Qeveria gati për ta gjetur zgjidhjen për ekipin negociator

Aktuale

Qeveria gati për ta gjetur zgjidhjen për ekipin negociator

Më: 12 dhjetor 2018 Në ora: 20:32
Ramush Haradinaj

Në fillim të shtatorit, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ekipin negociator që do të përfaqësojë Kosovën në bisedimet me Serbinë, që mbahen në Bruksel.

Sipas vendimit, ekipit do të prij Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj do të jetë zëvendës-përfaqësues, ndërsa Behgjet Pacolli, Dardan Gashi, Avni Arifi dhe Mahir Jagxhilar do jenë anëtarë.

Për punën e këtij ekipi ka folur më gjerësisht kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai në një intervistë për Indeksonline ka thënë se janë duke punuar me intensitet të shtuar në mënyrë që të përfundojnë sa më shpejt obligimet që u takojnë për përgatitjen e raportit.

“Qeveria e bën materien, i nxjerr ato të dhënat, materialet, informatat, e përgatit librin e madh me të gjithë kapitujt. Por negocimin e këtij libri me palën e bën delegacioni, presidenti, ata që janë që janë të ngarkuar, parlamenti. Në fakt, qeveria është duke e kryer punën e vet intenzivisht me e përgatit marrëveshjen gjithëpërfshirëse, për çdo temë të ndërsjellë. Shembull vetëm në ekonomi mund të jenë mija faqe dhe ne po e përgatisim atë, pastaj kontratën Kosovë- Serbi për njohje dhe për pranim të marrëdhënieve në këtë fushë apo atë fushë”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka komentuar edhe rezolutën e prezantuar nga Partia Socialdemokrate (PSD) për caktimin e përgjegjësive institucionale në procesin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Haradinaj ka thënë se e ka mirëpritur këtë iniciativë të PSD-së, pasi në Kuvendin e Kosovës nuk u arrit asnjë marrëveshje për të votuar delegacionin.

“Unë e kam mirëprit një zhvillim të ri të PSD, që ti ofroj Kosovës një dalje nga bllokada, ku s’kemi mundur me ra dakord në parlament për të votuar një delegacion. E kam mirëprit edhe rezolutën e tyre, nuk kam vërejtje në ligj të tyre apo materie. Mirëpo besoj se nuk jemi larg për të gjetur një zgjidhje”, ka theksuar Haradinaj.

I pyetur se a ka rrezik të bije Qeveria e Kosovës, në rast se nuk arrihet të formohet ekipi negociator, Haradinaj është përgjigjur: “Qeveria është e rame ose e qume prej të gjitha temave, por nuk funksionojmë kështu, nuk ndërlidhen. Nëse s’bëhet ekipi negociator, nuk bëhet. Qeveria vazhdon me i kry punët e veta, materien që e përgatisim ne, ia japim parlamentit, presidentit apo kujtdo që përfaqëson, por atëherë është në vullnetin e forcave politike a duan të jenë më të bashkuar apo më të ndamë”, ka përfunduar Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat