Maxhera: Ministria nuk ia dha tretmanin e duhur bjeshkatarisë e alpinizmit

Alpinizem

Maxhera: Ministria nuk ia dha tretmanin e duhur bjeshkatarisë e alpinizmit

Nga: Kemajl Goca Më: 5 prill 2019 Në ora: 14:15
Ejup Maxhera

Ka dhënë shumë dhe po jep për sportin e Kosovës. Është fjala për Ejup Maxherën, ish kryetar i Federatës Bjeshkatare Alpiniste të Kosovës, përndryshe kryetar nderi i federatës, po ashtu është edhe kryetar nderi në shoqërinë bjeshkatare alpiniste Prishtina. Maxhera ka kaluar periudha të ndryshme, që nga vitet e 60-ta, 70-ta, 80-ta, 90-ta dhe në vitet e pasluftës, ku është ballafaquar me peripecitë të shumta.

Ai është krenarë që kur u largua nga Federata, për faktin se ka lënë pasardhësin shumë të zoti siç është Arben Lila dhe në anën tjetër iu bë zemra mal kur u anëtarësuan si federatë në Unionin Botëror. Mburret me brezin që ka të bjeshkatarëve dhe alpinistëve, si Nazmi Hasanramaj, Arineta Mula, Uta Ibrahimi, babë e bijë Mrika e Arianit Nikçi etj. E brengos shumë një fakt, që sporti me rrezikshmëri të lartë siç është bjeshkataria dhe alpinizmi, nuk përkrahen sa duhet dhe nuk e kanë trajtimin e duhur, nuk janë të kategorizuar sipas meritës.

Image

Maxhera këmbëngul, se një alpinist që pushton majën siç ishte rasti me Nazmi Hasanramajn e Arineta Mulën, meritojnë medalje olimpike dhe këto çështje duhet që të rregullohen nga Ministria e Sportit e Kosovës. Ish kryetari i federatës, alpinistët i vlerëson të një rangut me xhudistet Majlinda Kelmendi-kampione olimpike, Nora Gjakova-kampione evropiane, Distria Krasniqi, Akil Gjakova etj. Maxhera tha se alpinizmi e bjeshkataria janë bazë e fuqishme e shtetit, sporte në të cilat investohet dhe e ka trajtimin e veçantë në shtetet e zhvilluara, si në Gjermani, Kinë etj. kurse në Kosovë nuk kanë kushte, sidomos federata ka pak mjete që nuk i mjaftojnë për zhvillimin e garave, kur kihet parasysh se ka mbi 25 shoqëri bjeshkatare-alpiniste.

 “Bjeshkataria ka kaluar nëpër faza të rënda, është mbajtur disi, tani federata është pak e ndarë sepse deri në vitet e 80-ta kemi vepruar së bashku: bjeshkataria-skijimi, pastaj jemi ndarë dhe në bjeshkatari ku ka mbetur skijimi, jo si skijim gare por seksion i orientimit me hartën me busulla, po ashtu spelologjia, udhëheqës të rrugës, kërkim shpëtimi, kujdesi dhe ruajtja e ambientit, seksione që kanë ngelur në bjeshkatari. Alpinizmi? Mundem me thënë deri para 3 vjetësh ka pasur shumë aktivitete në të gjitha lëmitë, bile edhe gara si në orientim, gjuajtje me pushkë biatlom dhe në të gjitha disiplina tjera (12 vjet pas luftës kryetar i federatës - para luftës sekretar i Federatës Bjeshkatare – Skitare të Kosovës), kështu që dy herë në vit kemi mbajtur gara. Mirëpo, menjëherë pas luftës kishim vështirësi të mëdha dhe u konsoliduam, duke pasur nëntë shoqëri bjeshkatare, pesë prej tyre shoqëri shumë aktive dhe të tjera jo aq aktive.

Federata i kishte përgatitur të gjitha materialet, anëtarësimin në Unionin Botëror të Bjeshkatarisë me Alpinizëm. Unë kam dhënë dorëheqje dy vite para skadimit të mandatit si kryetar, me qëllim që të pranojë dikush i ri që të bëhet kryetar dhe që e flet mirë anglishten dhe që ta organizojë gjithë materialin në mënyrë më të mirë, që mos të shkojë unë me përkthyes dhe vet i dyti. Unë iu kam lëshuar rrugë të rinjve që e njohin gjuhën angleze, ku në Kuvendin zgjedhor ishte zgjedhur kryetar Arben Lila, i cili së bashku me Teuta Bicajn e patën  prezantuar materialin në Unionin Botëror (ku është pranuar federata) dhe këta të lartpërmendurit, kanë pasur lëvdata që e kanë përgatitur materialin jashtëzakonisht mirë, diçka unikat.

Image

Tani Arben Lila si kryetar është mjaft aktiv dhe numri i shoqërive është rritur, janë 24-25 shoqëri, që do të thotë ka shkuar mjaft mirë në këtë drejtim. Na mungojnë disa pjesë të programeve dhe unë vazhdimisht janë me anëtar të kryesisë atje. Kam cekur se, duhet shkollimi i kuadrove me qenë numër një. Në shkollim kemi bërë diçka shumë të mirë, të cilën e  ka bërë Arben Lila, si për udhëheqës të rrugëve dhe shënimin e shtigjeve që janë transversale ndërkombëtare, si Maqedoni, Mal i Zi etj.

Vërejtja ime numër një është që Departamenti dhe ministria nuk ju kanë dhënë tretmanin e duhur bjeshkatarisë e alpinizmit, as përkrahjen materiale as me kategorizim”, thotë Maxhera për gazetën kombëtare “Bota sot”. Maxhera ka marr shembull edhe babë e bijë që vazhdojnë me pushtimin e majeve më të larta të botës.

“Kështu që, si shembull po e marrim një alpinist ose  babë e bijë, siç është Mrika dhe Arianit Nikçi, që janë duke i pushtuar 7 majet me të larta të pesë kontinenteve të ndryshme. Mrika ka 17 vjet dhe tani është në pushtimin e sipër në Mount Everestin, pastaj drejtpërdrejt do të shkojë në majën Mount Elbrus, mandej vazhdon edhe me dy maja tjera, kështu që pa i mbush 18 vjet, kjo do të hyjë si vajza e parë (e vetme) në Libër të Ginisit, si vajza më e re. Kjo është një arritje e papërshkrueshme, që nuk e ka arritur asnjë shtet në konkurrencën e femrave ndër moshën 18-vjeç. Dhe, për këtë nuk kam fare dyshim, sepse ajo vajzë është aq e aftë, e freskët, guximtare, trimëreshë, heroinë me gjithë babain e vet Arianitin, që janë rregullisht duke i pushtuar majet, të cilët të dielën që e lamë pas, i kemi përcjellur për Himalaje. Është Hasanramaj, i cili në vitin 2017 e ka pushtuar Mount Everestin, po ashtu edhe Arineta Mula prej klubit alpin Prishtina, gjithashtu Uta Ibrahimi, anëtare e  shoqërisë Pashtriku nga Gjakova, edhe ajo e ka pushtuar Mount Everestin dhe vargmalet me rend, e cila aktualisht është duke sfiduar veten në këto maje.

Të gjithë këta kanë merita, siç thash më lartë, kategorizimi duhet ndërruar e shtuar diçka në mirë, për shkak se këto janë të arritura diçka fantastike nga alpinistët e bjeshkatarët dhe kur dihet se gjithnjë janë me rreziqe maksimale për humbjen e jetëve”, thotë Maxhera.  Kryetari i nderit ka përmendur edhe një rregullore që e kanë shteti kinez: “Kinezët janë të vetmit në botë që e kanë me rregullore, kush e pushton Mount Everestin do të marr medaljen olimpike.

Prandaj, këtu duhet ministria e sportit me urdhëruar departamentin e sportit që të gjej kritere dhe që të përfshijë në rregullore këtë pikë dhe t’u japin vend të merituar këtyre alpinistëve. Këta e meritojnë sikurse xhudistet Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, absolutisht duhet një tretman me pasur, sepse e kanë rrezikun për jetë dhe është sfidë tepër e madhe. Unë kam motivacion për me kërkuar edhe prej federatës, ministrisë, departamentit, që të përkrahen shkollimet e ndryshme të seksioneve. Shembull një është, në Gjermani financohen bjeshkataria e alpinizmi, janë kategori të veçanta, si për ushtri dhe për mbrojtje.

Image

Këto seksione që i përmenda, nëse arrin suksese, alpinistët gjerman gradohen në epror pa e kryer akademinë ushtarake, masandej shkollohen dhe përparohen ashtu siç e kërkon rregulli. Gjermanët janë të vetmit që i përkrahin materialisht këto seksione, sepse janë tepër të rëndësishme për shtetin dhe është interes shtetëror”.  Sa përkrahet bjeshkataria dhe alpinizmi? “Shembull po jap Prishtinën, që përkrahet nga Komuna dy herë në vit me nga 1000-1500 euro, varet krejt nga projekti.

Federata pak stimulohet, i ka 40 mijë euro dhe i ka 25-26 shoqëri, që nuk janë të mjaftueshme për zhvillimin e aktiviteteve të cekura.  Tani është numër i madh i qytetarëve, të cilët e kanë kuptuar dhe të cilët janë të interesuar me dal në natyrë, me sfiduar veten me pushtimin e majeve të larta, Kosovë dhe në Shqipëri.  

Me shkuar nëpër seksione, ku ndahen në grupe me të vogla. Bjeshkatarit dhe alpinistit, i duhet përgatitja personale, secilit për vete, i duhen këpucë speciale, kthetra për akull, kazma të verës dhe të dimrit, helmeta, syza dhe dylbi, jo secilit por grup për grup. Pajisjet speciale kundër shiut, kundër borës dhe të cilat janë personale. Prishtina të gjitha aksionet i organizon me pjesëmarrjen e vet anëtarëve, ku 15 euro i duhet një personit për ushqim dhe 25 euro për rrugë, siç është udhëtimi, si bie fjala për të maja e Çikës”, përfundon Maxhera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat