Ekspedita përkujtimore - Syphan dhe Ararat 2020

Alpinizem

Ekspedita përkujtimore - Syphan dhe Ararat 2020

Nga: Abdurahim Abdushi Më: 11 shtator 2020 Në ora: 21:54
Fotografia lartë, ekipi i SHB “Sharrit” në majë të malit Ararat 5.137 m/lmd.

Ekspedita përkujtimore, në kujtim të bjeshkatarit Nehari Driza, e organizuar nga Shoqata Bjeshkatare “Sharri” nga Prizreni, për në majat e kupave vullkanike të maleve Syphan (tur. Süphan Dağı) dhe Ararat (tur. Ağrı Dağı), e filluar me 02 shtator 2020, ka përfunduar dje me 10 shtator 2020, me aterrimin e bjeshkatarëve të “Sharrit” në aeroportin e Prishtinës.

Të gjithë pjesëmarrësit e ekipit të “Sharrit”, Alpaj Simitxhi (Alpay Simitci), Arben Bytyqi, Deni Hameli (instruktor i skijimit dhe udhëheqës në bjeshkë), Kujtim Shala dhe Osman Uka, si dhe tre shoqëruesit e tyre nga Republika e Turqisë, Erhan Çallëshkan (Erhan Çalışkan) organizues vendor, Fatih Bullut (Fatih Bulut), dhe Xhelal Ergynej (Celal Ergüney) i kanë arritur majat:

Syphan 4.058 m/lmd, maja e tretë më e lartë në Turqi, me 03 shtator 2020, dhe

Ararat 5.137 m/lmd, maja më e lartë në Turqi, me 06 shtator 2020.

Malet e shenjta Eidoru (tani Syphan) dhe Ararat

Emri i moçëm i malit Syphan, në Mbretërinë Urartu të epokës së hekurit, ka qenë Eidoru. Mbretëria Urartu apo sipas interpretimit modern Mbretëria e Vanit, shtrihej në Rrafshnaltën e Armenisë, e përqendruar rreth liqenit Van. Në veri të këtij liqeni ndodhet mali Syphan i cili atëbotë, nga banorët urartianë, është adhuruar dhe personifikuar me vetë perëndinë. Andaj në emër të tij, urartianët kanë flijuar kafshë.

Edhe në epokën e hershme të krishterimit malet Syphan dhe Ararat janë adhuruar, meqë janë konsideruar si malet më të larta të Mitit të Përmbytjes.

Mbi Mitin e Përmbytjes dhe malin Ararat ju ftoj që ta lexoni artikullin “Ekspedita - Ararat 2020”, të botuar në gazetën elektronike “Bota Sot”, të datës 25 gusht 2020.

(Të kuptuarit e kulturave të huaja është pjesë thelbësore e përvojës së plotë bjeshkatare. Në vendet e huaja, ne jemi mysafirë. Ne sillemi me respekt të veçantë ndaj popullatës nikoqire, maleve dhe vendeve të tyre të shenjta. Ne i respektojmë doket, konfesionin dhe objektet e tyre sakrale - marrë nga “Kodi Etik i Bjeshkatarëve të Kosovës”, pika V).

Image

Në majë të malit Syphan 4.058 m/lmd.

Ecuria e ngjitjes në Ararat

Një ditë pas ngjitjes aklimatizuese të majës Syphan, me 04 shtator 2020 ekipi i “Sharrit” dhe nikoqirët turq, e kanë arritur kampin bazë në afro 3.200 m/lmd. Të nesërmen me 05 shtator 2020, të aklimatizuar mirë, kanë vazhduar për në kampin e lartë, të ngritur në lartësinë rreth 4.200 metra mbi nivelin e detit. Ndërkaq mësymjen përfundimtare për në majën e Araratit e kanë filluar me 06 shtator 2020 në ora 02:00 të natës.

Nëpër terr, temperatura të ulëta dhe në përballje me stuhitë e natës, të pajisur me llamba, kthetra dhe kazma bjeshkatare, duke ecur zigzag përmes një shpati me gurë, akull e harca, në mëngjesin e hershëm pjesëmarrësit e ekspeditës kanë dalë rrëzë pranëmajes veriperendimore të Araratit, nga ku duket qafëmali dhe kupa e Araratit si në pëllëmbë të dorës. Të motivuar nga pamja e mrekullueshme e malit, kanë vazhduar mësymjen deri në ora 07:40, kur edhe pjesëtari i fundit i Shoqatës Bjeshkatare “Sharri” ka arritur në majën biblike të Araratit.

Në maje është përkujtuar bjeshkatari i ndjerë, ish anëtar i Shoqatës Bjeshkatare “Sharri” nga Prizreni, Njeriu Nehari Driza.

“Ishte një sfidë e jashtëzakonshme fizike, fiziologjike, e mbi te gjitha psikologjike”, ishte një përmbledhje e shkurtër e ngjitjes në Ararat nga Prof. Kujtim Shala, pjesëmarrës i ekspeditës.

(Përkufizim: Me termin aklimatizim, nënkuptohet përshtatja individuale fiziologjike e bjeshkatarit, brenda veçorive të tij gjenetike, ndaj ndryshimeve të faktorëve të një mjedisi të ri, siç është lartësia mbidetare („oksigjeni i mangët”), kushtet e motit e të tjerë).

Image

Në horizont maja e malit Ararat.

Ecje lamtumirëse në Artos

Përpos ngjitjes së majave të lartëcekura, disa nga pjesëmarrësit e ekspeditës, me 08 shtator 2020 e kanë ngjitur edhe majën Artos 3.537 m/lmd (tur. Çadır Dağı). Përndryshe Artos është emër i bukur armen, për djem.

Shoqata Bjeshkatare “Sharri” nga Prizreni i përgëzon për arritjen dhe i falënderon për përkujtimin e bacit Nehari të gjithë pjesëmarrësit e kësaj ekspedite.

Një urim nga SHB “Sharri” iu shkon edhe anëtarëve të ekipit të SHBA “Gjilani” të cilët sot me 11 shtator 2020 e kanë arritur majën e malit Ararat.

Më 11 shtator 2020, nga Abdurahim Abdushi, alpinist/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat