Kuvendi shkeli Ligjin për Barazi Gjinore kur votoi nëntë burra në Ekipin Negociator

Aktuale

Kuvendi shkeli Ligjin për Barazi Gjinore kur votoi nëntë burra në Ekipin Negociator

Më: 17 dhjetor 2018 Në ora: 16:32
Ekipi Negociator

Deputetët e PDK’së, AAK’së, NISMA’s e PSD’së kanë shkelur Ligjin për Barazi Gjinore kur kanë votuar Ekipin Negociator me nëntë burra. Ligji garanton pjesëmarrje të barabartë për gratë në pozita vendimmarrëse. Sociologia Sibel Halimi sqaron për media se pse pushteti vazhdon të mbetet në duart e burrave politikanë.

Veç 7 gra kanë pozitat e Zëvendësministreve nga 79 pozita të tilla në Qeveri. Edhe më keq është te pozitat më të larta qeveritare. Nga 21 ministri vetëm një është grua. Në pozita edhe më të larta shtetërore vazhdojnë të mbajnë vetëm burrat përfshirë pozitën e Shefit të Shtetit, Shefit të Qeverisë e Kuvendit.

Kosova s’ka asnjë kryetare nëpër komuna. Asnjë universitet publik s’udhëhiqet prej grave. Televizioni publik udhëhiqet prej burrave. KEK’un  drejton një kushëri i Presidentit. PTK po udhëhiqej prej një militanti të AAK’së e vazhdon tash të udhëhiqet nga një burrë. QKUK’ja e udhëheq Basri Sejdiu. Arkivin e Kosovës Ramë Manaj. Agjencinë e Barnave një burrë.

Trend i njëjtë i keq për gratë në vendimmarrje ka vazhduar edhe të shtunën, kur në terr, u votua Ekipi Negociator për dialog me Serbinë. Aty, u emëruan shtatë burra.

Listës i prinë Fatmir Limaj, Shpend Ahmeti, Enver Hoxhaj, Avni Arifi, Behgjet Pacolli, Mahir Jagcilar, Dardan Gashi, Visar Ymeri e Dukagjin Gorani.

Sociologia Sibel Halimi, në një përgjigje me shkrim, ka thënë se Kuvendi ka shkelur Ligjin për Barazi Gjinore kur ka votuar një ekip duke përjashtuar gratë politikane.

Image
Sibel Halimi

“..edhe me përbërjen e ekipit negociator, ku partitë në pushtet nuk kanë pasur gatishmëri të respektojnë as Ligjin për Barazi Gjinor ku neni 6 dhe pikën 815, siguron një përfaqësim prej pesëdhjetë për qind për çdo gjini në nivelet më të larta të vendimmarrjes”, ka konstatuar Halimi.

Sipas saj, një veprim i tillë tregon për frymën maskuliniste e misogjiniste e politikanëve në Kosovë.

Për vendimin e Kuvendit të Kosovës s’ka reaguar asnjë shoqatë që lufton për barazi gjinore në Kosovë. S’kanë reaguar as organizatat që marrin qindra mijëra euro ne emër të projekteve për këtë fushë. Reagimet e këtyre organizatave zakonisht bëhen kur iu harxhohen fondet.

Megjithëkëtë, Sibel Halimi parashikon se trendi i keq i përfshirjes së grave në vendimmarrje do të vazhdojë edhe më tutje pasi mendësia primitive nuk mund të ndryshohet.

“Për shkak të rrethanave në të cilat gjendet Kosova do të duhet që të kemi një avancim të përfshirjes së grave në proceset e rëndësishme, duke përfshirë edhe Dialogun. Trashëgimia e mendësisë dhe e diskursit kundrejt identitetit të gruas vështirë të ndryshohet shpejtë!”, ka shtuar ajo.

Sibel Halimi, e cila është aktive në mbrojtje të të drejtave të grave, fajin pse edhe në dialog, Qeveri e institucione tjera janë të populluara nga burrat e kanë edhe gratë e partive politike.

“...kur kësaj situate i bashkëngjitet roli jo aktiv i grave në partitë politike për të çrrënjosur diskriminim që po i bëhet gjinisë së tyre, qoftë edhe nëpërmjet një zëri unifues për të ndryshuar këtë praktikë”.  

Halimi është rikthyer në fushatën e partive politike për të treguar shembullin se pse gratë s’po kanë pozita vendimmarrëse në asnjë institucion të rëndësishëm e proces për Shtetin. Thotë se procesi parazgjedhor ishte organizuar nëpër oda, ku gruaja në shumicën e rasteve ishte e përjashtuar.

“Një fushatë e zhvilluar kryesisht në oda, natyrisht që s'mund të prodhojë një rezultat tjetër. Për këtë shkak gratë në politikë duhet të reflektojnë për përfshirjen e tyre në parti politike”, ka vlerësuar ajo.

Ajo jep parashikime të këqija për pozitën e grave në vendimmarrje nëse nuk zbatohen forma afirmative për t’i vendosur nëpër pozita të ndryshme udhëheqëse gratë.

“Zbatimi i mekanizmit afirmativ është një ndihmesë sado e vogël, jashtëzakonisht e domosdoshme  për përfaqësimin e grave, teksa mentaliteti i odës le që nuk po tejkalohet, por po rikthehet nën petkun modern”, ka parashikuar Sibel Halimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat