A do t’i bashkohet LDK ekipit negociator për dialogun me Serbinë, flet Isa Mustafa

Aktuale

A do t’i bashkohet LDK ekipit negociator për dialogun me Serbinë, flet Isa Mustafa

Më: 19 dhjetor 2018 Në ora: 18:37
Isa Mustafa

(E plotësuar) - Kryetar i LDK-së, Isa Mustafa, pas takimit që ka mbajtur sonte me anëtarët e kryesisë së partisë, ka pohuar se pozicioni i partisë së tij në dialog, do të jetë opozitar, pasi sipas tij, dialogun duhet ta udhëheq qeveria e vendit.

Ai ka pohuar po ashtu se LDK konstaton se presidenti i Kosovës ka bërë shkelje kushtetuese, duke mos lejuar që LDK të ketë dy vende në KQZ.

Mustafa ka shtuar se në KQZ po hyjnë grupe parlamentare pa legjitimitet, të cilat janë formuar më vonë. Ai ka paralajmëruar se nëse kërkesa e tyre nuk plotësohet, ata do të ndjekin rrugën ligjore.

Mustafa: Presidenti i ka bërë dy shkelje të mëdha

“Presidenti i ka bërë dy shkelje të mëdha. Një, që po i ndryshon kriteret që janë të përcaktuara me kushtetutë, dhe e dyta që i ka shkelur të gjitha afatet e konstituimit të KQZ-së dhe kanë mbetur shumë trupa parlamentarë, qoftë në nivel lokal ose qendror pa u kompletuar, për shkak të kësaj neglizhence nga ana e presidentit të vendit”, ka thënë Mustafa.

Lidhur me dialogun e Kosovës me Serbinë, Mustafa ka thënë se do të vazhdojnë ta përkrahin vetëm nga aspekti i partisë opozitare.

Mustafa: Dialogu është përgjegjësi e qeverisë

“Gjithmonë kemi konstatuar se negociatat duhet t’i zhvillojë Qeveria e Republikës së Kosovës. Nëse qeveria i ikë përgjegjësisë së saj dhe formon grupe për ta mbuluar përgjegjësinë, është çështje e qeverisë. Ne do të mbajmë pozitën tonë si opozitë dhe si opozitë do t’i kontribuojmë dialogut”, ka thënë Mustafa.

Ndërkaq, lidhur me propozim marrëveshjen për dialogun me Serbinë, Mustafa ka thënë që ai propozim është tekst përkrahës i dialogut.

Mustafa: Propozim marrëveshja është tekst përkrahës i dialogut

 

“Ky tekst është më shumë konstatim ligjor dhe kushtetues i gjendjes së tanishme të institucioneve të Republikës së Kosovës. Mund të jetë si dokument përkrahës i dialogut, mirëpo, ne e dimë se kur futet në dialog, pala e cila hyn në dialog, nuk i bën publike dokumentet për shkak se ato dokumente nuk mund t’i dijë pala tjetër, sepse negociatat kryhen për të bërë marrëveshje, e kurrsesi për t’i ofruar dokumentet palës tjetër”, ka thënë Mustafa.

Kurse lidhur me çështjen e korrigjimit të kufijve, Mustafa ka përsëritur qëndrimin se LDK nuk do ta përkrahë një gjë të tillë edhe nëse arrihet marrëveshja

 

***

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka mbajtur një mbledhje, në pasditen e së mërkurës.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, u është drejtuar gazetarëve, në një konferencë për media, pas përfundimit të mbledhjes.

Ai ka treguar se për çfarë kanë diskutuar figurat udhëheqëse të LDK-së.

“Biseduam për rolin e LDK-së. Konstatuam se LDK-ja ka kultivuar relacione të mira me BE-në”, ka deklaruar Mustafa.

“Kemi punuar që t’i çojmë proceset përpara – ne duhet të krijojmë kushte dhe nesër simbolikisht të jemi anëtarë të BE-së”, është shprehur ai.

“Ne shohim arsye që gjithë qytetarët të kenë relacione të mira. Duke pasur përgjegjësitë reciproke që i kemi ndaj njëri-tjetrit”, ka thënë Mustafa.

Kreu i LDK-së ka thënë se partia e tij mundohet të jetë faktor korrektues në Kuvend.

“Këtë rol e ka konfirmuar edhe më parë, e këtë do ta mbajë - edhe nga këtu themi se e përkrahim dialogun, që të shkojë procesi i dialogut përpara dhe të jetë në interes të Kosovës”, ka thënë ai.

“Shohim përgjegjësi të institucioneve të Kosovës dhe shohim se ato duhet të kenë legjitimitet e këtë do ta marrin përmes votës së qytetarëve”, ka shtuar Mustafa.

Ai ka thënë se LDK-ja, si parti opozitare, do t’i ndihmojë dialogut.

Megjithatë, Mustafa ka deklaruar se LDK-ja kërkon që “qeveria të mos i ikën përgjegjësisë së negociatave përmes rezolutave”.

Isa Mustafa me një kërkesë speciale për Hashim Thaçin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në një konferencë për medie të organizuar nga LDK, ka komentuar intepretimin kushtetues të Gjykatës Kushtetuese mbi përbërjen e Komisionit Qendror Zgjedhor.

Mustafa vlerësoi se “në bazë të votave në Kuvend janë formuar vetëm tri parti politike. LDK nuk pajtohet me përbërjen e përcaktuar të KQZ, pasi grupet tjera janë formuar pas zhvillimeve politike në Kuvend”.

Sipas të parit të LDK-së, “partia që ai drejton duhet ti ketë dy anëtar në KQZ”.

Për këtë ai paralajmëroi se do ti drejtohet presidentit me kërkesat e Lidhjes Demokratike.

Drejtpërdrejt nga konferenca e LDK-së

Pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së, kryetari i kësaj partie Isa Mustafa pritet t’u drejtohet gazetarëve në një konferencë për media.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat