“Molla e Kuqe” po gjykohet për krime lufte edhe në Kosovë – detaje nga aktakuza

Aktuale

“Molla e Kuqe” po gjykohet për krime lufte edhe në Kosovë – detaje nga aktakuza

Më: 12 dhjetor 2018 Në ora: 17:41
Remzi Shala i njohur me pseudonimin "Molla e kuqe".

Një ditë pasi që u deklarua se nuk do t’i përgjigjet ftesës së Gjykatës Speciale, ish-ushtari i UÇK’së, Remzi Shala i njohur në luftë me nofkën “Molla e kuqe” është larguar nga shtëpia e tij. 54-vjeçari nga fshati Shirokë i Komunës së Suharekës po gjykohet nga drejtësia vendore si i akuzuar kryesor për krime civile gjatë luftës, përkatësisht, vrasje të Haxhi Përteshit në vitin 1998. Procesi gjyqësor në këtë rast, është duke shkuar drejt fundit. Me 9 janar 2019, do të jap fjalën e fundit mbrojtja e tij.

Me valën e fundit të emrave që dolën në opinion e që kanë marrë ftesë për intervistim nga Gjykata Speciale është edhe ish-ushtari Remzi Shala. 54-vjeçari emri i të cilit po figuron tashmë krahas figurave kyçe të UÇK ‘së që u thirrën për intervistim bëri të ditur dje ekskluzivisht se nuk e njeh këtë gjykatë dhe nuk do t’i përgjigjet kësaj thirrje.

Por, dyshimet se Shala është i përfshirë në kryerje të krimeve gjatë luftës kundër popullsinë civile nuk janë të viteve të fundit. 

Emri i tij, sipas aktakuzës që ka siguruar figuron si i akuzuar kryesor në vrasjen e Haxhi Përteshit. Për këtë rast Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë në vitin 2016’të.

Mbi Shalën rëndonë akuza se gjatë luftës në Kosovës, përkatësisht me datën 26 qershor 1998 rreth orës 23:00 në fshatin Duhël, si pjesë e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës me uniformë dhe i armatosur me armë të gjatë së bashku me 5-6 ushtarë tjerë të armatosur dhe me maska në fytyrë, të cilët nuk janë identifikuar deri më tani, për shkak të dyshimit se Haxhi Përteshi është duke bashkëpunuar me forcat serbe kanë shkuar në shtëpinë e tij dhe e kanë privuar nga liria. 

Sipas aktakuzës kjo ndodhi kur këta persona të dyshuar kanë shkuar në dyert e shtëpisë të viktimës dhe e kanë thirrur emrin e tij. Thirrjes iu ishte përgjigjur djali i viktimës, Agron Përteshi i cili edhe i kishte ftuar ata për të hyrë brenda. I pandehuri, i cili sipas aktakuzës ishte i vetmi pa maskë në fytyrë ka kërkuar të takohet me viktimën.
“Haxhi Përteshi ishte në atë moment brenda në shtëpi, pas njoftimit se Agroni del në oborr, ku i pandehuri e pyet “ A je ti Haxhia” pas përgjigjes së të dëmtuarit “Po unë jam” pas një bisede të shkurtër, i pandehuri kërkon prej tij që të shkoj me ta, se “Dëshirojmë me pas një bisedë të gjatë me ju” kur i dëmtuari thotë “Po, ku të doni vetëm ti marrë cigaret”, i pandehuri i thotë “Hajde se ne i kemi të gjitha” dhe kur kanë dal nga dyert e oborrit, të dëmtuarin e kanë kapur nga duart, duke vazhduar në këmbë në drejtim të lagjes së Catanëve pas disa castesh dëshmitari Agron Përteshi, i sheh dritat e automjetit që nga lagjja e Catanëve ka lëvizur në drejtim të fshatit Grajçevc”, thuhet në aktakuzë.

Sipas asaj që shkruhet, trupi i Haxhi Përteshit ka qëndruar në një vend të mbyllur për disa ditë, ndërkaq, me 1 korrik 1998 trupi i pajetë i tij u gjet në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël.

Procedura penale pati filluar kur djali i viktimës kishte dhënë deklaratë për këtë temë në UNMIK. Më pas nga EULEX’i ishte bërë kërkesë për kryerje të hetimeve dhe intervistim të dëshmitarëve të mundshëm. Në 2014’të prokurori i EULEX’it mori aktvendim për fillim të hetimeve në këtë rast. 

Ky rasti ishte bartur te prokurorët vendor në vitin 2015’të.

Djali i Përteshit, Agroni në gusht të vitit 2014’të pati deklaruar se ai së bashku me familjen kishin ndihmuar në mënyra të ndryshme UCK’në. Lidhur me natën kur ka ndodhur rasti dëshmitari thekson se ngjarja kishte ndodhur me 26 qershor 1998 rreth orës 9 të mbrëmjes.

Ndërkaq, ditën kur gjeti trupin e prindit të tij e kishte kujtuar kështu.

“Unë kam dashur me e kontrollu trupin e babait, mirëpo, nëna ime, Axha Sejdiu dhe të afërmit nuk më kanë lejuar me i hjek rrobat nga trupi babait duke më thënë : Se ne e kemi kontrollu dhe se nuk ka shenja të plumbit e as shenja të tjera-plagë në trup” por pasi kishin kaluar disa ditë kufoma kishte filluar të prishet, trupi i tij është varrosur atë natë rreth orës 10 të mbrëmjes në errësirë në varrezat e fshatit.”

I pyetur nga prokurori se a ishte i sigurt se prindin e tij e kishte marrë Remzi Shala, dëshmitari qe përgjigjur “Unë jam një milardë për qind i sigur se babain tim për dore e ka kapur Remzi Shala, ai edhe mund të mos jetë fajtorë, por ai ka ardhur në shtëpi dhe e ka marrë, ai duhet të tregoj për fatin e tij dhe për cfarë arsye e mori babanë tim në shtëpi dhe babai u gjet i vdekur”.

Por, Remzi Shala e kishte mohuar tërë këtë në një paraqitje televizive, e për këtë rast, siç mëson Express vendimi përfundimtar do të merret me 9 janar të 2019’tës, nga Gjykata Themelore në Prizren, Departameni i Krimeve të Rënda.

Shala i njohur në luftë me nofkën “Molla e Kuqe” është larguar nga shtëpia e tij, pasi që foli eksluzivisht se ka marrë ftesën dhe nuk do t’i përgjigjet thirrjes. 

T7 gjatë ditës ka qëndruar në shtëpinë e tij e këtë informacion e kanë konfirmuar edhe familjarët.

Shala tha se nuk do t’i përgjigjet thirrjes së Gjykatës Speciale – duke rrezikuar kështu që të gjobitet apo edhe të dënohet me burgim, siç e paralajmëron thirrja.

“Unë, Komandant “Molla e Kuqe”, i togut të njësisë speciale të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK’së, kam pranuar ftesë nga Gjykata Speciale për t’u dorëzuar në Hagë. Deklaroj para gjithë popullit se nuk do të dorëzohem dhe nuk do t’i përgjigjem kësaj ftese”, ka thënë ai.

“Ata qe ma sollën këtë ftesë u deklaruan se janë policë të EULEX’it, ndërsa unë iu kundërpërgjigja se nuk e njoh këtë gjykatë, se unë jam shqiptar, dhe jam krenar për luftën që kam bërë”, është shprehur ai.

“Andaj, u bëj thirrje të gjithë shokëve të mi, si kur kemi dhënë besën për atdhe dhe për flamur, ashtu të jemi të një bese, mos ta njohim këtë gjykatë dhe mos të dorëzohemi në Hagë”, ka thënë Shala.

Ndërkaq, nga familja nuk kanë bërë të ditur se ku mund të gjendet momentalisht ai dhe a ka lidhje ikja e tij me ftesën nga Specialja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat