Thaçi: Transformimi i FSK-së do të bëhet në bashkëpunim dhe në koordinim me NATO-n

Aktuale

Thaçi: Transformimi i FSK-së do të bëhet në bashkëpunim dhe në koordinim me NATO-n

Më: 14 dhjetor 2018 Në ora: 17:28
Presidenti Thaçi

Presidenti Thaçi në ceremoninë qendrore për transformimin e FSK-së i ka uruar ushtrinë çdo pjesëtari të FSK-së, çdo qytetari të Kosovës, derisa ka shprehur nderimet më të thella për çdo dëshmor që ka dhënë jetën që ne të gëzojmë edhe këtë ditë.

“Sot përmbyllëm një proces të nisur para shumë vitesh. Morëm një hap të rëndësishëm drejt përmbylljes së shtetësisë sonë pasi ushtria është shtyllë e shtetit. Kjo është meritë, para së gjithash e çdo pjesëtari të FSK-së, e punës së tyre, e profesionalizmit të vet. Falë kësaj pune është bërë e mundur që të ecim përpara në zgjerimin e mandatit të FSK-së, që të bëhet ushtri e vërtetë e Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit, njëherësh Komandant Suprem, ka thënë se FSK-ja sot nuk është vetëm ushtri, por ajo është kthyer në institucionin më të besueshëm në Kosovë.

“Është bërë institucion që më së miri paraqet vlerat e Kosovës, të shoqërisë sonë. Bashkëjetesa, solidariteti, përkushtimi, profesionalizmi, janë vlerat e FSK-së, por edhe të tërë shoqërisë sonë”, ka thënë Thaçi.

Një falënderim të veçantë ka pasur edhe për të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët me votën e tyre sot i hapën rrugë transformimit të FSK-së.

I pari i vendit ka thënë se të bashkuar do të jemi më të fuqishëm dhe do të marrim vendime më të guximshme për Kosovën, për të ardhmen tonë.

“Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës do të bëhet në bashkëpunim dhe në koordinim me NATO-n dhe partnerët tanë në botë, të cilët dëshirojnë të ndërtohet paqe e qëndrueshme në Kosovë dhe në rajonin tonë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se gjatë karrierës së tij ka mbajtur poste të ndryshme dhe ka kryer detyra të ndryshme.

“Por, ndër ato që më jep më së shumti nder e kënaqësi është të jem Komandant Suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Presidenti ka thënë se sot shikon drejtë çdo ushtari të FSK-së, pa dallim përkatësie etnike e pa dallim gjinie, duke ditur se ata kanë në zemër Kosovën dhe të mirën tonë dhe të fëmijëve tanë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat