Ditëlindja e Rajnhold Mesnerit

Alpinizem

Ditëlindja e Rajnhold Mesnerit

Nga: Abdurahim Abdushi Më: 17 shtator 2020 Në ora: 20:00
Fotografia: me Rajnhold Mesnerin në Bolcano të Italisë.

Sot me 17 shtator 2020, muhamedaliu i sporteve bjeshkatare Rajnhold Mesner (Reinhold Messner) i ka mbushur plot shtatëdhjetegjashtë vjet. Ky është një tregim i shkurtër mbi tirolasin jugor, alpinistin më të madh të kohës sonë, i cili e ka karakterizuar alpinizmin në vitet e 70-ta dhe 80-ta të shekullit të kaluar.

Alfabeti i një jete prej alpinisti

Profesionin e të qenit “pionier i alpinizmit të vështirësive” nuk e ka mësuar në vargmalet namëmadhe të Azisë, por në Alpet e vendlindjes së tij, në Hajligkrojckofel (Heiligkreuzkofel) apo Marmolata, por edhe në Ejger (Eiger), Valkenfajler (Walkerpfeiler) dhe Grond Xhuras (Grande Jorasses). Që atëherë, në vitet e 60-ta, ai ka bërë ngjitje alpiniste parësore në gradën e VIII-të të vështirësive kacavarëse, vlerësuar sipas shkallës së Federatës Ndërkombëtare të Bjeshkatarisë dhe Alpinizmit (UIAA), e cila atëbotë ka numëruar gjithsejt shtatë gradë dhe është quajtur ndryshe. 

Mbahen mend „ankthet e alpeve“: ngjitjet solo të majave Le Droat (Les Droites) përmes faqës veriore dhe Çiveta (Civetta) përmes faqes veriperëndimore. 

Në bjeshkatarinë e lartësive, ishte njeriu i parë i cili i ka ngjitur të gjitha majat e Tokës mbi 8.000 metërshe pa përdorimin e bombolave me oksigjen; madje atëbotë edhe shkencërisht ngjitja e Mont Everestit pa oksigjen shtesë, është konsideruar si e pamundur, për shkak të rënies së shtypjes atmosferike në 33% krahasuar me nivelin e detit. Dhe jo vetëm kaq, ai ka vendosur pika të reja referimi në alpinizmin e lartësive, të cilat janë përsëritur rallë apo kurrë më.

Për shembull ngjitja për herë të dytë e majës më të lartë në botë, pa oksigjen shtesë, si i vetëm (solo) dhe në stilin alpin*; apo mbikalimi i dy majave mbi 8.000 metërshe (Gasherbrum I und II), në një hov, pa zbritje në kampin bazë, në skuadër me alpinistin gjerman Hans Kamerlander (Hans Kammerlander), gjithashtu pa oksigjen shtesë. Kjo e dyta (1984) nuk u përsërit kurrë më. 

(*Përkufizimi: Në bjeshkatarinë e lartësive ngjitja e majave bëhet në dy mënyra, sipas stilit klasik apo ekspedicional dhe stilit alpin (sikurse në Alpe). Stili alpin nënkupton arritjen e majave pa oksigjen shtesë, pa përdorimin e litarëve të përhershëm dhe kampeve të larta. Alpinistët i bartin me vete pajisjet për fjetje, ushqimin dhe materialet tjerë nga kampi bazë deri në majë dhe gjatë kthimit). 
 

Një jetë, plotë jetë

Mirëpo në jetën e tij, plotë jetë alpiniste, ai nuk ka korrur vetëm suksese: “Vetëm për ngjitjen e majave mbi 8.000 metërshe kam ndërmarrë 31 ekspedita. Kjo do të thotë, kam dështuar 13 herë, 18 herë ia kam dalë” - Ishin fjalët e Rajnhold Mesnerit dhënë televizionit bavarez BR24. 

Ai gjithashtu iu ka bërë ballë akuzave të kritikuesve të tij, për fajësinë e tij për vdekjen e të vëllaut Gynter Mesner (Günter Messner) në ekspeditën e vitit 1970, në Nanga Parbat. Shumë kohë më vonë, në vitin 2004, pas një analize forenzike të një ashti të gjetur në akullnajën rrëzë shpatit Diamir, në Institutin e Mjeksisë Ligjore të Universitetit të Insbrukut është konstatuar se ai i takon Gynter Mesnerit. Kësisoj versioni i Reinhold Mesnerit ishte provuar qartë dhe pa asnjë mëdyshje. E gjithë kjo është një histori në vete dhe e veçantë, e përpunuar nga Rajnhold Mesner edhe në librin “Mali i zhveshur, Nanga Parbat - Vëllau, Vdekja, Vetmia”, të cilin mund ta lexoni në gjuhën angleze “The Naked Mountain...” apo gjermane “Der Nackte Berg...”. 

Image

Fotografia: këpuca e Gynter Mesnerit e gjetur në akullnajën e malit Nanga Parbat,

fotografuar nga A. Abdushi në muzeun "MMM - Firmian".

Mirëpo, ajo që është magjepsëse është aftësia e tij që të sjell verbalisht gjigantët e akullt të Alpeve, Karakorumit dhe Himalajave në përditshmërinë tonë, në dhomën tonë të ditës, mënyra jo stërmadhuese se si ndau pasionin e tij me ne dhe frymëzoi aq shumë njerëz anekënd globit që edhe vetë të shkonin në bjeshkë. 
Pavarësisht moshës, ai është shumë larg fundit të fuqisë së tij krijuese. Ne jemi të ngazëllyer për të parë se me çfarë tjetër do të na befason në të ardhmen.
Alpinistit të jashtzakonshëm, autorit të dhjetra librave, themeluesit të muzeut mbi malet dhe malësorët “Messner Mountain Museum - MMM”, ish deputetit të Parlamentit Evropian nga grupi parlamentar i të gjelbërve (1999 - 2004), polemizuesit të flaktë i urojmë gjithë të mirat e mbi të gjitha shumë shëndet.
Më 17.09.2020, për Federatën Bjeshkatare Alpiniste të Kosovës - FBAK, Abdurahim Abdushi, alpinist.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat