SHBAT denoncon masakrën mjedisore në Kanionin e Shejës

Alpinizem

SHBAT denoncon masakrën mjedisore në Kanionin e Shejës

Më: 6 shtator 2020 Në ora: 08:55
Kanioni i Shejës

Shoqata e Alpinistëve dhe Bjeshkatarëve Tirana, SHBAT ka denoncuar krimin mjedisor në Kanionin e Shejës, në fshatin Bicaj të Kukësit, ku po ndërtohet një HEC.

Sipas alpinistëve, projekti ka rrafshuar për disa qindra metra relievin natyral nëpër të cilin dikur kishte pellgje për t’u larë dhe rridhte e shkumonte në pragje të shumtë e ujëvara të vogla uji, 'ndërsa sot nuk ka mbetur gjë veçse një mjerim mjedisor, me beton e tuba të stërmëdhenj hekuri'.

“Pasi udhëtuam rreth 100 metra brenda në kanion, para nesh u shfaq një rrugë automobilistike e llojit ‘rrugë kantieri ndërtimi’", thuhet në në një shkrim të publikuar nga SHBAT.

"Kanioni, siç quhet në gjuhën vendase 'Gryka e Shejës' mbart me vete vlera jo vetëm natyrore, por njerëzore dhe historike. Në jo pak këngë e tregime ai përmendet si një 'krijesë e gjallë' në luftërat e Lumës për liri, ku me ndihmën e rrebesheve të ujit që sillte në vitet 1912-1913, ndihmoi banorët vendas të ndalnin hordhitë dhe përparimin e armiqve drejt Bicajve dhe Kolesjanit".

Image

Ndërhyrjet në kanionin e Shejës kanë hasur në reagimin e banorëve të zonës të cilët janë shprehur të shqetësuar për planet për ndërtimin e një hidrocentrali tjetër në të njëjtën rrjedhë lumore, i cili rrezikon shterimin e plotë të burimeve ujore të zonës duke lënë pa ujë rreth 2000 banorë në fshatrat e prekur.

Kryepleqtë dhe kryetarët e fshatrave Nangë, Brataj, Mustafaj, Canaj, Bicaj, etj., janë ngritur kundër këtij hidrocentrali dhe kërkojnë të dëgjohet zëri i banorëve.

Përfaqësuesit e fshatrave të Njësisë Administrative Bicaj shprehen se nuk janë njoftuar për zhvillimin e dëgjesës publike nga kompania ndërtuese dhe kanë firmosur një peticion për kundërshtimin e tij,  ka denoncuar më herët Eco Albania.

Ndërtimi i HEC-ve në zona të mbrojtura siç ishte rasti i kanionit të Holtës në Gramsh, projekti për të cilin u anulua pas protestës së vazhdueshme të banorëve të zonës, apo ndërtimi i HEC në parkun kombëtar të Valbonës, kanë ngjallur reagim të vazhdueshëm të shoqërisë civile dhe sensibilizim publik në mbrojtje të monumenteve të natyrës.

Duke filluar nga vitit 2002 në Shqipëri janë firmosur gati 190 kontrata koncensionare për ndërtimin e mbi 500 hidrocentraleve. Nga këto leje të dhëna rreth 200 kanë përfunduar së ndërtuari,  43 janë në proces ndërtimi dhe 364 nuk kanë filluar ende të ndërtohen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat