Haradinaj gati për masa të reja ndaj Serbisë

Aktuale

Haradinaj gati për masa të reja ndaj Serbisë

Më: 11 dhjetor 2018 Në ora: 14:03
Ramush Haradinaj

(E plotësuar) - Kryeministri Ramush Haradinaj ka përsëritur se masa 100 për qind ndaj mallrave serbe nuk është drejtuar kundër komunitetit serb në Kosovë, ndërsa ka paralajmëruar se do të ketë masa tjera nëse Beogradi zyrtar do të vazhdojë me presionin e tij kundër vendit tonë.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Haradinaj potencoi se tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave me origjinë serbe nuk do të hiqen deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.

Kryeministri Haradinaj, ka thënë se nëse Serbia vazhdon kështu me agresivitet, është bërë një listë e këtyre masave, të gjitha janë të identifikuara, të gatshme për vendim.

Haradinaj: Aksionet e Serbisë ishin agresive dhe të rrezikshme

“Problemi është krijuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Prishtinës dhe Beogradit. Aksionet e Serbisë ishin agresive dhe të rrezikshme jo vetëm për funksionimin tonë si shoqëri dhe shtet, por edhe për stabilitetit tonë duke vendosur taksën prej 100 për qind. Ne kemi identifikuar edhe masat e reja të mundshme, por ne nuk kemi mundur të bëjmë garë se kush çka mund të bëjë më shumë. Jemi të interesuar që këtë ta qetësojmë pak dhe jemi të vendosur që të zgjidhim të gjitha çështjet e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe kjo mund të bëhet në tavolinë dhe çështja e taksave mund të zgjidhet përmes njohjes së Kosovës nga Serbia. Do të thotë se nuk jemi ne që dëshirojmë të provokojmë, por duhet të kundërpërgjigjemi”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka reaguar edhe ndaj ndaljes së deputetit serb Sllobodan Petroviq, i cili kohë më parë ishte marrë në pyetje nga BIA serbe, ndërsa i bëri thirrje shqiptarëve të taksat.

Haradinaj: Nuk është mirë që është ndalur deputeti nga Serbia

“Nuk është mirë që është ndalur serbi nga Kosova, i cili është i zgjedhur, deputet dhe ish-zëvendëskryeministër, politikan publik në Kosovë, i njohur edhe në Serbi, sikur në ish-sistemin e vjetër. S’është në rregull kjo. Mendoni se në çfarë ka kaluar ai. Do të lutja qytetarët e Kosovës, edhe shqiptarët dhe serbët se kjo nuk është kundër serbëve, do të lutja shqiptarëve që të bien në eufori se ne këtë po e bëjmë kundër serbëve në Kosovë”, tha Haradinaj.

I pyetur nga mediat se cilat do të jenë masat shtesë që do të vendosen kundër Serbisë, kryeministri Haradinaj tha se nuk mund ta thotë këtë për momentin, pasi që ato janë vetëm propozime.

Haradinaj: Nëse vazhdon presioni, duhet të shkojmë më tutje

 “Nuk mundem, nuk mundem. Pasi nuk janë marrë vendime, këto janë propozime, por nëse vazhdon presioni, duhet të shkojmë më tutje”, tha Haradinaj.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, është miratuar edhe kërkesa e Këshillit Prokurorial për shtesat e prokurorëve të Prokurorisë Speciale dhe për Kryeprokurorin e Shtetit, në këtë rast për Aleksandër Lumezi.

Qeveria ka marrë vendim që të ndajë mbi 66.000 euro për shtesat e pagave të prokurorëve të Prokurorisë Speciale.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se shtesa për prokurorët ka vlerë 400 euro, ndërkaq për kryeprokurorin prej 500 eurove.

Haradinaj: A t’ia ndalim rrogat, pra?

“A t’ia ndalim rrogat krejt pra, atëherë kemi luftë kundër korrupsionit. Nuk duhet bre me fol kështu. Ndaluani rrogat pra, edhe çka bëhet. Është e pa kuptimtë me shkuar në këtë frymë. Nuk mundesh me motivua një prokuror special për ta luftua korrupsionin, dhe është tepër e pa drejtë më cilësuar këtë veprim të tillë. Po ua japim një përkrahje, po e çmon me pagë”, tha Haradinaj.

Në mbledhjen e Qeverisë janë shqyrtuar dhe miratuar disa projektligje, të cilat ishin në rend të ditës

Haradinaj: Vendimi për dorëheqje të kryetarëve të komunave, është anti-kushtetuese

Kryeministri i Ramush Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë ka komentuar gjithashtu edhe dorëheqjet e katër kryetarëve të komunave, ku ka thënë se ende nuk ka një vendim sa i përket kësaj çështjeje.

Haradinaj shtoi se është një vendim pezull, sepse shkruan në të “Kosova- Metohia”, që është anti kushtetuese, teksa bëri të ditur se janë duke e shqyrtuar këtë, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje.

Haradinaj: Nuk kam arsye me i dërgua dorëheqjet në Gjykatë Kushtetuese

“Ne duhet të marrim opinion ligjor njëherë, të zyrave tona. Për shembull, ministria, kryeministria, pastaj nëse kemi paqartësi tjera duhet me pa edhe rrugë të tjera se si të sqarohet kjo. Na duhet me i pa a është Komisioni Qendror Zgjedhor, a është Gjykata Kushtetuese, por njëherë duhet me u dhënë një vlerësim i parë i yni. Për shkak se unë nuk kam arsye me e çu as në Gjykatë Kushtetuese këtë, se nuk guxoj me e çu atë ankesë ku dikush me më thënë: ‘më falni, por ky dokument nuk është i vlefshëm tek na’”, u shpreh ai.

Kryetarët e komunave të Mitrovicës, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit ditë më parë kanë dhënë dorëheqje dhe kanë ngrirë të gjitha raportet me institucionet qendrore. Kjo ka ndodhur pas rritjes së taksës për 100 përqind për mallrat e Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Haradinaj: Luftëtarët e lirisë nuk kanë pse shqetësohen nga Specialja

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se nuk është bërë nami se disa nga ish-bashkëluftëtarët e tij janë ftuar në Hagë nga Gjykata Speciale.

Pas mbledhjes së Qeverisë, Haradinaj është pyetur nga gazetarët për ftesat e reja që kanë ardhur për Rrustem Mustafën,  Sami Lushtakun dhe Sokol Dobrunën  që në janar do të paraqiten në Hagë, por ai tha se ‘nuk është kiamet për ushtarët e lirisë, shkojnë, kthehen’.

Ai ka thënë se e njeh njërin prej të ftuarve, Sokol Dobrunën, si një luftëtar lirie dhe që familja e tij kanë bërë shumë për atdhe, por tha se nuk është pajtuar me qëndrimet e  tij, të cilat i ka dëgjuar. 

Haradinaj: Nuk u bë kiameti, shkojnë e vijnë

“Nuk jam pajtuar me do qëndrime të tij që i kam dëgjuar në publik, shumica e tyre më duken të çuditshme. Ftesa për të dhe ftesa për të tjerët kush do qofshin ata, nuk është naj kiamet. Nëse qytetarët e Kosovës i besojnë vetes dhe lirisë së tyre, të drejtës së tyre, s’kanë pse m’u shqetësuar luftëtarët e lirisë. Kush do që thirret shkon, kryen detyrat e veta, kthehet. Pra, nuk e shoh, ndonjë kiamet të madh. I kisha lut të gjithë që ta marrin kështu si e fola”, deklaroi Haradinaj.

Rrustem Mustafa dhe  Sami Lushtaku janë ftuar në janar që të shkojnë në Hagë për intervistim, ndërsa Sokol Dobruna do të merret në pyetje nga hetuesit në Kosovë.

Për intervistim janë përfolur nëpër media edhe disa emra të ish-ushtarëve të UÇK-së.

Haradinaj: Dorëheqja e kryetarëve të komunave antikushtetuese

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë ka folur edhe për dorëheqjet e katër kryetarëve të komunave.

Ai tha se është një vendim pezull sepse në të shkruan “Kosova dhe Metohia”, që është anti kushtetuese.

Ky dokument sipas kryeministrit nuk vlen as për Kushtetuesen.

Haradinaj sërish ka folur edhe për masat që Kosova ka vënë ndaj Serbisë duke thënë se tash janë identifikuar edhe masa të reja ndaj shtetit fqinj.

Haradinaj po ashtu tha se kushdo që i lejon vetes që të flet për korrigjim të kufijve është e dëmshme edhe për rajonin.

Haradinaj duke folur për Javën e Kundër Korrupsionit ka thënë se Qeveria ka kryer punë dhe ligje për luftimin e korrupsionit duke përmendur kështu buxhetin për sistemin e drejtësisë që është rritur mbi  30 përqind.

Në mbledhjen e Qeverisë sot është miratuar kërkesa e  Këshillit Prokurorial të Kosovës për aprovimin e shtesave për prokurorët e Prokurorisë Speciale.

I  pyetur përse ka ardhur ky vendim, Haradinaj ka thënë se nuk është vendim i ri.  “Çka të bëjmë a t’ua ndalim pagat prokurorëve?”, ka pyetur Haradinaj.

Drejtpërdrejt nga mbledhja e Qeverisë

Me fillim nga ora 14:00 është paraparë të mbahet mbledhja e qeverisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat