Dialogu, Kurti kundërshton fuqishëm Haradinajn

Aktuale

Dialogu, Kurti kundërshton fuqishëm Haradinajn

Më: 17 dhjetor 2018 Në ora: 15:28
Albin Kurti

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka kundërshtuar fuqishëm draft-marrëveshjen përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë të paraqitur ditë më parë nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Kurti në një konferencë për media tha se ky raport është i papranueshëm dhe se kjo qasje e Qeverisë së Kosovës karshi dialogut me Serbinë është kaotike.

“Fjala reciprocitet nuk figuron askund në këto 30 faqe, është një qasje e gjuhës së ndërmjetësuesit. Nëse do e kisha lexuar pa emrin e shkruesit, do mendoja se këtë letër e ka shkruar ndonjë shtet që nuk e njeh Kosovën, e jo Qeveria e Kosovës. Rreth 50 pika apo paragrafe shprehimisht i drejtohen Kosovës dhe vetëm disa sosh i referohen butësisht Serbisë”.

Ai gjithashtu deklaroi se përmes një marrëveshje të tillë Serbia do e sigurojë “Zajednicën” brenda Kosovës.

I pari i Vetëvendosjes komentoi edhe rezolutën e PSD-së për dialogun, e cila u miratua të shtunën nga Kuvendi i Kosovës.

“Para se të vijë kjo rezolute për miratim të shtunën, dy ditë me herët kryeministri i Kosovës u ka paraqitur këtë material ambasadave të Quintit që paraqet marrëveshjen finale. Cili është kuptimi që ti krijon grup negociator, që thua se do të përpilojë platformë e grupe pune, kur ndërkohë e ke shkruar marrëveshjen finale?”.

“Ky është rend i mbrapsht i gjërave”.

Sipas tij, fillimisht do të duhej të shqyrtohet dhe të vlerësohet raporti qeveritar për dialogun dhe të caktohen kërkesat për Serbinë, më pas të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme në mënyrë që t’i kthehet legjitimitetit Qeverisë e në fund të përcaktohet platforma dhe ekipi negociator.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat