Apostolova: Korrupsioni i rrënjosur në Kosovë, rinia të marrë rolin për luftimin e tij

Aktuale

Apostolova: Korrupsioni i rrënjosur në Kosovë, rinia të marrë rolin për luftimin e tij

Më: 11 dhjetor 2018 Në ora: 12:40
Nataliya Apostolova gjatë një bashkëbisedimi me nxënësit e shkollave të mesme për temën “Të mbështesë ndryshimin kulturor: roli i gjeneratave të reja për formësimin e vlerave të së nesërmes".

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka shprehur shqetësimin se korrupsioni vazhdon të mbetet e rrënjosur në Kosovë dhe bëri thirrje që të rinjtë kosovarë të marrin rolin për luftimin e kësaj dukurie negative për shoqërinë e vendit.

Apostolova paralajmëroi se Kosova nuk do të arrijë progres në rrugëtimin e saj drejt Evropës pa angazhimin aktiv të të rinjve dhe porositi se është e rëndësishme që të rinjtë kosovarë të angazhohen në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit.

Ajo këto komente i ka bërë gjatë një bashkëbisedimi me nxënësit e shkollave të mesme për temën “Të mbështesë ndryshimin kulturor: roli i gjeneratave të reja për formësimin e vlerave të së nesërmes".

Me këtë rast, Apostolova duku iu drejtuar nxënësve, porositi ata se mund të jenë forca kryesore që lufton korrupsionin, krimin e organizuar dhe të gjitha të këqijat që pengojnë zhvillimin e Kosovës.

Ajo ka përmendur disa nga  mënyrat se si mund ta bëjnë, ku ndër to, ka përmendur edhe protestat, por që menjëherë është sqaruar duke thënë se nuk po i fton të organizojnë  demonstrata.

Apostolova: Korrupsioni akoma mbetet i rrënjosur në Kosovë

“Jam e shqetësuar për shkak të korrupsionit dhe për shkak të faktit që korrupsioni akoma mbetet i rrënjosur në Kosovë, disa nga ju mund të ndjeheni të dekurajuar, por ju lutem mos lejoni që të ndodh kjo, sepse nëse jo ju talenti i Kosovës, kush do të sjellë talentin e Kosovës ta përafrojë atë me standardet. Kosova nuk do të arrijë progres në rrugëtimin e vet drejt Evropës pa angazhimin aktiv të të rinjve dhe mendoj se në rastin tuaj kjo është e pashmangshme, sepse ju do të jeni ata që do të bartni këtë progres shumë shpejt. Prandaj, është shumë e rëndësishme që t’iu angazhojmë në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit. Kjo duhet të jetë mentaliteti nëpër familje, mentaliteti nëpër shkollat dhe universitet”, u shpreh ajo.

Apostolova ka thënë se rinia e sotme janë liderët e së ardhmes, ndërsa u zotua se BE-ja do të vazhdojë të ndihmojë Kosovën në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Ndërsa, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, është shprehur se luftimi i korrupsionit nuk mund të bëhet brenda ditës, por nevojitet një bashkëpunim i të gjithëve.

Bytyqi: Parandalimi i korrupsionit është shumë më i lehtë sesa luftimi i korrupsionit

“Parandalimi i korrupsionit është shumë më i lehtë sesa luftimi i korrupsionit. Tash nëse flasim në nivelin e lartë ne nuk mund më të flasim për parandalim, ne duhet të flasim për luftimin e korrupsionit. Ndërsa, kur flasim me ju të rinjtë që e keni mundësinë më të mirë mund të flasim për parandalimin e korrupsionit, pra që është faza më e lehtë dhe këtë parandalim mund ta bëni ju të rinjtë. Si mund ta bëjmë, të edukoheni që korrupsioni, nepotizmi, preferenca e gabuar nuk është dukuri e mirë për vendin tonë, për të rinjtë tanë, për qytetarët tanë”, tha ai.

Ministri Bytyqi tha se korrupsioni te rinia kosovare po e largon shprehinë e punës, ku sipas tij të rinjtë po shohin se disa persona po krijojnë pasuri duke mos punuar fare.

Duke qenë se tema e diskutimit ishte tek arsimi, drejtori i Agjencisë Kundërkorrupsion, Shaip Havolli, ka treguar rastet që si agjenci kanë trajtuar gjatë këtij viti, por ka theksuar se edhe në arsim ka korrupsion.

Havolli: Edhe në arsim ka korrupsion të niveleve të ndryshme

“Është e vërtetë, edhe në arsim ka korrupsion të niveleve të ndryshme, duke filluar nga niveli i lartë deri te niveli më teknik. Agjencia Kundërkorrupsion gjatë këtij viti ka trajtuar një numër të madh të rasteve kryesisht në Universitetin e Prishtinës dhe në universitetet e tjera publike, pa përjashtuar edhe universitetet tjera private. Agjencia ka trajtuar një numër të madh të këtyre rasteve, kryesisht kanë të bëjnë me nepotizëm, ngritjen e stafit akademik të cilët nuk i plotësojnë kriteret, kushtet, familjarizim, po edhe dhënie dhe marrje ryshfeti, plagjiaturë. Po ashtu, një numër i zyrtarëve të lartë dyshohet se është pasuruar në mënyrë të kundërligjshëm”, u shpreh ai.

Ambasadorja e Holandës në Kosovë, Gerrie Willems, ka thënë se luftimi i korrupsionit është shumë i rëndësishëm, pasi sipas korrupsioni bënë gjithçka më të shtrenjtë për qytetarët.

Willems: Mendoj që Kosova tashmë ka filluar ta trajtojë korrupsionin

“Është identifikimi i pranisë së korrupsionit dhe të mos përkrahni atë. Pastaj, është lufta dhe parandalimi i korrupsionit për të shmangur praninë e tij. Mendoj që ky është problemi themelor tek korrupsioni që është i rrënjosur thellë dhe është shumë i vështirë për të mënjanuar atë, por duhet të fillohet diku. Kështu që mendoj që Kosova tashmë ka filluar ta trajtojë këtë, mendoj që mund të ngritet niveli i trajtimit pasi që është shumë praktik korrupsioni dhe bën gjithçka më të shtrenjtë, më të kushtueshme”, tha ajo.

Edhe përfaqësuesi i Ambasadës së Italisë në Kosovë, Matteo Corradini, ka deklaruar se korrupsioni pengon një shoqëri që të zhvillohet në shumë aspekte.

Corradini: Korrupsioni fenomen që pengon zhvillimin e shoqërisë

“Korrupsioni është një fenomen që goxha pengon dhe ndërprenë shoqërinë prej çfarëdo zhvillimi, nga këndvështrimi ligjor, ekonomik dhe në shumë aspekte të tjera. Ka instrumente ligjore për të implementuar atë dhe luftën kundër këtij fenomeni, ka procedura që duhet ndjekur. Por, të gjitha këto janë realizim konkret i vlerave etike që janë drejtësia dhe respekti për njerëzit që janë elemente që mundësojnë që një shoqëri të luftojë për një të mirë të përgjithshme”, tha ai.

Ndryshe, diskutimi i sotëm është organizuar në kuadër të ‘Javës kundër korrupsionit’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat