Qalaj: Polici Karaxha nuk u suspendua për shkak të djalit të Maxhunit

Aktuale

Qalaj: Polici Karaxha nuk u suspendua për shkak të djalit të Maxhunit

Më: 19 dhjetor 2018 Në ora: 14:02
Rashit Qalaj

Zyrtari policor Afrim Karaxha nuk është suspenduar për publikimin informacioneve për djalin e shefit të AKI-së, por për shkak të qasjes pa leje në sistemin e të dhënave.

Këto deklarime drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, i bëri gjatë raportimit sot në Komisionin për Punë të Brendshme, ku bashkë më të ka raportuar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa.

I pyetur nga deputetët për arsyen e suspendimit të zyrtarit policor, në përgjigjen e tij Qalaj ka thënë se sistemi i të dhënave konsiderohet  informacion i klasifikuar.

Qalaj: Polici është suspenduar për hyrje të paautorizuar në data bazën e policisë

“Polici që është suspenduar ka pasur disa hyrje në sistem, të cilat i ka arsyetuar që ka qenë krejt normale, meqë ai ka hyrë dhe ka bërë verifikim për një person me kërkesë të patrullës në terren. Mirëpo, në një rast hyrjen që e ka bërë për 18 sekonda nuk ka mundur ta arsyetojë dhe më vonë me kërkesën time personale ka filluar hetimi nga Inspektorati Policor në lidhje me rastin konkret. Dhe është dyshuar dhe dyshohet, por mund të them se edhe është konstatuar që personi në fjalë ka ndërhyrë dhe ka nxjerrë informata nga sistemi, nga data-baza që është ndërhyrje e paautorizuar në sistem të klasifikuar. Kjo është arsyeja pse është suspenduar dhe jo materia pse ka dalë, por hyrja në sistem që e konsiderojmë si informatë të klasifikuar”, tha ai.

I pari i Policisë së Kosovës, gjatë raportimit të tij ka thënë se fokus kryesor për vitin 2019 e kanë luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ai ka folur edhe për nevojën për shtimin e numrit të policëve në Njësitë Speciale, ku një gjë të tillë e ka paralajmëruar se do ta bëjnë vitin e ardhshëm.

Qalaj: Kemi filluar me rritjen e kapaciteteve të  njësive speciale

“Kemi filluar me rritjen e kapaciteteve të njësive të reagimit të shpejtë në të gjithë vendin. Para tri javësh kemi ngritur kapacitetet qind për qind, do të thotë janë shtuar edhe 105 zyrtarë të njësive të reagimit të shpejt në nivel të vendit. Po ashtu, kemi filluar me rritjen e kapaciteteve të  njësive speciale dhe njësisë speciale intervenuese. Meqenëse, pas analizave që i kemi bërë, kemi konstatuar që numri aktual është i pamjaftueshëm për kryerjen e punëve operacionale në situata të ndryshme që mund të na paraqiten dhe është qëllimi jonë që numrin e njësive speciale ta dyfishojmë deri në fund të vitit të ardhshëm. Në mënyrë që të kemi kapacitete të mjaftueshme operacionale për situata të paparashikuara në nivel vendi dhe t’i menaxhojmë në mënyrën më të mirë të mundshme”, u shpreh ai.

Qalaj tha se ky është një proces që kërkon edhe investime në pajisje, vetura, mirëpo sipas tij kjo është e domosdoshme.

Ndërkohë që Kosova dështoi të anëtarësohet në Interpol këtë vit, Qalaj u shpreh se ende nuk kanë vendosur nëse do të aplikojnë vitin e ardhshëm për anëtarësim në këtë organizatë të sigurisë, ndërkohë që ka dhënë edhe arsyet për këtë mëdyshje.

Qalaj: Për vitin e ardhshëm jemi në fazën e analizimit

“Për vitin e ardhshëm ende jemi në fazën e analizimit a do të aplikojmë apo jo, meqë mbahet në një shtet që është jo njohës për Kosovën, është një shtet mjaft i largët dhe jemi së bashku me partnerët tanë të diskutojmë se a do të aplikojmë apo jo. Sido që të jetë, ne nuk duhet të ndalemi, duhet të bëjmë kontakte të shumta edhe në aspektin e sigurisë, po konsideroj se duhet të kryej punë edhe diplomacia kosovare shumë”, u shpreh ai.

Në anën tjetër, ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ka potencuar se objektiv kryesor i punës së tij është parandalimi dhe luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Mustafa: Objektiv do të jetë parandalimi dhe luftimi i korrupsionit

“Ndër objektivat e mia si ministër do të jetë parandalimi dhe luftimi i korrupsionit, krimit të organizuar, përfshirë këtu edhe trafikimin me narkotikë, trafikimin me qenie njerëzore, krimin ekonomik. Do të luftojmë nepotizmin, do t’i kushtoj vëmendje luftimit të krimit kibernetik. Do të punoj në fuqizimin e sigurisë politike me të gjithë akterët relevantë. Gjithashtu, vëmendje të madhe do t’i jap edhe parandalimit dhe luftimit të terrorizmit, këtu kam parasysh edhe rritjen e bashkëpunimin ndër rajonal dhe ndërkombëtar”, u shpreh ai.

Ministri Mustafa ka folur edhe për domosdoshmërinë e miratimit të ligjit për pensionim të parakohshëm. Këtë ai e ka arsyetuar se shumë zyrtarë policorë që janë të sëmurë nuk arrijnë të kryejnë siç duhet detyrat e tyre.

Mustafa: Përfitojmë në rigjenerimin e strukturave policore

“Nëse kemi implikime buxhetore në moshën 55-vjeçare të mëdha që i kushtojnë shtetit me caktua një moshë pak më të largët që implikimet buxhetore me qenë më të vogla, sepse në të njëjtën kohë ne kemi konstatuar se ne humbim në aspektin financiar, por përfitojmë në rigjenerimin e strukturave policore. Jo vetëm të policisë po edhe të agjencioneve të tjera, siç është zjarrfikësit, sepse kemi zjarrfikës 60 vjeçar ai nuk ka mundësi t’i kryej detyrimet dhe punët që i përshkruhen me ligj”, tha ai.

Sa i përket dështimit për anëtarësim të Kosovës në Interpol, ministri Mustafa tha se kjo ka ndodhur për shkak të politizimit të kësaj organizate.

Deputeti i VV-së, Rexhep Selimi, ka kërkuar nga ministri i Punëve të Brendshme të ofrojë mbështetje për Policinë e Kosovës, që sipas tij të zgjidhen disa gjëra që kanë ndodhur në të kaluarën, ku ai ka përmendur çështjen e dhomës së dëshmive.

Madje, Selimi ka kërkuar që këto tema të zgjidhen dhe të mos jenë barrë mbi Policinë e Kosovës.

Selimi: Policia të mos identifikohet me këto probleme të pazgjidhura

“Policia të mos identifikohet me këto probleme të pazgjidhura, po të identifikohen në të ardhmen me sukseset e saj. Po ashtu, kisha me kërkua prej juve një angazhim maksimal në të ardhmen që të procedohen disa ligje që janë shumë të nevojshme për strukturën e Policisë dhe për organizatat e sigurisë që i keni ju. Është shumë e nevojshme, ka kohë që e përmendim ligjin për Policinë, ligjin për pensionimin e parakohshëm të Policisë, ndoshta nuk ish dashtë me u shty deri tash. Ka ardhur sa herë drafti, është kthyer, nuk është proceduar për çështje financiare. Ne e kuptojmë dhe e dimë që nuk e kemi komoditetin e mjaftueshëm në fushën e financave që të bëjmë ligje, të cilat pastaj na dalin problem për t’i implementuar. Por, ky është një prej ligjeve që duhet të bëhet patjetër, ky është njëri prej ligjeve që ka nevojë policia shumë”, tha ai.     

Ai ka pasur kritika edhe sa i përket Policisë së Kosovës, ku ka thënë se janë disa raste të dhunës në familje ku nuk ka pasur mbrojtje të mjaftueshme. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat