KMDLNj: Deputeti i Kuvendit të Kosovës merret në pyetje nga BIA

Aktuale

KMDLNj: Deputeti i Kuvendit të Kosovës merret në pyetje nga BIA

Më: 10 dhjetor 2018 Në ora: 09:40
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Sllobodan Petroviq

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Sllobodan Petroviq është ndaluar nga policia serbe ne pikëkalimin kufitar në Merdare, ku është marrë në pyetje nga Agjencioni për Siguri i BIA-s, ka njoftuar KMDLNj, përmes një komunikate për media.

“Deputeti i Kuvendit të Kosovës, z. Sllobodan Petroviq i ka deklaruar KMDLNj –së se me datë 8 dhjetor 2018 në pikëkalimin kufitar në Merdare është ndaluar nga policia serbe në ora 11:15 min dhe nuk është lejuar ta vazhdojë udhëtimin me pretekst se kanë urdhër nga lartë dhe se këtë e ka kërkuar BIA – Agjencioni për Siguri i Serbisë”, njofton KMLDNj.

“Më kanë urdhëruar të futem në një zyrë të stacionit policor – pikës policore ku kam qëndruar deri në ora 13:30 kur kanë ardhur dy veta që janë deklaruar se janë nga BIA. Me mua kanë biseduar gjysmë ore për situatën në Kosovë, për FSK – në duke deklaruar se 130 serbë e kanë lëshuar FSK – në gjë që edhe unë e kam pohuar mirëpo kam thënë se janë afërsisht 400 serbë që kanë shprehur gatishmëri të bëhen ushtarë të FSK – së. Kanë pyetur për Radoiçiqin dhe qëndrimin tim pse jam deklaruar kundër ngujimit të deputetëve të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës. Kam thënë se ne serbët nuk jemi të rrezikuar nga shqiptarët dhe se jam deputet i Kuvendit të Kosovës me vota të qytetarëve sikur që punoj në përputhje me mandatin që e kam si deputet dhe në bazë të ligjeve të vendit. Kam kërkuar të më tregojnë nëse jam i arrestuar dhe cilat janë arsyet që më kanë ndaluar dhe nuk më lejojnë ta vazhdojë udhëtimin. Më kanë mbajtur deri  në ora 16:00 për të më liruar, pa kërkuar nga unë ta nënshkruaj ndonjë deklaratë apo dokument tjetër. Për shkak të pasigurisë dhe rrethanave të krijuara jam kthyer për Kosovë , ndonëse kisha planifikuar t’i marrë anëtarët e ngushtë të familjes që ishin në Serbi, për një festë fetare”, njoftohet që Petroviq t’i ketë thënë KMLDNj-së.

Theksohet se Petroviq i ka thënë KDMLNj – së se ndaj tij po bëhet presion dhe këtë ndalim dhe marrje në pyetje e konsideron si presion për frikësim për shkak të angazhimit të tij politik dhe qëndrimit kundërshtues ndaj veprimeve të LS dhe ekstremistëve të të gjitha ngjyrave.

Lidhur me këtë rast KMDLNj kërkon nga Qeveria e Kryeministri që këto shqetësime dhe ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës t’i adresojë te faktorët ndërkombëtarë për siç thonë ata për faktin se po ndikojnë në ngritje të tensioneve dhe po shkaktojnë pasiguri te qytetarët serbë të Kosovës që janë të integruar apo duan të integrohen në institucionet e Kosovës.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat