LDK pro ushtrisë, por kundër dialogut dhe kërkon zgjedhje të reja

Aktuale

LDK pro ushtrisë, por kundër dialogut dhe kërkon zgjedhje të reja

Më: 12 dhjetor 2018 Në ora: 11:11
Konferenca e LDK-së, Besian Mustafa dhe Avdullah Hoti

(E plotësuar) - Ushtria e Kosovës, dialogu dhe liberalizimi i vizave janë temat që e shtyn Lidhjen Demokratike të dal në një konferencë për media të mërkurën.

Përveç ushtrisë që do ta përkrahin, LDK është kundër rezolutës së Partisë Socialdemokrate për dialogun.

Në konferenë u kritikua edhe Qeveria Haradinaj sidomos për mos liberalizimin e vizave.    

Shefi i deputetëve të LDK-së Avdullah Hoti tha se të gjithë deputetët e këtij subjekti politik, do të votojnë pakon e ligjeve për transformimin e FSK-s në ushtri.

Hoti tha se që nga shpallja e pavarësisë e deri më tani, institucionet e Kosovës kanë bërë përpjekje maksimale që ky transformim të dakordohet me përfaqësuesit politik të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

Sipas tij  të gjitha komunitetet duhet të ndjehen të sigurta sepse FSK është në shërbim të të gjithëve.

Hoti: LDK do të mbështesë pakon e ligjeve për transformimin e FSK-s në ushtri

“Në përputhje me vendimet e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, GP i LDK-së, në seancën që pritet të mbahet më 14 dhjetor, do të mbështesë pakon e ligjeve për transformimin e FSK në ushtri të Kosovës. Republika e Kosovës si vend sovran dhe i pavarur, sikurse çdo shtet tjetër, e gëzon të drejtën për të pasur forcat e veta të armatosura. Ne dëshirojmë të shprehim falënderimin tonë ndaj SHBA dhe partnerët tjerë ndërkombëtar për mbështetjen e këtij transformimi”, tha Hoti.

Forcat e Sigurisë së Kosovës, siç tha ai, do të kontribuojë në forcimin e paqes dhe sigurisë në Ballkan dhe, krahas aleatëve në NATO, do të kontribuojë për paqen kudo në botë.

Hoti  përsëriti se nuk e përkrahin rezolutën e PSD-së për dialogun me Serbinë. Ndërsa shtoi se procesi i dialogut duhet të udhëhiqet nga institucionet që kanë legjitimitet qytetar.

Hoti: Platformë për dialogun është Kushtetuta e vendit

“Procesi i dialogut me Serbinë është procesi më i rëndësishëm që ndodhë në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë. Platformë për dialogun është Kushtetuta e vendit. Nuk ka platformë tjetër. Pra, nuk mund të nxjerrim platforma që dalin jashtë kornizës kushtetuese që ka vendi dhe ekipi për dialog janë institucionet e Kosovës të dala nga vota e qytetarëve, që janë legjitime dhe që përfaqësojnë shumicën e qytetarëve të vendit tonë”, tha Hoti.

Në këtë konferencë, shefi i deputetëve të LDK-së ka komentuar edhe deklaratat e kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili ka kritikuar përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, duke thënë se e ka ngulfatur dialogun me Serbinë.

Ai u shpreh se është pikërisht kryeministri Haradinaj, ai që e ka humbur rastin për liberalizim të vizave, duke bllokuar ratifikimin e demarkacionit me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Hoti: Momenti për liberalizim të vizave është humbur në vitin 2016

“Deklarimet e kryeministrit, besoj që nuk i shërbejnë kauzës dhe qëllimit që ka shteti i Kosovës për integrim në BE..Duhet të jemi të vetëdijshëm se momenti për liberalizim të vizave është humbur në vitin 2016 nga kryeministri aktual, duke e bllokuar Kuvendin me dhunë dhe me gaz. Kjo është e vërteta. Atëherë, ne kemi pasur 77 vota në Kuvend për ët votuar demarkacionin me Malin e Zi, pa votat e Listës Serbe”,  tha Hoti.

Në këtë konferencë Hoti ka folur edhe lidhur me vonesën e presidentit Hashim Thaçi për emërimin e anëtarëve të Komisionit Zgjedhor. Me këtë rast, ai tha se është e patolerueshme që presidenti nuk i ka kryer detyrat e veta që ta bëjë KQZ-në funksionale, pasi që sipas tij, vendi mund të shkojë shumë shpejt në zgjedhje.

***

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se do të votojnë projektligjin për transformimin e FSK-s në ushtri.

"Në përputhje me vendimet e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së do të mbështesim projektligjin për transformimin e FSK. Falënderojmë SHBA dhe partnerët tjerë ndërkombëtar për mbështetjen që kanë dhënë. Të gjitha komunitetet duhet të ndjehet të sigurta sepse FSK është siguri për të gjithë", tha ai.

Ai përsëriti se nuk e përkrahin rezolutën e PSD-së për dialogun me Serbinë.

"Platformë për dialogun është Kushtetuta e vendit. Nuk mund të ketë platformë tjetër. Duhet legjitimitet qytetarë nga institucionet që kanë shumicën", tha ai.

Njëherësh ai foli edhe lidhur me vonesën e presidentit Hashim Thaçi për vonesën e emërimit të anëtarëve të Komisionit Zgjedhor.

 "Është e pataloreueshme që Presidenti nuk i ka kryer detyrat e veta që ta bëjë KQZ-në funksionale. Sepse vendi mund të shkojë shumë shpejt në zgjedhje", tha ai.

***

Lidhja Demokratike e Kosovës mban konferencë për media.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat