Qeveria dhe PSD-ja miratojnë rezolutën për dialogun, Shpend Ahmeti kryenegociator i dialogut

Aktuale

Qeveria dhe PSD-ja miratojnë rezolutën për dialogun, Shpend Ahmeti kryenegociator i dialogut

Nga: Bota sot Më: 15 dhjetor 2018 Në ora: 14:53
Visar Ymeri

(E plotesuar) - Deputetët e koalicionit qeverisës bashkë me deputetët e PSD’së kanë votuar rezolutën e propozuar nga partia e Shpend Ahmetit.

Me 59 vota për, 2 abstenime Kuvendi e miratoi rezolutën për ekipin negociator me Serbinë, të propozuar nga PSD’ja.

Sipas kësaj rezolutë, Ahmeti bëhet bashkëkryesues i dialogut me zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj.

***

Deputeti i PSD-së, Visa Ymeri në seancën e jashtëzakonshme ka bërë publike emrat e delegacionit shtetëror i cili përbëhet nga 12 anëtarë, prej të cilëve 7 do të jenë nga koalicioni qeveritarë, 4 nga opozita dhe një përfaqësues i shoqërisë civile.

Ymeri tha se nuk do të ketë asnjë marrëveshje që nuk e njeh shtetin e Kosovës. Ai u bëri thirrje LDK-së dhe Vetëvendosjes që të bëhen pjesë aktive e procesit të dialogut. Ai tha se sjelljet e tyre nuk janë kundërshtime opozitare.

Ymeri tha se me rezolutën që po e paraqesim sot Kuvendi vendosen të themelojë delegacionin shtetëror.

Ai tha se përbrenda këtij procesi delegacioni obligohet të punojë sipas kësaj kornize.

Sipas tij, Republika e Kosovës synon të zhvillojë dhe mbajë fqinjësi të mirë, të anëtarësohet në NATO. Ymeri tha se Kuvendi nuk përkrah tjetër proces të dialogut, nuk përkrah bisedime që kontestojnë shtetësinë e Kosovës.

Ymeri: Delegacioni shtetëror përbëhet nga 12 anëtarë

“Delegacioni shtetëror përbëhet nga 12 anëtarë, prejt të cilëve 7 do të jenë nga koalicioni Qevëria, 4 nga opozita dhe një përfaqësues i shoqërisë civile. Kështu brenda delegacionit është krijuar pjesëmarrja e barabartë. Vendimet në delegacion do të jenë unanime dhe konsensuale. Në këtë proces Kuvendi do të themelojë një komision të veçantë që e mbikëqyr dialogun në secilën fazë të tij”, tha ai.

Ai tha se kjo rezolutë i adreson të gjitha çështjet e ngritura deri tash. Sipas tij, vendimamarrja baret te delegacioni shtetëror që mandatohet.

“Nuk mund ta kuptoj asnjë kundërshtim këtu”, tha ai.

Ymeri lexoi edhe emrat e delegacionit Shend Ahmeti, Fatmir Limaj, kryesues dhe anëtar Enver Hoxhaj, Avdni Arifi, Behxhet Pacolli, Mahir Yagcilar, Dardan Gashi, një përfaqësues i shoqërisë civile, si dhe dy ende të rezervuara për LDK-në dhe VV-në, në të cilën do të mandatohen Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani derisa këto dy subjekte politike të vendosin për emërat.

Fillon seanca pas 7 orësh, deputetët e pozitës dhe të PSD-së në sallë

Pas disa shtyrjesh të një pas njëshme, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës ka nisur seancën e jashtëzakonshme në të cilën pritet të votohet rezoluta e propozuar nga PSD-ja për dialogun Kosovë-Serbi.

Seanca fillimisht ishte paralajmëruar se do të fillonte në orën 14:00, megjithatë u shty për në orën 16 e 30, pasi një deputetes së PDK-së i kishte vdekur një i afërm i familjes.

Por seanca nuk nisi as në orën 16:30, pasi në Kuvend assesi nuk po arrihej kuorumi i duhur për të kaluar rezolutën e propozuar nga PSD. 

***

Vdekja e një vëllait të deputetes së PDK-së, Megjide Mjaku, ka bërë që seanca të shtyhet për në ora 16:30.

Mirëpo, në këtë seancë kur pritet tëdiskutohet për rezolutën e PSD-së, ende nuk ka filluar, pavarësisht që janë bërë një orë nga koha e caktuar për nisjen e seances.

Seanca e Kuvendit, mungojnë disa deputetët

Madje, në sallë është  kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe vetëm disa deputetë.

Rezoluta e PSD-së kërkon përfshirje të opozitës në negociatat me Serbinë.

Sipas kësaj rezoluta që po pritet të votohet, Shpend Ahmeti do të ishte bashkëkryesues i delegacionit me Fatmir Limajn.

Shtyhet seanca e jashtëzakonshme, Haradinaj konfirmon marrëveshjen me PSD-në 

Për shkak të mungesës së deputetëve në Kuvend, ishte shtyrë seanca për rezolutën e dialogut për negociata me Serbinë, për ora 16:30.

Ndonëse pati shtyrje të seancës për më shumë se një orë deputetët ende nuk kanë arritur në sallë.

Sido qoftë, Ahmet Isufi, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, nga Kuvendi, ka thënë se rezoluta sot do të marr epilog.

Sot pritet të votohej rezoluta e Partisë Socialdemokrate për ekipin negociues me Serbinë.

Rezoluta gjenë përkrahjen e pozitës dhe PSD-së, por jo edhe të dy partive tjera opozitave, LDK-së dhe VV-së.

LDK e Vetëvendosje po kundërshtojnë rezolutën e PSD-së, sipas së cilës ekipit negociues duhet t’i bashkohet opozita dhe Shpend Ahmeti të bëhet bashkëkryesues.

***

Është shtyrë seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës ku pritet të votohet rezoluta për dialogun.

Koalicioni qeveritar dhe Partia Socialdemokrate kanë arritur dakordancë dhe kjo rezolutë pritet të kalojë.

Mirëpo, seanca është shtyrë të mbahet në ora 16:30, ndërsa Bilall Sherifi, shefi i Grupit Parlamentar i Nismës për Kosovën ka treguar arsyet.

“Arsyet janë objektive, deputetët nuk kanë mund të arrijnë me kohë”, tha Sherifi për Kk.

Ai gjithashtu tha se një deputet ka rast vdekje. 

Haradinaj: Me votimin e rezolutës Kuvendi merr primatin në dialog

Në prag të mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme për miratimin e rezolutës së PSD-së për dialogun me Serbinë, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka thënë se ka dakordim mes grupeve parlamentare, mirëpo, siç thotë ai, duhet të pritur se a do të mundet koalicioni qeverisës të kryej gjatë ditës së sotme këtë votim.

Haradinaj, theksoi rolin që ka kjo rezolutë.

Sipas tij, duhet të vepruar sa më shpejtë, pasi Serbia po krijon avantazhe, duke e shfrytëzuar vendimet e Kosovës për t’u arsyetuar se ne nuk po investojmë në dialog.

Haradinaj: Duhet të veprojmë, jo  të presim pa kufij

“Mirë është të veprojmë, jo të presim pa kufij. Serbia po krijon avantazhe në raport me ne. Serbia e paraqet pozitën tonë si të pa interesuar. E shfrytëzon vendimet tona si atë të ushtrisë dhe taksës për me thënë se Kosova nuk po investon për dialogun, por vetëm për t’u larguar nga dialogu... ekziston mundësia në të ardhmen që me pas përkrahjen e LDK-së dhe VV-së”, ka thënë i pari i qeveris Haradinaj.

Haradinaj foli dhe për rolin e presidentit Thaçi, ku tha, se, detyrat e tij, në dialog janë kushtetuese, mirëpo, tashmë me votimin e kësaj rezolute parlamenti  ka primatin.

Ndërsa, për refuzimin me qenë pjesëmarrës në këtë seancë partitë opozitare, Haradinaj theksoi se dialogu ka me qenë më transparent, sipas tij, do të informojnë gjitha partitë tjera për proceset që do të ndodhin.

Haradinaj: Do të jemi më transparent para parlamentit

“Funksionet e presidentit janë kushtetuese, ato nuk ndryshojnë megjithatë parlamenti mandaton një delegacion që është zhvillim i mirë.... duhet të ketë marrëveshje për të gjitha, psh ne nuk kemi marrëveshje të bërë gati për tregti të lirë, për atë arsye tani e kemi vendosur taksën, kur të largohet taksa në ditën e njohjes duhet të nënshkruajmë një marrëveshje për tregti të lirë”, ka thënë ai.

***

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës e cila ishte paraparë të nis në orën 14:00, është shtyrë deri në orën 16:30, siç u tha për shkaqe objektive.

Seanca është paraparë të mbahet me kërkesë të 42 deputetëve për miratimin e projekt-rezolutës mbi procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Në seancë nuk do të marrin pjesë deputetët e LDK-së dhe VV-së, por as deputetët e koalicionit qeverisës nuk janë parë në sallën e seancave. Media merr vesh se deputetët e PDK-së ishin në takim në zyret e grupit parlamentar.

***

Seanca e paraparë që të niste nga ora 14:00, është shtyrë për në ora 16:30.

Kryetari I Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, ka thënë se seanca po shtyhet për shkaqe objektive, duke mos dhënë detaje, transmeton "Bota sot".

Mirëpo, raportohet se shkak i shtyrjes së seancës, është një rast vdekje në familje, që i ka ndodhur njëri nga deputetëve të Partisë SocialDemokrate.  

Haradinaj konfirmon marrëveshjen me PSD-në për dialog 

Ramush Haradinaj e ka konfirmuar marrëveshjen me partinë opozitare, Partia Socialdemokrate për votimin e rezolutës të kësaj partie për dialogun.

Kryeministri ka thënë se nuk e di nëse kjo çështje do të kryhet sot, por nëse jo, kjo pritet të kryhet në ditët e ardhshme.

“Ka konsensus mas partive që janë pjesë e Qeverisë dhe PSD-së rreth çështjes së dialogut. Nuk e di nëse sot ka kuorum për të përfunduar kjo çështje, por nëse jo do të kryhet në ditët në vijim” ka thënë Haradinaj.

Rezoluta e PSD’së kërkon përfshirje të opozitës në negociatat me Serbinë.

Sipas kësaj reëzoluta që po pritet të votohet, Shpend Ahmeti do të ishte bashkëkryesues i delegacionit me Fatmir Limajn.

Seanca e paraparë për të filluar në orën 14:00 nuk ka filluar ende për shkak të mungesës së disa deputetëve.

Haradinaj: Ende s’kemi kuorum 

Kryeministri Ramush Haradinaj, para seancës së jashtëzakonshme për dialogun, në holl të Kuvendit tha se ka pajtim mes grupeve parlamentare të pozitës, por edhe me PSD-në.

“Pritet dakordimi për një ligj. Vendimi u mor dje, po presim të shohim nëse sot ka kuorum. Nëse ka kuorum përfundon sot, nuk e di a do të vijnë të gjithë deputetët, ende s’kemi kuorum. AAK-ja është gati për seancë”, tha Haradinaj.

Haradinaj tha se funksionet e presidentit Thaçit janë kushtetuese e nuk do të ndryshojnë, por dialogu duhet t’i kthehet Kuvendit.

“Kushdo që e përfaqëson Kosovën, do t’i pajisimin me materie të nevojshme. Ekzekutivi e ka për detyrë t’i përgatisë ata, ne do të jemi transparent dhe kemi punuar shumë në këtë drejtim.

Kryeministri tha se opozitën nuk e obligojnë të marrin pjesë, porse duhet të jenë pjesë e konsensusit.

“Duhet të ketë marrëveshje të shumta që ndërlidhen me temat me Serbinë. Duhet të kemi konsensus”, tha ai.

***

Kuvendi i Kosovës mban seancë të jashtëzkonshme për dialogun me Serbinë.

Në këtë seancë nuk do te marrin pjesë partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Partitë në pushtet me përkrahjen e Partisë Socialdemokrate pritet që do të miratojnë rezolutën e propozuar nga PSD për dialogun me Serbinë, ku asnjë institucion, përveç Kuvendit, nuk do të ketë monopol mbi dialogun.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat