Një gjeneratë e re e udhëheqesve

Alpinizem

Një gjeneratë e re e udhëheqesve

Nga: Prof. Teuta Bicaj - Abdurahim Abdushi Më: 14 shtator 2020 Në ora: 20:49
Në fotografi, nga e majta në të djathtë: Molly Steer, Yasmine El Baggari, Lila Behr, Mrika Nikçi dhe Maya Penn.

Ndërmarrja “1MillionStartups” është një platformë digjitale, globale, pioniere në mbështetje të ndërmarrjeve të reja novatore dhe të sipërmarrësve, të cilët janë të përkushtuar në zgjidhjen e problemeve të jetës reale dhe arritjen e objektivave të Kombeve të Bashkuara për zhvillim të qëndrueshëm (ang. UN Sustainable Development Goals - SDGs). Aktualisht, përmes tyre janë duke u mbështetur mbi 700 ndërmarrje të reja dhe novatore nga 65 vende të botës. Numri i mbështetësve, si dhe numri i ekipit “1MillionStartups” është në rritje e sipër. Selia e tyre ndodhet në kryeqytetin e Austrisë, në Vienë, mirëpo ata janë aktivë në mbarë botën.

Ndërmarrja “der Brutkasten” (shq. inkubatori)

Ndërmarrja “der Brutkasten” është një ndërmarrje e re novatore (ang. startup), gjegjësisht një platformë multimediale e Republikës së Austrisë, për ekonomi digjitale dhe novacion. E krijuar nga sipërmarrësit për sipërmarrësit.

Image

Fotografia: Mrika Nikçi, alpiniste.

Në vazhdim po e sjellim një fragmet të artikullit “Një gjeneratë e re e udhëheqesve” të redaksisë së platformës digjitale “der Brutkasten”. Shqipërimi nga gjuha gjermane, Abdurahim Abdushi. https://www.derbrutkasten.com/1millionstartups-global-conference-2020/ 

Një gjeneratë e re e udhëheqesve

Konferenca globale “1MillionStartups” merret me ndryshimet e pandalshme në shoqëri - dhe vë në qendër të vëmendjes një brez të ri të udhëheqesve.
Motoja e sivjetshme e konferencës globale “1MillionStartups” ishte "Udhëhiq ndryshimin” (ang. Lead the Change). Për herë të parë ajo u mbajt në internet (ang. online) për shkak të pandemisë COVID-19. Kjo do të thotë: "Në konferencë ne do të diskutojmë lidershipin e së nesërmes dhe do të shohim fytyrat e brezit të ri të udhëheqësve" - shpjegon bashkënismëtarja Helena Rosandic.

Gratë e reja dhe të forta në “Konferencën globale - 1MillionStartups, 2020”

Janë gratë e reja dhe të forta, ato që po formësojnë "ndryshimin e pandalshëm" të botës. Në “Konferencën Globale 1MillionStartups” do të shfaqet Mrika Nikçi, gruaja më e re, që është ngjitur ndonjëherë në shtatë majat më të larta të Tokës, ose Jasmin Ell Bagari (Yasmine El Baggari), ish "Gruaja magjepsëse e vitit - Glamour Woman of the Year", e cila tani, me biznesin e saj dëshiron të dërgojë njerëz të zakonshëm në gjithësi. Pastaj do të shfaqen: 12-vjeçarja Molli Ster (Molly Steer), e cila dëshiron të heqë nga përdorimi kashtat plastike në Australi, Maja Pen (Maya Penn) e cila e themeloi markën ekologjike të modës në moshën 8-vjeçare, Lila Ber (Lila Behr), e cila në Kostarikë bën fushatë për ekonomi rigjeneruese (ang. Circular Economy) dhe Bonifejs Ndegva Nganga (Boniface Ndegwa Ng'ang'a), e cila krijoi një program të madh mjedisor në Kenia. Në këtë podium virtuel do të diskutohet tema “ndryshimi i figurës së udhëheqjes” (ang. changing the face of leadership). 

Shkurt e shqip

Alpinistja Nikçi, e ftuar si ligjëruese kryesore, në ligjeratën e saj afro 30-minutëshe, i ka njoftuar pjesëmarrësit e konferencës globale për përvojat e saja para dhe gjatë ekspeditave, duke sjellur mesazhe inkurajuese për të rinjtë, që kurrë të mos heqin dorë nga ëndrrat e tyre dhe të punojnë në mënyrë të shëndetshme e me shumë përkushtim në realizimin e tyre. 
- “Shumë njerëz, madje edhe disa nga miqtë e mi më thoshin: Kjo është pothuajse e pamundur edhe për burra, e si mendon ti si grua ta bësh këtë?” Ky ishte çasti kur i thash vetes: Do ta bëj, me çdo kusht. Do t’ua dëshmoj të gjithëve se e kanë gabim. Ne jemi të forta, ne mund të bëjmë gjithçka që duam” - ishte shprehur me entuziazëm dhe plot bindje Mrika. 
Federata Bjeshkatare Alpiniste e Kosovës (FBAK) e falënderon alpinisten Mrika Nikçi për kontributin e saj në “Konferencën Globale 1MillionStartups” dhe për prezentimin e vlerave dhe përvojës sonë bjeshkatare mbi 90-vjeçare. 

Më 14 shtator 2020, Prof. Teuta Bicaj dhe Abdurahim Abdushi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat