Strategjia e Speciales për intervistim, shkel të drejtat e njeriut

Aktuale

Strategjia e Speciales për intervistim, shkel të drejtat e njeriut

Më: 15 dhjetor 2018 Në ora: 14:40
Gjykata Speciale

Dhomat e Specializuara të Prokurorisë që funksionojnë në kuadër të Gjykatës Speciale për krimet e luftës që pretendohet se janë kryer nga ish-eprorët e UÇK-së deri më tani kanë dërguar shtatë ftesat e para për intervistim të pjesëtarëve të UÇK-së.

Disa ish-pjesëtarë të UÇK-së janë intervistuar në Kosovë, ndërsa disa tjerë janë ftuar që të shkojnë në Hagë në janar.

Rrustem Mustafa, Sami Lushtaku, Sokol Dobruna, Nazif Mehmeti, Safet Syla,  Remzi Shala e Sabahujdin Cena janë shtatë emrat që deri më tani janë ftuar nga Specialja.

Disa nga këta persona, ftesat i kanë pranuar përmes telefonit, madje edhe përmes Viber-it dhe Ëhat’s App, por kjo mënyrë e të ftuarit  nga njohësit juridik po konsiderohen si shkelje. E lojë po konsiderohet edhe mungesa e informacionit se në çfarë cilësie po ftohen për marrje në pyetje.

Avokati, Tomë Gashi ka thënë se derisa nuk tregohet se në çfarë cilësie po ftohen për intervistim, pritet shpejt që një pjesë e të dyshuarve të bëhen të akuzuar.

Gashi: Gjithçka është lojë

“Absolutisht përbën shkelje, por është edhe më keq se kaq se ua vështirëson atyre grumbullimin e provave për mbrojtjen e tyre.Nëse ne  nuk jemi të vetëdijshëm se në çfarë cilësie po ftohemi si të dyshimtë apo si dëshmitar është një keqkuptim tepër i madh, që qon në zvarritje të procedurave, por dikush pa fajin e tij mund të dëmtohet jashtëzakonisht shumë.  Gjithçka është në lojë dhe shumë shpejt pritet që prej të dyshimtëve një pjesë e tyre të shndërrohen në të akuzuar”, tha Gashi.

Avokati Gashi pranon se i ka pranuar disa ftesa,  por që ato nuk ua ka kumtuar palëve, pasi që ato kryesisht janë  bërë përmes lidhjeve telefonike, e jo në formë të shkruar.

Gashi: Nuk kam pranuar t’i njoftoj pa pasur ftesa të shkruara

“Përafërsisht ka qe një  javë që tenton që të kontaktoj me mua dhe unë kam folur me ta do të thotë në lidhje telefonike për persona të caktuar të cilët janë lajmëruar në këtë zyrë për t’i mbrojtur. Ata nuk janë persona të rëndomtë në funksione të caktuara dhe unë nuk kam pranuar që as t’i njoftoj ata derisa nuk kam një ftesë në formë të shkruar, ftesa duhet me qenë origjinal, duhet me u shënua cilësia, në çfarë cilësie në të dyshimtit, apo të akuzuarit, apo dëshmitarit dhe ka mundësi të cilësisë së ekspertit...Kam kërkuar që të më dorëzohet materiali mbështetës së bashku me ftesën origjinale për klient të mi “, tha Gashi.

Avokati Gashi i cili është edhe i akredituar nga Gjykata Speciale shton se ky organ gjykues i votuar në Kuvendin e Kosovës ndaj askujt nuk do ketë amnisti, pavarësisht pozitës që ka mbajtur dikur, apo tani.

Sipas tij të gjithë ata që ftohen që të merren në pyetje duhet që të paraqiten, pasi që në të kundërtën krijohet situatë jo e mirë për personat tjerë që do ftohen për intervistim.

Por lidhur me ftesat për intervistim ndaj pjesëtarëve të UÇK-së, nënkryetari i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj  ka konsideruar se kjo gjykatë është etnike dhe fyen popullin shqiptar dhe luftën për liri.

Sipas Haradinaj një gjykim i tillë ndaj ish luftëtarëve të Kosovës po bëhet vetëm të arsyetohen krimet serbe në Kosovë.

Haradinaj: Kjo gjykatë e fyen shtetin e Kosovës

“Ne jemi për zbulimin e krimeve nëse ka , por jo një etnike jo raciale që vetëm për shqiptarë, sepse kjo e fyen popullin, kjo e fyen këtë shtet , kjo e fyen këtë pavarësi që është ndërtuar, kjo i fyen vetë shtetet anëtare të NATO-së sepse ishin aleate dhe bashkë luftëtare. Kështu deshëm e nuk deshëm nëse kjo del apriori kështu vetëm të demonizoj luftën e UÇK-së , të fyej vlera dhe paralelisht  apo në të kundërtën të fyej shtetin tonë mbi bazën në të cilën është ndërtuar”, ka shtuar Haradinaj.

Haradinaj  ka fajësuar deputetët e Kuvendit të Kosovës që e votuan themelimin e kësaj gjykate, sipas tij ata për interesat e tyre personale e votuan Gjykatën Speciale, prandaj ish luftëtarëve po iu bie të përballen me këtë gjykatë pa nevojë.

Haradinaj po ashtu ka thënë se një gjykim i tillë po bëhet vetëm për të arsyetuar fondet që janë marr për themelin e saj.

Haradinaj: Kjo gjykatë do të dështojë

“Unë kur kam thënë atëherë do të dështoj dhe nuk do formohet kam besuar plotësisht në vullnetin e deputetëve duke llogaritur në atë se janë njerëz të popullit, por si duket ata kanë keqpërdorur votat, kanë përdorur pozitat e tyre dhe për kolltukët e tyre thjeshtë të gjithë ata që kanë votuar për kolltukët e tyre, ata e lanë që të fyhet UÇK-ja edhe pse kur kanë lyp vota gjithmonë kanë lypur në emër të asaj lufte. Prandaj unë mendoj që kjo do jetë e dështuar, këto thirrje që janë marr janë marr sepse duhet të arsyetohen parat dhe mjetet që i kanë nda për dhomat, por si do që të ndodh duhet ditur se epilogu i kësaj gjykate ka filluar në Beograd, është ndërtuar në Beograd, po vjen nga Beogradi dhe po shkojnë sugjerimet nga Beogradi....Ndërkombëtarët ata iu intereson fondet me i harxhua disi sepse po të kishte prova dhe fakte nuk do të ishte shkuar kaq fortë prolonguar s epse dihet po arrestojmë këtë ditë po arrestojmë atë ditë shkuan vite”, tha Haradinaj.

Kurse, drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj ka thënë se strategjia që po përdor Prokuroria e Specializuar po i shkel të drejtat e njeriut, pasi siç thotë ai ftesat duhet të dërgohen përmes letër thirrjeve, dhe se duhet të tregohen se në çfarë cilësie po ftohen ata.

Sipas tij edhe mbrojtja duhet të jetë më e përgatitur në mënyrë që të jenë të barabartë me prokurorin që i merr në pyetje.

Miftaraj tutje ka shtuar se çdo person që ftohet për intervistim duhet të paraqitet, pasi ata mund të pësojnë dënim me gjobë apo edhe arrestim.

Sipas tij avokatët mbrojtës duhet të kërkojnë sqarime nga ana e zyrës së Prokurorisë në mënyrë që të ftuarit të jenë në dijeni se në çfarë cilësie po ftohen për intervistim.

Miftaraj: Të ftuarit e kanë obligim ligjor t’u përgjigjen ftesave të Prokurorisë së Specializuar

“Çoftë dëshmitarët apo çoftë të akuzuarit e kanë obligim ligjor tani më për t’iu përgjigjur ftesave, pasi që nëse ndodh e kundërta mund të ketë pasoja çoftë me gjobë e deri tek arrestimi i tyre në njëfarë mënyre për  t’i obliguar që me forcë t’i dërgojnë në Hagë për të dhënë dëshmitë e tyre. Në anën tjetër është puna e avokatëve mbrojtës në këtë rast të këtyre personave që të kërkojnë sqarime nga ana e zyrës së Prokurorit të Specializuar që t’i mbrojnë të drejtat e klientëve të tyre në mënyrë që të gjithë këta persona kur shkojnë në Hagë ta kenë të qartë nëse shkojnë si dëshmitar apo të pandehur”, ka shtuar.

Gjatë kësaj jave nga prokurorët e Speciales në zyrat e EULEX-it në Prishtinë është intervistuar për 18 orë u intervistua ish koloneli i UÇK-së, Safet Syla, ndërsa që nga dita e enjte është duke u intervistuar edhe ish kryetari i Gjykatës Ushtarake, Sokol Dobruna.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat