Festivali i aventurierëve “Mate Botërori” në Vrgorac të Kroacisë

Alpinizem

Festivali i aventurierëve “Mate Botërori” në Vrgorac të Kroacisë

Nga: Abdurahim Abdushi Më: 23 gusht 2020 Në ora: 13:23
Festivali i aventurierëve “Mate Botërori” në Vrgorac të Kroacisë

“Pa mëdyshje mund të themi se hite të festivalit të sivjetshëm janë Mrika dhe Arianit Nikqi” - Stipe Bozhiç.

Për nder të aventurierit kroat Mate Shimunoviç, të quajtur Svjetski (Botërori), sivjet me 22 dhe 23 gusht 2020, për të gjashtën herë me rradhë, po mbahet festivali tradicional i aventurierëve dhe aventurave „Mate Botërori“. Nikoqirë të festivalit janë Qendra për kulturë dhe trashëgimi e qytetit Vrgorac të Kroacisë dhe alpinisti, speleologu, udhëpërshkruesi dhe regjisori i njohur kroat, me famë botërore, Stipe Bozhiç. Ky festival është mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe e Mjeteve të Informimit e Republikës së Kroacisë.

Aventurieri dhe udhëpërshkruesi kroat Mate Shimunoviç - Svjetski (1900 - 1969) me qenin e tij të quajtur Globus, kanë udhëtuar nëpër botë për 19 vite me rradhë, nga viti 1928 deri në vitin 1947, duke përshkuar 70 shtete dhe mijëra ishuj në Oqeanin Indian dhe atë Paqësor, gjithsejt rreth 360.000 kilometra. Udhëtimet i kanë realizuar në këmbë, me biçikletë dhe me një varkë me vela. Gjatë këtyre aventurave, “Botërori” është takuar me popullsi autoktone, të cilët deri atëherë nuk kanë pasur kontakt me civilizimin bashkëkohor. Të gjitha aventurat ai i ka dokumentuar përmes mijëra fotografive dhe në 26 ditarë të udhëtimit, në të cilët janë nënshkruar shumë personalitete të famshme dhe burrështetas të kohës, duke e përfshirë edhe Kryetarin e atëhershëm të SHBA-ve, Herbert Clark Hoover.

Shpejt pas kthimit në atdhe, „Botërori“ ishte arrestuar në Zagreb nga UDB-ja jugosllave dhe deri në vdekje, nga autoritetet jugosllave, nuk është lejuar të lëshonte vendin për të vazhduar rrugëtimin e tij nëpër botë.

Dje, me 20 gusht 2020, në ora 20:00, në parkun e qytetit në Vrgorac, festivalin e ka hapur kryetari i shoqërisë “Mate Svjetski” Stipe Bozhiç, me ligjëratën „Malet e shenjta botërore“. Pastaj, para publikut të interesuar, kanë ligjëruar për një orë të plotë, babë i bijë, Arianit dhe Mrika Nikqi, mbi vajtjen e projektit të tyre të suksesshëm „Mrika - shtatë majet e Tokës“.

Alpinistët tanë, përmes fotografive dhe zërit, Mrika në gjuhën angleze ndërsa Arianiti në gjuhën kroate, i kanë informuar të pranishmit mbi lindjen e dëshirës për ngjitjen e shtatë majave më të larta të shtatë kontinenteve, për ecurinë e ngjitjeve, për trajnimet dhe stërvitjet e tyre dhe anekdota tjera.
Dëshira dhe idea e projektit ka qenë e Mrikës. Këtë ajo e ka shprehur pas ngjitjes së përbashkët të majës më të lartë të Afrikës, Kibo 5.895 m/lmd të malit Kilimanxharo, më 29 janar të vitit 2018. Ky ka qenë edhe fillimi i projektit i cili nga ajo kohë do të njihet me emrin “Mrika – shtatë majet e Tokës”. Pastaj më 16.12.2018 Mrika dhe Arianiti e kanë arritur majën Mount Vinson 4.892 m/lmd në Antarktik. Duke vazhduar, më 16.02.2019 me Aconcagua-n 6.962 m/lmd në Amerikën Latine; më 27.05.2019 në Mount Everest 8.848 m/lmd në Azi; më 20.06.2019 në Denali 6.190 m/lmd, në Amerikën Veriore; më 07.07.2019 në majën më të lartë të malit Elbrus 5.642 m/lmd, në Evropë; dhe së fundi më 15.08.2019 në majën Carstensz-Pyramide 4.884 m/lmd, në kontinentin e Australisë.
Pas arritjes së majës Carstensz-Pyramide Mrika Malësorja Nikqi, si 17-vjeçare, u bë gruaja më e re në botë që i ka ngjitur shtatë majat më të larta të të gjitha kontinenteve. Ky ishte rrëfimi i tyre duke i përshkruar përmes fotografive vendet e frikshme, të trishtimta dhe të rrezikshme, si: kalimi mbi kufoma apo kapërcimi i akullnajës së paqëndrueshme Khumbu, në Mount Everest; rrëshqitja e Mrikës gjatë lëshimit me litar në Carstensz-Pyramide si pasojë e lodhjes dhe e fërkimit të mangët që ofron pajisja tetëshja-siguruese; “gati mërdhirja” e hundës së Mrikës në Antarktik; apo lëndimi i Arianitit në malin Elbrus dhe rrezikimi i realizimit të projektit, e të tjerë.
Festivali “Mate - Botërori” do të përmbyllet sonte, më 23.08.2020, nga Nikola Baraka me ligjëratën "Klubi kroat i udhëtarëve“.

Faliminderit Mrikë dhe Arianit për përfaqësim të denjë dhe për ngritjen e imazhit të vendit tonë. Falënderime edhe për mikun e Federatës Bjeshkatare Alpiniste të Kosovës, alpinistin e mirënjohur Stipe Bozhiç dhe përgjithësisht për shtetin mik të Kroacisë.

Më 23.08.2020, Abdurahim Abdushi, alpinist.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat