100 vjetori i Shërbimit të Kërkim-Shpëtimi të Bavarisë

Alpinizem

100 vjetori i Shërbimit të Kërkim-Shpëtimi të Bavarisë

Nga: Abdurahim Abdushi Më: 7 shtator 2020 Në ora: 12:07
Fotografia, René Kieselmann rmk

Këtë vit shënhet 100 vjetori i themelimit të Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit të Bavarisë (gjer. Bergwacht Bayern) të Republikës Federale të Gjermanisë. Ky shërbim, i cili është pjesë e Kryqit të Kuq të Bavarisë, vepron në Alpet Bavareze dhe në malet tjera të Landit të Bavarisë, i organizuar në 111 ekipe apo qendra operacionale në tërë Bavarinë. Përgjegjësitë qytetare në shoqërinë gjermane ky shërbim i jetëson për çdo ditë, në ndihmë të të aksidentuarve, duke qenë në gatishmëri me kujdestari 24-orëshe, apo në angazhime në mbrojtje të mjedisit.

Për nder të këtij jubileu, nga 30.08.2020 deri me 27.09.2020 është e hapur një ekspozitë e veçantë në Muzeun Alpin të Federatës Alpine Gjermane (Deutscher Alpenverein - DAV) në Mynih.Image

Në museun e Federatës Alpine Gjermane, fotografuar nga Abdurahim Abdushi.

Në një prononcim për media, kryetari i këtij shërbimi Oto Mëslang (Otto Möslang), për nder të këtij jubileu, fton lexuesit që të zhyten për një çast në botën e kërkim-shpëtimit malor:

“Të nderuar lexuese e lexues, gjthçka filloi me idenë e ruajtjes së idealeve të bjeshkatarisë, mirësjelljes dhe mbrojtjes së mjedisit nga vandalizmi. 100 vjet më vonë, Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit të Bavarisë është një organizatë bashkëkohore përgjegjëse për malet e larta dhe të ulëta të vendit. Gjatë vitit të kaluar, rreth 3.500 vullnetare dhe vullnetarë, kanë intervenuar pothuajse në 9.000 raste. Shpëtimi është detyra jonë, neutraliteti është qëndrimi ynë. Në kontrast me idenë e themelimit, Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit nuk është më “një grup vigjilent i bjeshkatarëve”, tani për ne vlenë: shpëtim profesional në një ekip vullnetarësh, 24 orë në ditë dhe 365 ditë në vit, ndërsa malet për ne mbesin hapësira ​​natyrore dhe të hapura të cilat duhet të ruhen. Njëkohësisht, Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit është shumë më tepër se kaq, sepse njerëzit marrin vullnetarisht përgjegjësinë në vendngjarje, në një komunitet të njerëzve me të njëjtin mendim, në solidaritet me ata në nevojë, nga interesi për kauzën dhe pa pagesë. Ju dëshiroj shumë ditë me plotë ngjarje dhe pa aksidente në male”.

Gjendja në vendin tonë

Në vendin tonë, në kuadër të Forcave të Sigurisë së Kosovës - FSK, vepron njësiti i kërkim-shpëtimit i cili është përgjegjës për organizimin dhe realizimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit në male dhe kudo, si dhe operacioneve në ndihmë të popullsisë në bashkëpunim me strukturat tjera të FSK-së dhe institucioneve vendore. Ky njësit në shumë raste, në vend dhe jashtë vendit, është dëshmuar me profesionalitet dhe gatishmëri.

Image

Njësiti i kërkim-shpëtimit të FSK-së, fotografuar nga Deni Hameli.

Në Federatën Bjeshkatare Alpiniste të Kosovës ka pasur lëvizje në drejtim të krijimit të një efektivi të kërkim-shpëtimit në male, brenda strukturave të FBAK-ut. Në këtë drejtim ka pasur edhe trajnime profesionale të bjeshkatarëve. Megjithatë ne si FBAK dhe shoqëri ndodhemi aty ku bavarezët ishin një shekull më parë.

Urime përvjetori i njëqindtë Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit të Bavarisë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat