Shpend Ahmeti i kundërpërgjigjet BE-së: Ju nuk e përcaktoni se kush e përfaqëson Kosovën në dialog

Aktuale

Shpend Ahmeti i kundërpërgjigjet BE-së: Ju nuk e përcaktoni se kush e përfaqëson Kosovën në dialog

Më: 18 dhjetor 2018 Në ora: 12:08
Shpend Ahmeti

Një letër që kishte ardhur nga BE-ja te Haradinaj, theksonte se Kosova do të përfaqësohej në dialog nga Hashim Thaçi, pavarësisht votimit të ekipit dialogues nga Kuvendi i Kosovës.

Në një letër që ka qarkulluar nëpër media, Mogherini dhe Hahn akuzonin kryeministrin Haradinaj, se po e pengon në një mënyrë dialogun Kosovë-Serbi.

“Ne shprehim mospajtim të thellë me vlerësimin tuaj se dialogu është i bllokuar. Krejt e kundërta, dialogu i zhvilluar nga dy presidentët ishte duke bërë progres të dukshëm. Ne kemi ndarë këtë vlerësim me liderët e BE-së në Këshillin Evropian të dhjetorit dhe kemi marrë mbështetje inkurajuese” thuhet në këtë letër.

BE-ja e ka mirëpritur votimin  e rezolutës, por nuk ka hequr dorë nga përfaqësimi i presidentit Thaçi në dialog.

“Ne e mirëpresim atë dhe e konsiderojmë si një input të qëndrimit të Kosovës, i cili do të prezantohet nga Presidenti në dialogun e tanishëm, i cili për BE-në është e vetmja kornizë reale për të adresuar normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit”, thuhet në letrën e BE-së drejtuar Haradinajt.

Por duket se kërkesat e BE-së nuk po i bëjnë përshtypje Shpend Ahmetit, që është kryesues i delegacionit kosovar bashkë me Fatmir Limajn.

Ahmeti në një përgjigje ka deklaruar se Komisioni Evropian nuk mund ta përcaktojë se kush do të negociojë në emër të Kosovës.

“Ende nuk kemi mbajtur mbledhjen e delegacionit ku do t’i diskutojmë këto gjëra. Megjithatë është e qartë se Komisioni Evropian nuk mund ta përcaktojë se kush do të negociojë në emër të Kosovës. Ky vendim është marrë nga Kuvendi në një Republikë Parlamentare”, ka thënë Shpend Ahmeti.

Ndryshe veç Shpend Ahmetit në ekipin për dialog, anëtarë janë edhe: Enver Hoxhaj, Behgjet Pacolli, Dardan Gashi, Mahir Yagcilar, Visar Ymeri, Dukagjin Gorani dhe një anëtar nga shoqëria civile.

Në lidhje me zhvillimet e fundit, Haradinaj dje kishte pasur një përplasje me Mogherinin në Bruksel.

Shefi i ekzekuvitivt kosovar ishte zotuar se nuk do ta heqë taksën pa njohje nga shteti serb.

Ndryshe nesër në Bruksel përfaqësuesja e lartë e BE-së Mogherini pret në një drekë pune liderët e vendeve të rajonit të Ballkanit. Nga Kosova, Serbia, Bosnja e Hercegovina dhe Mali i zi ajo ka ftuar presidentët, ndërsa nga Shqipëria, Maqedonia dhe Bosnja e Hercegvovina ka ftuar kryeministrat. /Insajderi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat