organizatës sonë, pasi shpeshherë si vullnetar iu është bashkuar aktiviteteve tona.

Ne e vlerësojmë mjaft shumë faktin se Organizata jonë është ndër faktorët kryesor që çështjet mjedisore po trajtohen me prioritet në vend. Andaj, si deputet do të duhej t’i gëzoheshe faktit edhe sikur të ishin ndarë aq shumë fonde për mjedisin, kur dihet se sa shumë ka nevojë që të rritet vetëdija e shoqërisë për mjedisin. Madje, “Ta Pastrojmë Kosovën” ka vite që kërkon që të rriten fondet për mjedisin.

Organizata “Ta Pastrojmë Kosovën” ju njofton se aktivitetet e Organizatës tonë që kanë nisur nga viti 2012 do të vazhdojnë tutje me të njëjtin ritëm dhe në të njëjtën mënyrë të denjë të punës, pasi askush deri më tani nuk ka kontestuar punën tonë.

Përkundrazi, është ndër Organizatat e vetme që është treguar konsistente në zhvillim të aktiviteteve të mbrojtjes së mjedisit, me ose pa fonde.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat