LDK flet për politikat e dëmshme të Qeverisë aktuale

Aktuale

LDK flet për politikat e dëmshme të Qeverisë aktuale

Më: 10 dhjetor 2018 Në ora: 12:27
Forumi i Rinisë së LDK-së ka mbajtur konferencë me temën “(Pa)siguria sociale dhe ekonomike e të rinjve në Kosovë”

(E plotësuar) - Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, ka ofruar përkrahje dhe ka premtuar përfshirje dhe organizim të rinisë, përmes grupeve punuese të ekspertëve të fushave të ndryshme në LDK, në procese të cilat kontribuojnë në ndryshimin dhe zhvillimin e vendit.

Ai këto komente i bëri në konferencën me temën “(Pa)siguria Sociale dhe Ekonomike e të Rinjve në Kosovë”, organizuar nga Forumi i Rinisë i Lidhjes Demokratike të Kosovës.    

Nënkryetari Veliu në veçanti ka theksuar sfidën primare të të rinjve të posadiplomuar që dalin në tregun e punës, ku shpeshherë ata përballen me aspektin ligjor ku kushtëzohen me përvojë pune paraprake së paku dy deri në tri vjet.

Veliu ka folur për politikat e dëmshme të Qeverisë aktuale, si sfida shumë të mëdha për vendin tonë, të cilat përmes punës dhe politikave të LDK-së në qeverisjen e ardhshme do të tejkalohen, përkundër dëmeve që po bëhen në qeverisjen aktuale.

Ndërsa, kryetari i Forumit të Rinisë të LDK-së, deputet i Kuvendit të Kosovës, Fidan Rekaliu foli për sfidat e të rinjve dhe rezolutën për rininë e miratuar në Kuvend, dhe nga të pranishmit kërkoj komente dhe sugjerime për të plotësuar.

Të rinjtë kosovarë anëtarë të Forumit të Rinisë ngritën tema që i brengosin ata si arsimi, trajnimet profesionale, punësimi, organizatat rinore, përfshirja e tyre në vendimmarrje, etj.

***

Forumi i Rinisë së LDK-së ka mbajtur konferencë me temën “(Pa)siguria sociale dhe ekonomike e të rinjve në Kosovë”, në të cilin është diskutuar për sfidat e të rinjve në arsim dhe treg të punës.

Fidan Rekaliu, kryetar i Forumit të Rinisë së LDK-së, ka përmendur rezolutën e LDK-së të dërguar në kuvend për gjendjen e të rinjve të Kosovës për dëshirën e tyre për të dalë jashtë vendit, mirëpo sipas tij kjo është lënë pas dore nga Qeveria e Kosovës.

“Qeveria nuk e ka marrë seriozisht këtë edhe pse ata vetë flasin për politika mbështetëse, afirmative për rininë. Nuk jemi të kënaqur me shkallën e zbatimit të rezolutës edhe në të ardhmen do bëjmë presion që të zbatohet. Sot jemi në gjendje të zhgënjimit që ekziston tek të rinjtë dhe ne do mundohemi të mobilizojmë nevojën e të rinjve dhe besojmë se mund të ketë ngritje sociale dhe ekonomike”, tha ai.

Agim Veliu, nënkryetar i LDK-së, u është drejtuar të rinjve me disa pyetje mbi rolin e tyre në shoqëri, teksa ka fajësuar Qeverinë për mos krijimin e kushteve për të rinjtë që të studiojnë dhe punojnë në Kosovë.

“Nuk po pyes cili është kontributi juaj sepse do nënkuptonte se ju patjetër do duhej të jepnit një kontribut për shoqërinë. Përgjegjësia kryesore që keni në jetë është në radhë të parë vetja juaj prandaj duhet ta pyesni veten çfarë do bëni me jetën tuaj në kuptim të shkollimit, karrierës, familjes etj”, tha Veliu.

Ai tha se Qeveria po krijon vende pune në institucione vetëm për militantë e vet dhe jo për të rinjtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat