Haradinaj: Kosova ndjehet e tradhtuar nga BE

Aktuale

Haradinaj: Kosova ndjehet e tradhtuar nga BE

Më: 17 dhjetor 2018 Në ora: 17:02
Ramush Haradinaj

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se draft-marrëveshja gjithëpërfshirëse është hapi fillestar drejt arritjes së një marrëveshje përfundimtare ligjërisht të obligueshme midis Kosovës dhe Serbisë, ndërkohë që shprehur zhgënjimin e tij me mos liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit tonë.

Ai këto komente i bëri gjatë takimit të sotëm të Këshillit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së në Bruksel.

Kreu i Qeverisë së vendit tonë tha se përkundër neglizhencës dhe mungesës së qartësisë për perspektivën tonë evropiane nga ana e BE-së, Republika e Kosovës është fuqimisht e vendosur për anëtarësimin në BE si prioritet i lartë i saj, gjersa vazhdon të punojë pandërprerë për të arritur zbatimin e plotë të MSA-së.

Ai me këtë rast ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me pamundësinë për të lëvizur lirshëm të qytetarëve kosovarë në vendet e BE-së si pasojë e mos heqjes së vizave pavarësisht se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara.

“Edhe pse Kosova zbatoi të gjitha 95 kriteret e paracaktuara, siç është konfirmuar nga Komisioni në muajin maj, përgjigja që marrim nga BE, është gjysmake dhe e pashpresë”, u shpreh Haradinaj.

Për më tepër, Haradinaj tha se përkundër angazhimit të plotë në Agjendën e Reformës Evropiane (ERA), dhe reformave të fuqishme të ndërmarra për të fuqizuar sundimin e ligjit dhe institucionet e tij, Kosova ndjehet e tradhtuar dhe e zhgënjyer nga BE.

“Njerëzit tanë sprovohen përtej asaj që është e arsyeshme dhe e drejtë. Koha nuk është miku ynë. Duhet të shohim progres konkret”, porositi ai.

Duke folur për dialogun në Bruksel me palën serbe, kryeministri Haradinaj tha se edhe pesë vjet pas Marrëveshjes së Brukselit, realiteti është se përparimi drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka qenë minimal, dhe tani ka dalë krejtësisht nga binarët, veçanërisht me diskutimin publik mbi idenë fatale të korrigjimit të kufirit dhe shkëmbimit të territorit.

“Ka dëmtuar seriozisht kredibilitetin e ndërmjetësuesit, dhe ka dëmtuar arritjet që kemi bërë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE për më shumë se 7 vjet.

Unë si kryeministër dhe Qeveria e Kosovës, kundërshtojmë fuqishëm dhe e refuzojmë këtë ide, e cila do të sjellë vetëm luftëra dhe tragjedi të reja në Ballkan. Kushdo që flet për kufijtë, territorin, apo çfarëdo korrigjimi tjetër për vendim tim, është armiku ynë”, është shprehur Haradinaj.

Ai tha se pala kosovare dëshiron të arrijë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë dhe në këtë drejtim ka paraqitur një draft marrëveshje gjithëpërfshirëse, si hap fillestar drejt arritjes së një marrëveshje përfundimtare ligjërisht të obligueshme midis Kosovës dhe Serbisë.

“Marrëveshja përfundimtare synon të sjellë paqe afatgjatë dhe të sigurojë të ardhme prosperuese evropiane për të dy shtetet. Përfshirja e Shteteve të Bashkuara në udhëheqjen e dialogut është kyç, përderisa BE-ja ofron garanci, për të mbushur hendekun e mundshëm midis dy vendeve”, ka thënë Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat