Lidhjes Demokratike të Kosovës i takojnë dy anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

Aktuale

Lidhjes Demokratike të Kosovës i takojnë dy anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

Nga: N.A Më: 18 dhjetor 2018 Në ora: 09:16
Lidhja Demokratike e Kosovës

Lidhjes Demokratike e Kosoves përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka pranuar një kërkesë nga Drejtori i Departamentit për Çështje Juridike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në kuadër të Zyrës së Presidentit, për nominimin e një anëtari të KQZ-së nga radhët e LDK-së, edhe pse në të kaluarën kërkesat e tilla për grupet parlamentare gjithnjë janë drejtuar nga vet Presidenti i vendit konform Kushtetutës dhe  legjislacionit përkatës.

Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se:

Presidenti Thaçi, përkundër afatit ligjor për emërimin e anëtarëve të KQZ-së, sipas të cilit, jo më vonë se gjashtëdhjetë (60) ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve për Kuvend, që ishin certifikuar më 8 korrik 2017, ende nuk ka emëruar përbërjen e re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me çka ka bllokuar një institucion të pavarur dhe të përhershëm kushtetues. Me qëllim të zvarritjes akoma më shumë të këtij procesi, dhe me dëshirën për të ruajtur përbërjen aktuale të KQZ-së, e cila është në favor të koalicionit aktual qeverisës, presidenti Thaçi, çështjen e ndarjes së vendeve në KQZ e ka referuar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, e që, siç është parë edhe nga vendimi i Gjykatës, sipas të cilit është refuzuar kërkesa e tij, një kërkesë e tillë ka qenë fare e paarsyeshme dhe e panevojshme.

Kështu, duke e prolonguar këtë proces për gati një vit e gjysmë, si rrjedhojë, duke e defunksionalizuar tërësisht KQZ-në, presidenti ka vepruar në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e vendit dhe përgjegjësitë e tij të përcaktuara në këtë akt, sipas të cilave, presidenti garanton funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me kushtetutë.

Sido që të jetë, Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se, çështjen e ndarjes së vendeve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve e ka rregulluar qartësisht Kushtetuta e vendit dhe kjo çështje në asnjë rast nuk mund të trajtohet si çështje e vullnetit të dikujt për përcaktimin e numrit dhe vendeve të subjekteve politike në KQZ, madje as e presidentit.

Andaj, bazuar në rezultatin e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës të vitit 2017, konform dispozitave përkatëse kushtetuese e ligjore dhe në frymën e interpretimit të Gjykatës Kushtetuese rreth grupeve parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës (Rasti Nr. KOU9/14), Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se vendet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve duhet të ndahen në mes të tri subjekteve politike të cilat si të tilla kanë dalë nga zgjedhjet: koalicioni PAN, partia Vetëvendosje dhe koalicioni të cilin e përfaqëson LDK.

Në këtë mënyrë, Lidhjes Demokratike të Kosovës i takojnë dy anëtarë të KQZ-së  emrat e të cilëve shumë shpejtë do t’i dërgohen presidentit për emërimin përfundimtar të tyre. Ndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës është tejet e vendosur që të mos lejojë cenimin e përfaqësimit të saj në një institucion me rëndësi siç është KQZ dhe do të mbrojë të drejtën e saj të përfaqësimit në këtë institucion përmes të gjitha rrugëve ligjore dhe demokratike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat