4-vjeçari që mbase një ditë do të bëhet një alpinist i njohur

Alpinizem

4-vjeçari që mbase një ditë do të bëhet një alpinist i njohur

Nga: Teuta Bicaj  Më: 31 gusht 2020 Në ora: 23:09
Daorsi

Çdo ditë e më shumë, në vendin tonë po shtohet numri i prindërve të rinj, të cilët fëmijëve të tyre, qysh në moshë shumë të re, ua ushqejnë dashurinë dhe pasionin për natyrën dhe bjeshkët. 

Me grupin e SHBA-Prishtina, dhe SHBA-Llapi, (e dielë 30 gusht 2020) po zbrisnim nga maja e Marjashit, dhe qysh larg më ra në sy që, në grupin që po ngjitej, ishte edhe një fëmijë. 

Nuk munda të mos ndalesha pak më gjatë me të.  Ishte flokverdhë, sykaltër, një vogëlush i ëmbël, i cili po mbahej për dorën e babait të vet, dhe me hapa të ngadalshëm, po ngjitej drejt majës.

Image

Ky ishte Daorsi. Ishte vetëm 4 vjeç, dhe kur e pyeta sa vjet i ka, më tha 5, duke dashur të duket më i madh. E 5 vjeç do të bëhej tek në prillin e vitit të ardhshëm. 

Ai, herë duke ecur, e herë në shpinën e babait të vet, Flamur Arifaj (bjeshkatar dhe paraglajdist), së bashku me Klubin Alpin-Podguri, nga Istogu, ia kishin mësyer majës së Marjashit. Qasja nga Stanet e Belegut, kishte qenë mjaftë sfiduese, por Daorsi me babain e vet, do të shkonin deri aty ku e shohin se është e mundur të ecin.  

Image

Duke qenë se Daorsi vinte nga Istogu, që shtrihet rrëzë bjeshkëve, nuk ka si të mos rrjedh edhe dashuria për bjeshkët. Por, kjo nuk ishte ecja e parë për Daorsin. Ai e kishte kaluar edhe shtegun nga Valbona në Theth dhe anasjelltas, si dhe shumë ecje të tjera, që do të thotë se tanimë ishte miqësuar me bjeshkët e larta. 

Le të jetë ky shkrim një nxitje për të gjithë prindërit e rinj, që t’ua përcjellin fëmijëve të tyre, pasionin për natyrën. Bashkë me shkollimin, ky është investimi më i madh që mund të bëhet për ta. 

Le të jetë Daorsi inspirim për këtë. Daorsi, i cili mbase një ditë, do të bëhet një alpinist në zë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat