Seanca e jashtëzakonshme në ora 14:00, LDK e VV nuk marrin pjesë

Aktuale

Seanca e jashtëzakonshme në ora 14:00, LDK e VV nuk marrin pjesë

Më: 15 dhjetor 2018 Në ora: 10:31
Avdullah Hoti

(E plotësuar) -Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka njoftuar se deputetët e partisë së saj nuk do të marrin pjesë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.

Ajo përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se VV-ja nuk bënë pazare në dëm të vendit.

Postimi i plotë:

As 24 orë nuk pritën nga votimi i ligjeve për transformimin e FSK- së. Me nxitim, tinëzisht, natën e ftuan seancën e jashtëzakonshme për të legjitimuar tradhëtinë e tyre.

Qeverisë së pakicës i është bashkangjitur edhe pakica e opozitës, e dialogu nuk mund të zhvillohet nga ata që nuk kanë legjitimitet, andaj nuk duhet të vazhdoi para zgjedhjeve të reja dhe pa marrë mbështetjen e qytetarëve.

Cila është ngutia për të vazhduar dialogun me Serbinë? Cila është arsyeja që Shpendi të jetë në një ekip me Bexhet Pacollin, Dardan Gashin, Enver Hoxhajn e të tjerêt, të gjithë bashkë pas Thaçit e për të?

Në fakt tradhtia duket e vështirë e e pamundur herën e parë, pastaj s’është më as problem e as befasi. Kur tradhtuan idealin, programin, besimin e qytetarëve, asgjë më s’është e papritur.

Ne nuk do të marrim pjesë në këtë seancë, e as në këto pazare në dëm të vendit.

Image

Kryesia e Kuvendit të Kosovës është marrë vesh sot paradite, që në orën 14:00 të mbahet seancë e jashtëzakonshme e cila pritet të miratojë ekipin negociator për dialogun me Serbinë.

Partitë në pushtet me përkrahjen e Partisë Socialdemokrate pritet që do të miratojnë rezolutën e propozuar nga PSD për dialogun me Serbinë, ku asnjë institucion, përveç Kuvendit, nuk do të ketë monopol mbi dialogun.

Ndërkohë që Lidhja Demokratike e Kosovës deklaroi se nuk do të marrë pjesë në këtë seancë, të cilën po e konsiderojnë “teatër të një qeverie pa legjitimitet e cila e ka futur nën sqetull PSD-në”.

Në seancën e sotme që ka për qëllim miratimin e rezolutës për dialogun me Serbinë, e propozuar nga PSD, dhe miratimin e ekipit që do të udhëheq këtë dialog, nuk do të marrë pjesë LDK.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, disa minuta pasi filloi mbledhja e kryesisë, doli para gazetarëve dhe tha se nuk mund të ketë dialog pa legjitimitet.

Ai tha se LDK nuk merr pjesë në këtë seancë.

Hoti: Rezoluta është përpjekje e dështuar e PSD-së për të fshehur koalicionin që e ka me PAN-in

“Ne vlerësojmë se ky veprim është teatër i qeverisë pa legjitimitet, që tash fatkeqësisht e ka marrë nën sqetull edhe PSD-në. Kjo rezolutë është përpjekje e dështuar e PSD-së për të mbuluar koalicionin e fshehtë që kanë me PAN-in. Duhen ta kenë të qartë të gjithë se pa legjitimitet nuk ka dialog, rrugë tjetër nuk ka për të hyrë në këto procese të rëndësishme. Duhet të theksoj dy çështje që nga këndvështrimi i LDK-së janë tepër të rëndësishme dhe janë bazament për të shkuar tutje. E para që platformë për dialog është vetëm Kushtetuta e Kosovës, nuk mund të ketë kurrfarë platforme që del mbi Kushtetutën e Kosovës dhe e dyta nuk mund të stimulojmë ekipe për dialog, pasi ekipe për dialog është vetëm qeveria që ka legjitimitet qytetarë, qeveri e shumicës që flet në emër të shumicës”, tha ai.

Pas mbledhjes së kryesisë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, tha se Kosova nuk i frikësohet dialogut me Serbinë. 

Veseli: Seanca e sotme ka të bëjë me ndaljen e ofensivës së Vuçiqit dhe Serbisë

“Do të jetë një seancë e jashtëzakonshme që ka të bëjë me dialogun, për të thënë më konkretisht ka të bëjë me ndaljen e ofensivës së Vuçiqit dhe Serbisë për t’u paraqitur të moderuar para Bashkësisë Ndërkombëtare, për të treguar se Kosova ka zotësinë, ka legjitimitetin dhe ka mundësinë që t’i përgjigjet çdo sfide. Ne shkojmë në dialog me Serbinë, ne nuk i frikësohemi këtij dialogu, për vet faktin që jemi shtet i pavarur dhe sovran, se ne shkojmë për ta na njohur Serbia nga ky peces i dialogut, dhe për të fituar ulëse në OKB. Ky është qëndrimi që do të jetë i deputetëve sot, përmes dhënies së dritës jeshile për futjen në procesin e dialogut”, tha ai.

Sipas propozuesve të rezolutës, në këtë formë Kuvendi arrin të marrë përgjegjësinë që i takon.

Dardan Sejdiu i PSD-së tha se asnjë institucion nuk do të ketë më monopol mbi dialogun, por Kuvendi do të ketë përgjegjësinë e vetme.

Sejdiu: Nëse kalon rezoluta sot, Kuvendi bëhet hisedari i vetëm në çështjen e dialogut

“Ligji është nënshkruar nga të gjithë liderët e pushtetit, ata janë dakorduar që ky do të jetë ligji me të cilin kornizohet dialogu. Asnjë institucion nuk ka më monopol në dialog, i vetmi institucion i cili e ka përgjegjësinë dhe monopolin për vendimmarrje, është Kuvendi, dhe kjo besoj është një arritje e jashtëzakonshme për Republikën e Kosovës. dhe, nuk duhet të bëjmë trajtim të përvetshëm, por duhet të themi se nëse votohet sot, nëse kalon kjo rezolutë, atëherë e kemi një situatë të re në dialog me Serbinë, e kjo situatë është që Kuvendi i Kosovës bëhet hisedari i vetëm dhe kryesor në dialog me republikën e Serbisë”, tha ai.

Para gazetarëve, Avdullah Hoti përmendi edhe njëherë letrën që në shtator ia kishin dërguar katër grupet parlamentare të opozitës, ndërmjetësueses Federica Mogherini, duke i thënë se qeveria nuk ka legjitimitet dhe se platforma për dialogun mund të votohet vetëm nga dy të tretat në Kuvend.

E tani Hoti tha se PSD po vepron në kundërshtim me atë se çka kishte deklaruar.

Avdullah Hoti tha se kërkojnë një qeveri të fuqishme që merr përsipër procese kaq të rëndësishme dhe të involvohen të gjithë në këtë proces.

Por Memli Krasniqi i Partisë Demokratike të Kosovës, mendon se LDK i ndërron qëndrimet shumë shpesh, siç tha ai, më shpesh sesa ndërron moti në Kosovë.

Krasniqi: Qëndrimet e LDK-së ndërrojnë më shpesh se moti në Kosovë

“Unë nuk kam komente më për qëndrimet e LDK-së sepse ato ndërrojnë më shpesh sesa ndërron moti në Kosovë, e në Kosovë moti ndërron shpesh, disa herë brenda ditës. Nëse deri dje kanë thënë që duhet me ardh me një rezolutë e sot s’po u pëlqen rezoluta, deri dje kanë thënë se duhet me pas legjitimitet të Kuvendit, e ky Kuvend ka legjitimitet sepse janë deputetët që i japin legjitimitetin, tash paskan dalë me një ide tjetër, mendoj që nuk kanë qëndrim të qartë për asgjë, veçanërisht për asgjë”, tha ai.

Ai tha se nëse votohet rezoluta, Kuvendi do të mund të mbrojë interesat nacionale shtetit.

Krasniqi shtoi se me këtë rezolutë opozita e ka mundësinë e bllokimit të secilit vendim që mendojnë që është i dëmshëm për Republikën.

Në mbledhjen e kryesisë në të cilën u vendosë që seanca të mbahet sot në orën 14:00, nuk ishte i pranishëm përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje./

Image

***

Shefi i grupit parlamentar të partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha se opozita ka kërkuar rezolutë të përbashkët për dialogun me Serbinë, ndërsa, sot kur mbahet seanca në të cilën është paraparë rezoluta, opozita po ikë.

"PDK ka mbështetur thirrjen e kësaj seance. Konsiderojmë që është e rëndësishme që të arrihet një koncensusus për arritjen e marrëveshjes. Opozita ka kërkuar rezolutë të përbashkët, e sot kur e kemi rezolutën ata ikin. Komentet e LDK-së ndërrojnë më shpesh se moti në Kosovë. Ata nuk kanë qëndrim të qartë për asgjë".

***

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli është shprehur se seanca e jashtëzakonshme që do të mbahet sot do të jetë për t’i treguar presidentit serb Aleksander Vuçiq se Kosova ka zotësi.

Po ashtu u shprehë se Kosova nuk i frikësohet dialogut.

“Seanca e jashtëzakonshme ka të bëjë me ndaljen e ofensivës së Vuçiqit për të treguar se Kosova ka zotësi. Ne nuk i frikësohemi këtij dialogu.”, u shprehë Veseli

Kryeparlamentari tha se kjo seancë është e plotfuqishme.

“Janë 42 nënshkrime të deputetëve që e bëjnë të plotfuqishëm seancën.”, përfundoi ai.

Seanca e jashtëzakonshme në ora 14:00

Shefi i grupit parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu tha se seanca e jashtëzakonshme mbahet sot në orën 14:00, dhe ka vetëm një pikë të rendit të ditës, mocionin përmbajtjesor për dialogun me Serbinë.

Ai tha se nëse votohet rezoluta, Kuvendi bëhet vendi në të cilën vendoset për platformën , orienton dhe monitoron dialogun me Serbinë.

Sipas tij, asnjë institucion më nuk ka monopol në dialog dhe i vetmi që është hisedari është Kuvendi i Kosovës.

LDK nuk merr pjesë

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, pas mbledhës së kryesisë së Kuvendit, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk merr pjesë më seancën e sotme të Kuvendit.

Ai tha se LDK vlerëson që duhet legjitimitet qytetarë për procese të rëndësishme.

" Ne vlerësojmë se ky është Teatër i qeverisë pa legjitimitet që fatkeqësisht e ka marrë nën sjetull edhe PSD-së. Kjo rezolutë është përpjekje e dështuar e PSD-së për ta mbuluar koalicionin e fshehtë që e ka me PAN-in.  Platformë për dialog është vetëm Kushtetuta e Kosovës. Nuk mund të ketë platformë që del mbi Kushtetutën e Kosovës. Grupi jonë parlamentar nuk merr pjesë në këtë seancë", tha ai.

Nis mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, mungon partia e madhe opozitare

Para pak momentesh ka nisur mbledhje e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës. 

Në këtë mbledhje mungon Vetëvendosja, ndonëse Lidhja Demokratike e Kosovë është e pranishme në mbledhje. 

Po ashtu, pjesë e saj janë edhe të gjithë përfaqëuesisit e subjekteve politike në pozitë. 

Rikujtojmë që pas mbledhje së kryesisë, Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë seancë të jashtëzakonshme.

Siç ka njoftuar Kuvendi, në rend të ditës do të jetë vetëm një pikë “kërkesa e 42 deputetëve për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për miratimin e Projekt-rezolutës mbi procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat