Maja e Marjashit, 2530 m/lmd

Alpinizem

Maja e Marjashit, 2530 m/lmd

Nga: Teuta Bicaj Më: 31 gusht 2020 Në ora: 23:49
Maja e Marjashit, 2530 m/lmd

Si çdo të diel, bjeshkët e vendit tonë gumëzhijnë gjithandej, nga bjeshkatarët, alpinistët dhe dashamirët e shumtë të natyrës. 
ShBA-Prishtina, së bashku me ShBA-Llapi, këtë të diel organizuan ngjitjen e majës së Marjashit, e lartë 2530 metra. 

Duke e pasur parasysh se kishte kaluar një kohë pak më e gjatë pa ecur (së pari masat e izolimit, pastaj izolimi për shkak të infeksionit me Covid-19), për mua ishte kjo ecja e parë, pak më e rëndë, për këtë vit, prandaj nuk ishte keq, as për mua, as për një pjesë të madhe të grupit, që kishin kaluar të njëjtat peripeti.

Kësaj here ngjitja u bë nga stanet e Belegut, dhe pjesa përfundimtare ishte mjaft sfiduese.

Image

Me këtë rast, disa nga pjesmarrësit u desh të tërhiqen nga pjesa e fundit, që ishte një kurriz i ashpër,  edhe pse pak para majës. Ata që ishin më të përgatitur, kaluan edhe atë kurriz të mprehtë dhe arritën në majë. 

Derisa ne po zbrisnim, takuam edhe një grup bjeshkatarësh nga Klubi Alpin –Podguri, nga Istogu.

Image

Edhe ata, u ngjitën në majë, vetëm një grup më i vogël, kurse të tjerët mbetën duke shijuar bukuritë e asaj pjese. Ndër ta, edhe më i vogli, bjeshkatari 4 vjeçar, Daorsi. 

Ndonjëherë në bjeshkë ndodhin edhe fatkeqësi. Gjatë zbritjes, sidomos kah fundi, këmbët fillojnë e ecin “vet”, si pa komandë.

Edhe pse në SHBA-Prishtina, për 12 vjet sa jam anëtare, asnjëherë nuk na ka ndodhur ndonjë fatkeqësi serioze. Kësaj here, një anëtare e jona, pak parra arritjes te stanet, rrëshqiti në gurë dhe theu këmbën.

Image

Hakiu, i ulur poshtë djathtas

Falë angazhimit të Hakiut (Haki Bajrami) që i dha ndihmën e parë, duke ia reponuar këmbën, si dhe ndihmën e të gjithë të tjerëve, secili në mënyrën e vet, ia imobilizuam këmbën, dhe e transportuam së pari deri te makinat, e pastaj për Prishtinë, ku u desh t’i nënshtrohet një operacioni të menjëhershëm.

Fatmirësisht, çdo gjë përfundoi me atë lëndim, dhe jo diçka më shumë.
Për Hakiun, nuk është hera e parë që gjendet i pari në situata të tilla. Ai madje, në një rast, ka shpëtuar edhe jetë, prandaj, tash e tutje, do t’ia vëmë emrin, Haki shpëtimtari. 

Urojmë që sa më pak të ndodhin fatkeqësi nëpër bjeshkët tona, dhe sa më shumë të dalin njerëzit dhe t’i shijojnë të gjitha ato që i ofron natyra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat