“Sot janë gëzuar ushtarët e Ibrahim Rugovës dhe ushtarët e Adem Jasharit”

Aktuale

“Sot janë gëzuar ushtarët e Ibrahim Rugovës dhe ushtarët e Adem Jasharit”

Nga: Bota sot Më: 14 dhjetor 2018 Në ora: 15:39

(E plotësuar) -  Në ceremoninë e parakalimit të parë të Ushtrisë së Kosovës ka folur edhe kryeministri i vendit Ramush Haradinaj.

Ai pasi ka përshëndetur të pranishmit ka thënë se: “Rreshti është fjala e parë që mësohet në ushtri, e neve na është mohuar rreshti, tash e sa kohë”.

Haradinaj tha se Ushtria e Kosovës është ushtri e paqes.  Po ashtu, ai tha se  sot janë gëzuar ushtaret e Ibrahim Rugovës dhe ushtaret e Adem Jasharit.                                                                         

“Ne sot po hyjmë në paqe, ushtria e fundit u rreshtua si ushtri e paqes. Të fundit kemi hyrë në paqe, të fundit do ta lëshojmë paqen”, ka thënë Haradinaj

Ai gjithashtu ka thënë duke iu referuar një thënie të Gjeneralit Mattis se: “Nuk ka mik më të mirë se FSK, por nuk ka armik më të keq sesa FSK”.

Haradinaj është shprehur se “Ushtria e Kosovës është ushtri e paqes. Serbët në jug dhe në veri dhe në jug, janë të këtij vendi dhe kjo ushtri është edhe ushtria e tyre”.

Ai tha se Kosova ka ardhur tek rreshti për të ndihmuar paqen dhe jo për ta rrezikuar atë.

 

Veseli: Ditëlindjeve të mëdha të popullit tonë iu shtua edhe ditëlindja e Ushtrisë

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë sot në ceremoninë festive me rastin e miratimit të ligjeve për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur, se sot është dita të cilën brezat që do të vijnë do ta kujtojnë me respekt e krenari.

Ai tha se kjo ngjarje shënon edhe një ditëlindje tjetër të madhe në vargun e ditëlindjeve të mëdha të popullit tonë, Ditëlindjen e Ushtrisë së Kosovës.

Kryetari i Kuvendit tha se  kombi shqiptar gjatë ekzistencës së tij, asnjëherë nuk sulmoi askënd, asnjëherë nuk ushqeu ambicie në dëm të të tjerëve dhe në zemrat e pjesëtarëve të tij kurrë nuk zuri vend urrejtja kundër të tjerëve.

 “Krejt çfarë deshëm ishte të mbrojmë veten tonë, atdheun tonë, dinjitetin dhe lirinë tonë. Dhe për këtë mjafton të kujtojmë dy lëvizjet e fundit historike: Lëvizjen e rezistencës paqësore të viteve ’90-të dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ne e dimë, me siguri dhe pa mëdyshje, por edhe e ardhmja e afërt do ta konfirmojë drejtësinë e plotë të kauzës sonë çlirimtare dhe të gjithë atyre që bartën mbi supet e tyre këtë kauzë. Ne besojmë te drejtësia, sepse ne kemi luftuar vetëm për drejtësinë. Ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi në anën e drejtë të historisë”, theksoi kryeparlamentari Veseli.     

Në vazhdim të fjalës së tij, Veseli shtoi se e ardhmja e Kosovës është e sigurt dhe ka vetëm një emër: integrim në familjen e madhe euro-atlantike.

“Ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera perëndimore, të cilat i falënderojmë për ndihmën e pakursyer që i dhanë popullit tonë për lirinë, shtetndërtimin dhe tash për Ushtrinë”, tha Veseli.

Kreu i Kuvendit tha se Ushtria e Kosovës do të jetë vazhdim i këtij përcaktimi human të dëshmuar si popull gjatë historisë, pra një ushtri për veten dhe botën demokratike. Zbërthyer në terma të sigurisë, shtoi kryeparlamentari Veseli, kjo do të thotë: një ushtri për sigurinë e vendit, një ushtri për stabilitetin dhe paqen demokratike në rajonin tonë, një ushtri në aleancë me NATO-n dhe në shërbim të vlerave të lirisë dhe demokracisë.

 Ai tha se Ushtria e Kosovës do ta pasqyrojë vizionin euro-atlantik të shtetit tonë, rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe pasurinë tonë të madhe njerëzore e kulturore: komunitetet etnike të Kosovës. “Uniforma e Ushtrisë së Kosovës do të jetë uniformë nderi e krenarie për shqiptarët e Kosovës, për serbët, për turqit, boshnjakët, malazezët, romët, ashkalinjtë dhe egjiptasit e Kosovës. Uniforma e Ushtrisë së Kosovës do të jetë uniformë e paqes, fqinjësisë së mirë dhe Aleancës Veri-Atlantike. Urime të gjithë qytetarëve të Kosovës, kudo që jetojnë e veprojnë në atdhe dhe diasporë”, tha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Thaçi: Transformimi i FSK-së do të bëhet në bashkëpunim dhe në koordinim me NATO-n

Presidenti Thaçi në ceremoninë qendrore për transformimin e FSK-së i ka uruar ushtrinë çdo pjesëtari të FSK-së, çdo qytetari të Kosovës, derisa ka shprehur nderimet më të thella për çdo dëshmor që ka dhënë jetën që ne të gëzojmë edhe këtë ditë.

“Sot përmbyllëm një proces të nisur para shumë vitesh. Morëm një hap të rëndësishëm drejt përmbylljes së shtetësisë sonë pasi ushtria është shtyllë e shtetit. Kjo është meritë, para së gjithash e çdo pjesëtari të FSK-së, e punës së tyre, e profesionalizmit të vet. Falë kësaj pune është bërë e mundur që të ecim përpara në zgjerimin e mandatit të FSK-së, që të bëhet ushtri e vërtetë e Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit, njëherësh Komandant Suprem, ka thënë se FSK-ja sot nuk është vetëm ushtri, por ajo është kthyer në institucionin më të besueshëm në Kosovë.

“Është bërë institucion që më së miri paraqet vlerat e Kosovës, të shoqërisë sonë. Bashkëjetesa, solidariteti, përkushtimi, profesionalizmi, janë vlerat e FSK-së, por edhe të tërë shoqërisë sonë”, ka thënë Thaçi.

Një falënderim të veçantë ka pasur edhe për të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët me votën e tyre sot i hapën rrugë transformimit të FSK-së.

I pari i vendit ka thënë se të bashkuar do të jemi më të fuqishëm dhe do të marrim vendime më të guximshme për Kosovën, për të ardhmen tonë.

“Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës do të bëhet në bashkëpunim dhe në koordinim me NATO-n dhe partnerët tanë në botë, të cilët dëshirojnë të ndërtohet paqe e qëndrueshme në Kosovë dhe në rajonin tonë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se gjatë karrierës së tij ka mbajtur poste të ndryshme dhe ka kryer detyra të ndryshme.

“Por, ndër ato që më jep më së shumti nder e kënaqësi është të jem Komandant Suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Presidenti ka thënë se sot shikon drejtë çdo ushtari të FSK-së, pa dallim përkatësie etnike e pa dallim gjinie, duke ditur se ata kanë në zemër Kosovën dhe të mirën tonë dhe të fëmijëve tanë.

Image

Nis ceremonia për Ushtrinë e Kosovës 

Tre krerët e lartë të shtetit sapo kanë parakaluar në ceremoninë shtetërore për Ushtrinë e Kosovës.

Hashim Thaçi i veshur me uniform të ushrisë, Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj bashkë nën ritmin e himnit shtetëror parakaluan në tepihun e kuq.

Sot Kuvendi i Kosovës miratoti projektligjet për FSK’më, që mundësojnë krijimin e Ushtrisë.

Image

***

Pas seancës plenare të Kuvendit të Kosovës ku u votuan tri projektligjet që ndërlidhen me transformimin e FSK-së, ka nisur pritja shtetërore nga institucionet e Republikës së Kosovës.

Ceremonia po mbahet në ambientet e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Përgatitjet e fundit për parakalimin e ushtrisë së Kosovës

Pas seancës plenare të Kuvendit të Kosovës ku u votuan tri projektligjet që ndërlidhen me transformimin e FSK-së, ka nisur pritja shtetërore nga institucionet e Republikës së Kosovës.

Ceremonia po mbahet në ambientet e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës.

***

Në Kazermën e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, janë bërë të gjitha përgatitjet për ceremoninë zyrtare, ku do të parakalojë ushtria më e re në botë, Ushtria e Kosovës.

Ceremonia do të nisë nga ora 17:00 në kazermën "Adem Jashari", ku do të ketë shumë musafirë të ftuar enkas nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, raporton “Bota sot”.

Gati për këtë ngjarje janë edhe automjetet ushtarake – multifunksionale të cilat shtetit tonë, ia kanë dhuruar Shtetet e Bashkuara të Kosovës, që dhanë mbështetje të pakufizueshme për ushtrinë.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 107 vota Projektligjet për formimin e ushtrisë së Kosovës./BS

Image
Image
Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat