Britania kundër shkëmbimit të territoreve, kërkon marrëveshje brenda kufijve aktualë

Aktuale

Britania kundër shkëmbimit të territoreve, kërkon marrëveshje brenda kufijve aktualë

Më: 12 dhjetor 2018 Në ora: 15:18
Foto ilustrim

Diplomati britanik i angazhuar në Kosovë, Ruairi O’Connell, në bashkëbisedimin me qytetarët e Kosovës në rrjetin social Facebook, ka dhënë përgjigje për shumë zhvillime politike në vend.

Shefi i zyrës britanike në Kosovë u pyet, mes tjerash, për ushtrinë e Kosovës, për taksat ndaj mallrave serbe e atyre të Bosnjës, për qasjen e BE-së karshi Kosovës dhe Serbisë, si dhe për dialogun mes dy vendeve dhe për idenë e trumbetuar kohëve të fundit nga presidentët Thaçi e Vuçiq në lidhje me shkëmbimin e territoreve si zgjidhje e mundshme.

Në pyetjen për kufijtë, Ambasadori britanik tha se shteti mendon se është në interesin e të dyja palëve arritja e një marrëveshjeje, mirëpo brenda kufijve aktualë.

“Është në interesin e secilit të arrihet një marrëveshje ligjore e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat ne i shohim si dy shtete sovrane dhe të pavarura, me raporte miqësore, dhe kjo marrëveshje duhet të jetë duke u bazuar në kufijtë aktualë. Por çfarëdo që të ndodhë është qenësore që të dyja palët të përfshihen seriozisht që të arrihet marrëveshje. Këshilla ime për Kosovën është e njëjta siç ka qenë tash e sa muaj – është mjaft e rëndësishme që të gjithë të bien dakord në një strukturë negociatash që angazhon të gjithë në një marrëveshje finale që do të zbatohet sipas rregullave të BE-së dhe të ketë mbështetjen e popullit”, ka thënë diplomati britanik, O’Connell.

Britania, sipas tij, nuk ka ndonjë afat të caktuar se kur duhet të arrihet marrëveshja Kosovë – Serbi, por ajo që është me rëndësi është që marrëveshja të jetë gjithëpërfshirëse që përfshinë të gjitha çështjet që i përkasin Kosovës dhe Serbisë “sikur që është njohja e Kosovës nga Serbia dhe dëshirojmë që të dy shtetet të ecin përpara”.

“Kjo mundet të duket e pabesueshme sot, por kemi raste të panumërta ku dy shtete armike janë shtete mike sot. Nuk duhet të vendosim afate, nuk kemi kohë për të humbur dhe mendoj që të dy shoqëritë duhet seriozisht të angazhohen”, theksoi O’Connell.

Ai tha se pozicioni i Britanisë në çështjen e dialogut mes dy vendeve është i qartë: “duhet të ketë një marrëveshje të plotë ndërmjet dy shteteve sovrane që ne i kemi njohur dhe jemi shokë me ta në bazë të kufijve aktualë. Britania nuk është një forcë koloniale e cila do përdorë forcën e saj kundrejt tyre, ne jemi shokë dhe duam t’i ndihmojmë të dy shteteve. Hapi i radhës është të angazhohet e gjithë struktura politike në dialog, është dialoguar më parë me muaj por nuk është arritur asnjë progres, prandaj duhet të angazhohen të gjitha strukturat që të kemi një mandat”, u shpreh britaniku.

Pyetjet më të shumta ishin ato për Ushtrinë e Kosovës dhe qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar rreth kësaj çështjeje, ku O’Connell tha se Kosova ka të drejtë të ketë forcë të sigurisë.

“Mbretëria e Bashkuar beson se është e drejtë e Kosovës të krijojë forcat e saj të armatosura. Ne vazhdojmë të inkurajojmë Kosovën të sillet me përgjegjësi dhe me transparencë, dhe në konsultim me aleatët e NATO, dhe të respektojë angazhimin e saj ndaj KFOR-it, përfshirë edhe shkëmbimin e letrave të viti 2012-2013”, ka thënë O’Connell.

Tutje, O’Connell është pyetur edhe në lidhje me mbështetjen që mund t’i japë Britania ushtrisë së Kosovës, specifikisht në mjete ushtarake.

“Mbretëria e Bashkuar ka përkrahur Forcën e Armatosur të Kosovës dhe Trupat Mbrojtëse të Kosovës ndër vite. Ne kemi pasur fokus të veçantë në trajnimin e oficerëve dhe nën-oficerëve, të cilët do të jenë bërthama e kësaj force në të ardhmen”, u shpreh diplomati britanik.

Ai tha se Britania ka punuar edhe në një sërë fushash tjera, të cilat mendon se janë me rëndësi jetike në zhvillimin e Kosovës, si sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, kundër nepotizmit, zhvillimi ekonomik, kultura demokratike, dhe me çështjet e trashëguara nga e kaluara, e shumë e shumë çështje tjera.

“Dhe sinqerisht ne e vlerësojmë bashkëpunimin tonë me FSK-së, por është shume interesante për mua pyetja juaj se a po ju japim pajisje ushtarake. A po mendoni me të vërtetë që kjo është gjeja më e rëndësishme për të cilën Kosova ka nevojë tani?”, theksoi ai.

Në diskutimin me qytetarë në Facebook, O’Connell është sfiduar edhe me pyetjen rreth korrupsionit dhe mungesës së luftës me veprime konkrete, sikurse dhe me pyetjen se përse shteti i tij nuk përkrah individë të caktuar, si Albin Kurtin e VV-së apo Vjosa Osmanin e LDK-së.

“Nuk besoj që është situata e mirë ose e qëndrueshme kur diplomatët zgjedhin deputetët ose qeveritë. Ne nuk mbështesim dhe nuk do të mbështesim askënd. Kosova është demokraci dhe në demokraci kjo është puna e qytetarëve. Pra, nëse doni ndryshe, ju duhet të angazhoheni në jetën publike dhe të krijoni mbështetje publike për ndryshime”, u shpreh ai.

Në lidhje me qasjen e Evropës, gjegjësisht të Bashkimit Evropian, në raport me Kosovën dhe me Serbinë, ambasadori britanik u përball disa herë.

Megjithatë, ai dha përgjigje diplomatike, duke mos marrë përsipër të flasë në emër të tërë BE-së, por vetëm për shtetin që përfaqëson.

“Unë nuk do të flas në emër të Evropës, por do të flas në emër të Mbretërisë së Bashkuar. Ne i shohim të dy si dy shtete sovrane, të pavarura, dhe fqinje me njëra-tjetrën dhe ne kemi marrëdhënie të mira me dyja shtetet. Ne i trajtojmë dy shtetet njëjtë në lidhje me çështjen e vizave. Kosova ka të drejtë të ketë ushtrinë, dhe ju gjithë e keni dëgjuar pozicionin e MB [Mbretërisë së Bashkuar] mbi dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Por dua gjithashtu të sulmoj idenë që Evropa është kundër Kosovës. Sinqerisht, mendoj se kjo nuk qëndron. Evropa është investuesi i dytë më i madh për kokë banori në Kosovë përmes Komisionit Evropian, krahasuar me cilindo vend në botë. E kuptoj frustrimin, por oferta për liberalizim të vizave është bërë në baza të vullnetit të mirë, dhe grupi Schengen nuk e ka ofruar këtë vetëm që Kosova të dështojë. E di që mund të jetë frustruese, por ne gjithmonë e kemi parë Kosovën si anëtar të barabartë të familjes demokratike evropiane. Ndonjëherë marrëdhëniet diplomatike luhaten poshtë-lartë, por shteti juaj është në Evropë si çdo vend tjetër, dhe nuk e besoj se kjo mund të kontestohet”, u shpreh O’Connell.

Nga ai u kërkua të komentojë edhe luftën diplomatike që po e bën Serbia karshi Kosovës, siç janë kërkesat për tërheqje të njohjes së pavarësisë së Kosovës e të tjera.

“Ne e njohim pavarësinë e Kosovës dhe sinqerisht ne reagojmë kur shtete tjera të rajonit ndërmarrin veprime që janë destabilizuese ose janë kundër vlerave në të cilat ata thirren të respektojnë”, tha ai.

Britaniku, që bashkëbisedimin e ka bërë kryesisht në gjuhën shqipe, ka folur edhe për raportet mes Kosovës dhe Serbisë dhe për taksën 100 për qind ndaj mallrave që vijnë nga Serbia dhe Bosnja.

“A i ndihmon Kosovës dhe Serbisë që të kenë këtë cikël të provokimeve dhe reagimeve? Përgjigja është jo! Ajo çka do të ndihmonte dy vendet është një marrëveshje konkrete që ua lejon dy shoqërive të ecin përpara në miqësi. Kjo nuk është e lehtë dhe unë nuk dua ta injoroj historinë apo realitetin e të them se vetëm njëra palë duhet të lëvizë. Por, çfarë Kosova urgjentisht duhet të bëjë, është të formojë struktura, plane dhe strategji se si të angazhohet. Miqtë e Kosovës nuk mund t’ju ndihmojnë nëse ju nuk i keni këto”, deklaroi O’Connell.

Ambasadori britanik deklaroi se shteti i tij i kupton rrethanat që kanë shtyrë qeverinë e Kosovës të marrë vendimin për taksën ndaj Serbisë e po ashtu tha se e kuptojnë që Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë masa të sigurojë që mos të ketë pasoja negative në Kosovë për shkak të taksës.

“Kjo i bie që ne e trajtojmë Kosovën si një shtet sovran dhe të pavarur dhe ne si partner ndërkombëtar presim që të respektohet marrëveshja të cilën ata e kanë nënshkruar. Mendoj që është mjaft e rëndësishme për Kosovën që ta kuptojë, 10 vite pas pavarësisë, që miqtë ndërkombëtarë po mundohen ta ndihmojnë atë, por Kosova duhet të respektojë rregullat. Në këtë rast, CEFTA ka rregulla dhe mekanizma që duhen respektuar. Kosova nuk ka pasur dhe duhet t’i respektojë ato nëse do që të trajtohet si një shtet serioz. Por edhe Serbia gjithashtu duhet t’i mbajë obligimet e veta. Të dy palët duhet t’i shmangin veprimet që rrezikojnë sigurinë dhe rrisin tensionet. Në këtë çështje, situata e fundit na tregon një gjë, që situata aktuale për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë nuk i ndihmon askujt përveç atyre që kanë interes për mungesë të normalizimit, kjo përfshin kriminelët dhe terroristët”, deklaroi shefi i zyrës britanike në Kosovë, Ruairi O’Connell.

Mes tjerash, O'Connell foli edhe për idenë e shpërfaqur nga komentuesit se BE-ja po dëshiron t sabotojë Kosovën, gjë për të cilën tha se “nuk korrespondon me realitetin”.

“BE-ja ka nevojë për stabiliteti, funksionalitet, prosperitet, siguri në Kosovë. Sepse pa këto, edhe BE-ja do t’i vuante pasojat. BE-ja nuk është e angazhuar në eksperimente. Por, reagimi im i parë është ky! Shoh se keni dyshime mbi qasjen e BE-së. Kjo ju lejohet, natyrisht. Por, unë do t’ju pyesja: cili është propozimi i Kosovës? Është e vështirë për miqtë e Kosovës të ndihmojnë nëse Kosova s’ka një strategji të gjatë, apo strukturë negociues”. Ai është pyetur, sikurse edhe herëve tjera, në lidhje me ekipin e tij të zemrës në futboll, Evertonin, se “a do të bëhet sivjet kampion në Angli”, gjë për të cilën ai ka thënë se do t’i qeraste të gjithë qytetarët e Kosovës me birra nëse kjo do të ndodhte.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat