"Kosova po e ndërton ushtrinë, komandant të saj të parë e ka Adem Jasharin"

Aktuale

"Kosova po e ndërton ushtrinë, komandant të saj të parë e ka Adem Jasharin"

Më: 13 dhjetor 2018 Në ora: 19:42
Fatmir Limaj

Nisma Socialdemokrate ka mbajtur takim përmbyllës me anëtarët e degës së saj në Prishtinë, ku kryetari i kësaj partie, Fatmir Limaj tha se nesër është një ditë historike, pasi Kuvendi i Kosovës do të votojë për krijimin e Ushtrisë së Kosovës, e cila komandant të saj të parë e ka Adem Jasharin.

Limaj po ashtu tha “lum për ata djem dhe vajza që do të veshin uniformën e ushtrisë së Kosovës".

“Është një moment i veçantë, që një moment i tillë historik, Kosova përfundimisht po e ndërton një shtyllë të saj të shtetësisë, siç është ushtria. Të kthehemi mbrapa dhe të kujtojmë të gjitha ata burra dhe gra, të cilët që kanë bërë të mundur lirinë e Kosovës, të gjithë ata burra e gara që kanë bërë të mundur të bëjmë një ëndërr realitet, nesër do ta kenë realitet ushtrinë  e tyre. Nuk ka privilegj më të madh, dhe një ushtri nuk mund të jetë më e nderuar, pasi rrallë ndodh të ketë një privilegj një ushtri e krijuar, siç po krijohet nesër kjo e jona, e në themelet e saj dhe në bazën e saj, e që do të jetojë përjetësisht, rekrutet që do të vinë, do ta kujtojnë me respekt gjeneratë pas gjenerate, se komandanti i kësaj ushtrie ka qenë Adem Jashari”,  tha Limaj.   

I pari i Nismës, pohoi se sot Kosova nuk është një shprehje gjeografike, siç ishte dje, por një shtet i qytetarëve të saj, dhe qytetarët duhet të vendosin çka do të bëjnë me shtetin tonë. Ai ftoi të rinjtë dhe intelektualët, që t’i bashkojnë forcat dhe energjitë pozitive, në ndërtimin e shtetit.

“Ju të ri më shumë se kurrë, vendi juaj ka nevojë për ju, ne kemi nevojë për ju, për energjitë e juaja. Intelektual të nderuar, ne kemi shumë nevojë për ju, për profesionalizimin e juaj, eksperiencën e juaj, vendi ka nevojë për të gjithë ne. Kosova sot, më shumë se kurrë, të bashkimit të energjive pozitive, për ta quar edhe një hap më tutje shtetin tonë”, tha Limaj.  

Kryetari i degës së Nismës për Prishtinë, njëherit ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica tha se programi i Nismës po kuptohet dhe përkrahet çdo ditë, nga të gjitha shtresat e shoqërisë, ndërsa tani ka gjetur zbatim edhe në qeveri.

“Qytetarët e Kosovës, tash më e kanë kuptuar se Nisma tashmë është një parti e mirëfilltë socialdemokrate, që angazhohet për një Kosovë, ku mbizotëron rendi dhe ligji, ku barazia sociale u takon të gjithë qytetarëve pa dallim, dhe arsimi cilësor është objektivë, ku fëmijët të rritën të lumtur, të drejta e punëtorëve të afirmohen, ku nënat dhe baballarët tanë pensionistë, trajtohen dinjitetshëm, aty ku mbrohet dhe përkrahet prodhimi vendor”, tha Reçica.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat