18 vjet nga vdekja e Jashar Salihut - Bota Sot
18 vjet nga vdekja e Jashar Salihut

Aktuale

18 vjet nga vdekja e Jashar Salihut

Më: 16 dhjetor 2018 Në ora: 07:27
Jashar Salihu

Sot janë bërë 18 vjet nga vdekja e Jashar Salihut, përfaqësuesit të parë diplomatik në Zvicër të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, dhe njëherësh edhe ish- kryetar i Këshillit për Administrimin e Fondit “Vendlindja thërret”, Jashar Salihu.

Që nga vitet e 70-ta, Jashar Salihu ishte anëtar i Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe viseve shqiptare në Jugosllavi. Respektivisht ishte ndër anëtarët më aktiv të grupeve ilegale të asaj kohe që vepronte brenda organizatës ilegale të quajtur Komiteti për Deçan, në kuadër të lëvizjes së udhëhequr nga ideologu, veprimtari më i shquar i çështjes kombëtare, Jusuf Gërvalla.

Bashkë me vëllain e tij Hajdarin, ishin dalluar për guximin e tyre politik që haptazi ju kundërviheshin qëndrimeve e veprimeve të udhëhequra nga ish-qendrat komuniste të organizuara përmes komiteteve komunale, që binin ndeshë me synimet dhe idealet e lëvizjes së mirëfilltë kombëtare për çlirim nga pushtimet sllave.

Vite më vonë vëllezërit Salihu, punuan si profesor në shkollën e mesme “Vëllezërit Frashëri” gjimnazi në Deçan. Më 1 maj të vitit 1990, do ta drejtojë tubimin tek Verërat e Llukës, ku kishte më se 500 mijë të pranishëm nga të gjitha trevat shqiptare, ku do të arriheshin 106 pajtime: 62 gjaqe, 25 plagë dhe 19 ngatërresa.

Në fund të këtij viti e arrestojnë dhe e torturojnë tmerrësisht, barbarisht. Por, asgjë nuk përfundon me kaq, ndjekja e tij do të vazhdojë edhe më tutje, në çdo hap, gjer aty sa ta detyrojnë të marrë rrugën e mërgimit. Veprimtaria e tij politike, në kuadër të ish-Lëvizjes Popullore të Kosovës, vetëm se do të shënojë ngritje dhe do të marrë dimensione të reja, të shumanshme.

Duke qenë paraprakisht në hierarkinë më të lartë drejtuese të saj, me nismën e tij në vitin 1993, do të formohet Fondi “Vendlindja thërret”, fond i cili fillim e mbarimin ka qenë në funksion të formimit të vetëfinancimit të luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Që nga ky vit, pra që nga koha e themelimit, Jashar Salihu ka qenë kryetar i Këshillit për Administrimin e Fondit “Vendlindja thërret”. Në sensibilizimin e opinionit perëndimor me të vërtetën për luftën e drejtë të Kosovës kundër forcave kriminale të Millosheviqit, roli i Jasharit është i pazëvendësueshëm, dhe rrjedhimisht, po dëshmohej se jo rastësisht në kuadër të Drejtorisë Politike të UÇK-së. Ai ishte anëtar i Grupit për Marrëdhënie me Jashtë, ndërkaq që më vonë do të jetë përfaqësuesi i parë diplomatik i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës në Zvicër.

“Shqiptarët e Kosovës janë evropianë dhe nuk kanë lidhje me vendet islamike. Ata janë të vendosur të luftojnë deri në fund”, i ka deklaruar Jashar Salihu gazetës amerikane “The Christian Science Monitor”, të datës 16 prill 1998, duke mbrojtur kështu dhe përhapur të vërtetën për shqiptarët dhe vlerat civilizuese perëndimore të luftës së UÇK- së, njëkohësisht duke demantuar propagandën antishqiptare të regjimit kriminal të Millosheviqit dhe satelitëve të tij.

Jashar Salihu lindi në fshatin Batushë më 10 shkurt 1953. Shkollimin fillor e kreu në fshatin Molliq, ndërsa atë të mesën në Gjakovë. Falultetin e mbaroi në Prishtinë, në Fakultetin Filozofik, ku studioi gjuhën angleze. Vdiq më 16 dhjetor të vitit 2000, në spitalin kantonal të Aaraut të Zvicrës./

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...